31 milion euro janë sekuestruar vetëm në vitin 2014

0
225

Shqipdon Fazliu, i pari i këtij institucioni ka thënë se prej themelimit të KKLKE në vitin e kaluar ka pasur punë shumë më efikase në konfiskimin e pasurisë përmes veprave penale

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike në vitin e parë të funksionimit të saj ka paraqitur raportin një vjeçar për të arriturat e saj, duke theksuar se vlera e sekuestruar përkohësisht e pasurisë në vitin 2014 nga ana e institucione të drejtësisë arrin shifrën rreth 31 milionë euro, ndërsa ajo që është konfiskuar me vendim përfundimtar arrin shifrën rreth 500 mijë euro.

Shqipdon Fazliu, i pari i këtij institucioni ka thënë se prej themelimit të KKLKE në vitin e kaluar ka pasur punë shumë më efikase në konfiskimin e pasurisë përmes veprave penale.

Fazliu: 2014 vit i frytshëm

“Viti 2014 definitivisht mund të themi që është vit i frytshëm në fushën e sekuestrimeve dhe konfiskimeve dhe këtë do ta dëshmojmë me faktin se gjatë vitit 2013 për shembull shifra e sekuestrimeve ka qenë vetëm 1 milion e gjashtë qind mijë euro kurse në vitin 2014 kemi një pasuri të sekuestruar në vlerë prej rreth 31 milion euro”, ka thënë Fazliu.

Fazliu ka thënë se puna e këtij mekanizmi do të ishte shumë më efikase në raste se të gjitha mekanizmat e përfshira në luftimin e krijimit të pasurisë në mënyrë të paligjshme nga ana e zyrtarëve të lartë institucional apo edhe politikanëve dhe biznesmenëve, sikur të ishin më të vendosura në këtë drejtim, duke vënë theksin tek prokuroria si iniciues i proceseve gjyqësore.

“Ekziston po ashtu një hezitim nga ana e prokurorëve. Nuk mund të themi ende nëse ekziston një hezitim nga gjykatat sepse them të drejtën gjykatat ende nuk janë ballafaquar me kërkesa të tilla të cilat ne po i kërkojmë që duhet të ndërmerren nga prokuroria”, ka thënë Fazliu.

Sipas tij janë 18 raste në procese gjyqësore, por të cilat ende nuk kanë marrë formën e tyre përfundimtare. Nga pasurit e sekuestruara përkohësisht sipas Fazliut përfshihen një vilë, 11 shtëpi, 1 motel, 6 lokale afariste, si dhe një restorant i pa përfunduar.

Ndryshe në konferencën e organizuara nga lëvizja Fol u tha se krijimi i Ligjit anti-mafia do të ndikonte që për ndjekjen e kryerëseve të veprave penale të mjaftonte vetëm dyshimin për kryerjen e veprës që të fillonte një proces gjyqësor e jo disa arsye të cilat janë të precizuara në Kodin e procedurës penale.

Ndërsa sipas Fazliun ky institucion pret që vitin 2015 të përfundoj me shifrën 1 milion euro konfiskime të pasurisë. /A.Sahiti/kosovapress/