101 VJET NGA TMERRI DHE LAVDIA E ÇANAK-KALESË

Në Betejën e lavdishme të Çanak-Kalasë si pjesë e forcave ushtarake osmane kanë marrë pjesë edhe një numër i madh i nizamëve nga vise shqiptare të Perandorisë. Ata edhe aty kanë shkëlqyer me trimërinë dhe zotësinë e tyre.

Nga: Salih Kabashi
Ekziston një këngë shqiptare plot melankoli e dhimbje, e vjetër 100 vjet, aq e vjetër sa edhe ngjarja që e ka lindur. Po shpalos pak nga ajo histori ku u derdh edhe shumë gjak shqiptar dhe ku gjenden shumë varre shehidësh shqiptarë që luftonin për Perandorinë, e cila tashmë ishte tërhequr nga vilajetet shqiptare.
Kënga, ndoshta ndër të fundit nga cikli i këngëve popullore të nizamëve, i ngre një monument poetik-muzikor heroizmit e sakrifikimit të ushtarëve osmanë që mbronin Stambollin nga bombardimet e rënda e të pandërprera ruse, franceze e angleze (me ushtarë vullnetarë nga Irlanda, Australia dhe Zelanda e Re) e që kishin si cak fortifikimet mbrojtëse osmane.
Në histori njihet me emrin Beteja e Galipoles, nga populli ynë si Lufta e Çanak-Kalasë, e cila ka filluar më 25 prill 1915 dhe ka zgjatur deri më 6 janar 1916. Aleatët (Antanta), pas bombardimeve të pasukseshme nga deti mbi fortifikimet e jashtme osmane, kishin dhënë urdhërin e desantit për pushtimin e Gadishullit të Galipoles. Ushtria osmane ndali me heroizëm të pashoq depërtimin armik nëpër Ngushticën e Dardaneleve.
Nëse do të binte Galipoja, aleatët do t’i afroheshin Stambollit dhe do të arrinin qëllimin final : dëbimin e Perandorisë Osmane nga rrjedhat e mëtejme të luftës, ndërkohë që Rusisë do t’i hapeshin rrugët e furnizimeve.
Lufta ishte e tmerrshme dhe me humbje të shumta nga të dyja palët, në fund edhe me humbjen katastrofale të forcave të Antantës.
Ishte një tragjedi e vërtetë, e cila në historinë neozelandeze e australiane shënohet dhe për çdo 25 prill edhe kujtohet si Anzak Day , kujtim i viktimave të Betejës dhe si lufta e tyre më e pakuptimtë.
Ushtria turke drejtohej nga Kemal Atatürku, themeluesi i mëpastajmë i Republikës turke dhe kryetarm i parë i saj, i cili famën ushtarake e kishte arritur pikërisht në fushëbetejën e Galipojës.
Çanak-Kalaja gjendet në anën aziatike jugore të Dardaneleve. Burimet amerikane atë luftë e quajnë Dardanelles Campaign.
Pos literaturës së shumtë në temën e Çanak-Kalasë janë xhiruar edhe filma.
Në Betejën e lavdishme të Çanak-Kalasë si pjesë e forcave ushtarake osmane kanë marrë pjesë edhe një numër i madh i nizamëve nga vise shqiptare të Perandorisë. Ata edhe aty kanë shkëlqyer me trimërinë dhe zotësinë e tyre. Është i shumtë numri shehidëve shqiptarë të rënë në atë fushë nderi.
Sivjet është 100 vjetori i kësaj beteje historike legjendare. Shqiptarët kanë shumë arsye ta kujtojnë atë kohë e atë vend ku shkëlqeu dhe u shtua lavdia e tyre luftarake.

Artikulli paraprakVIDEO – Selefi apo Hanefi (Pijaneci dhe Ebu Hanifja)
Artikulli vijuesNJË SHEKULL NGA LUFTA E ÇANAKKALESË