138 gazetarë të vrarë në 2014

Të paktën 138 gazetarë janë vrarë në 32 shtete në vitin 2014, thuhet në raportin e rifreskuar të Press Emblem Campaign (PEC), organizatë e pavarur joqeveritare në Gjenevë e cila mbështet konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mediave.

Organizata thekson se kishte mësuar për numrin më të madh të gazetarëve të vrarë gjatë punës nga ai që kishte shpallur më herët.
Sipas Komitetit për mbrojtjen e gazetarëve dhe Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, bëmë një lëshim për njoftimin e vrasjes së gjashtë gazetarëve vitin e kaluar, thuhet në deklaratën e PEC.
“Në Siri, vitin e kaluar u vranë 19 dhe jo 13 gazetarë, siç njoftuam më herët” theksohet në deklaratë.
Gjithashtu nga 15 dhjetori janë vrarë edhe katër gazetarë në Honduras, Afganistan, Brazil, dhe në Republikën Demokratike të Kongos, shtohet më tej.
Presidenti i PEC, Hedayat Abdel Nabi deklaroi se komuniteti ndërkombëtar i shikon krimet duke mos zgjidhur problemin në thelb, e që është domosdoshmëria për mbrojtje.
“Pyetja është kur vendet anëtare të OKB-së do të ulen në tryezë dhe të bisedojnë për masat mbrojtëse të gazetarëve” tha Abdel Nabi.
PEC thekson se Siria është vendi më i rrezikshëm për gazetarë në tre vitet e fundit.
Në vendin e dytë është Gaza, ku humbën jetën 16 gazetarë në ofensivën izraelite të vitit që lamë prapa.
Në Pakistan u vranë 12, ndërsa në Irak 10 gazetarë. 
Ukraina renditet në vendin e pestë të shteteve më të rrezikshme për raportime të drejtpërdrejta.
Në Lindjen e Afërt janë regjistruar 52 të vrarë, që përbën numrin më të madh të vrasjeve. Në Azi janë vrarë 32, në Amerikën Jugore 29, në Afrikën nënsahariane 15, ndërsa në Evropë 10 gazetarë.
Në pesë vitet e fundit, mesatarisht çdo vit kanë humbur jetën 125 gazetarë në botë, përfundon raporti i PEC-ut.

Artikulli paraprakEgjipt – Vriten 2 policë para kishës Minya
Artikulli vijuesGreqi – SYRIZA kryeson sondazhet