5 vite pavarësi vs. 5 domosdoshmëritë e jetës

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran” – Deklarata e Pavarësisë (paragrafi 1)… Ishin këto fjalët e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilat i lexoi gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme këtu e pesë vite me parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Si rrjedhojë e kësaj deklarate pasuan njohjet e ndryshme të njëpasnjëshme dhe filloi shtet-formimi i Republikës sonë. Edhe pse disa të ngadalshme, për shkak të hezitimit, e disa edhe të vonuara, për shkak të mos lobimit, megjithatë njohjet nuk u ndalën por ato arritën tashmë në 99, derisa shkronjat e këtij artikulli po zënë vend. Lajmin e gëzueshëm, të 99-të me radhë, pikërisht në Ditën e Pavarësisë, e solli Pakinam El Sharkavi nënkryetare e shtetit me miqësi mjaft të lashtë me shqiptarët – Egjipti modern, i themeluar pikërisht nga një lozë shqiptari, Muhamed Ali Pasha nga Kavalla e Shqipërisë Etnike. Shtet ky i cili akoma po përballet me krizat e shumta të dala nga një diktaturë e hekurt disa dekadash.

Sido që të jetë, nëse ndalemi pak dhe analizojmë gjendjen aktuale të Republikës së Kosovës, atëherë vështirë se mund të besojmë se togfjalëshi i sipërcituar ka zënë vend në realitet, veçanërisht dy fjalët e fundit “i pavarur” dhe “sovran”. Nëse analizojmë fjalën i “pavarur”, kjo fjalë sipas Fjalorit Elektronik Shpjegues (FESH), vjen në dy kuptime:

1. Që nuk është i varur ekonomikisht e politikisht, i mëvetësishëm. Vend (shtet) i pavarur. Jeton i lirë e i pavarur.

2. Që nuk është i varur nga një tjetër, që nuk është nën urdhrat, nën pushtetin a nën varësinë e një tjetri.

Ndërsa sovran, edhe pse nga Gjuha Angleze (sovereign), megjithatë kjo fjalë gjithashtu vjen në dy kuptime:

1. Që është i lirë e i pavarur për të ushtruar pushtetin më të lartë pa iu nënshtruar dikujt tjetër, apo

2. Që ka të bëjë me sovranitetin, e drejta që gëzon çdo popull e çdo shtet për të vendosur në mënyrë të lirë dhe të pavarur për çështjet e veta dhe për marrëdhëniet me shtetet e tjera, pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje, urdhri ose kontrolli nga të tjerët.

Se këndejmi, se sa jemi të pavarur dhe sovran nga ndikimet e huaja politike dhe ekonomike as që ia vlen të diskutohet. Por, ky artikull synon t’i qaset kësaj problematike nga këndvështrimi i shkencave humane dhe atyre religjioze lidhur me çështjet e brendshme ku pak a shumë jemi të pavarur dhe “sovran”.

Ndaj, në mënyrë që jeta të funksionojë si duhet në një vend të caktuar sipas pikëpamjes së shkencave humane dhe religjioze, medoemos duhet të plotësohen pesë domosdoshmëri.

1. Sigurimi dhe mbrojtja e bindjes/besimit, lirisë së të shprehurit lirshëm dhe manifestimit të bindjes (Faith and Consciousness).

2. Sigurimi dhe mbrojtja e jetës (Life).

3. Sigurimi dhe mbrojtja e gjenezës/familjes, dinjitetit dhe vlerave universale familjare (Lineage/Family and Dignity).

4. Sigurimi dhe mbrojtja e mendjes/intelektit dhe arsyes njerëzore (Intellect, Mind and Human Brain).

5. Sigurimi dhe mbrojtja e pasurisë dhe pronës, private apo publike. (Wealth and Property).

Pa dyshim të gjitha religjionet botërore, si hinduizmi, budizmi, sikhizmi, hebraizmi, krishterimi e në veçanti islami, synojnë të sigurojnë dhe mbrojnë këto parime pasi që jeta funksionale në një shoqëri varet nga funksionalizimi i këtyre parimeve. Po ashtu, edhe studiuesit e shkencave humane, si psikologët, sociologët, antropologët etj. pajtohen se këto të drejta elementare të çdo individi dhe pjesëtari të një shoqërie duhet të plotësohen ashtu që ajo shoqëri të meritojë të quhet e lirë dhe funksionale. Edhe pse të gjitha këto të drejta, por edhe më tepër, janë të garantuara në një mënyrë apo tjetër me Kushtetutë apo ligje përkatëse të vendit tonë, megjithatë, realiteti praktik në vend na flet ndryshe nga ajo që shkruajnë ligjet dhe kushtetuta.

Së pari, sa i përket mbrojtjes së bindjes/besimit, shprehjes së lirë dhe manifestimit të bindjes/besimit, vendi ynë mbanë rekordin në rajon për diskriminim dhe njëanshmëri mbi baza të fesë dhe besimit, veçanërisht kur vjen në shprehje manifestimi i bindjes/besimit. Sa për ilustrim, të bartësh një fes të zi në kokë të ilustruar me një kryq të balancuar nga të katër anët jo vetëm që je i mbrojtur, por je edhe i privilegjuar, jo vetëm me ligje e Kushtetutë, por edhe me Pako e Konventa Ndërkombëtare, madje edhe me zona ekstra-territoriale, paga të dyfishta, lëndë fetare, privilegje diplomatike e shumë të tjera. Ndërsa, në shoqëri mjafton të shprehësh identitetin me një “zdravo apo dobar dan” dhe atë në vend të selamit e merabasë do të ngritën të gjithë në këmbë e të presin edhe me qilim të kuq po qe nevoja.

Madje, as mjekra deri në gjunjë, po deshe, e as mbulesa e tërë në të zezë nuk mund të ta ulë respektin e dinjitetin, madje edhe kur thyen dhe plaçkitë kishat tuaja. Ngjashëm më këtë, por me më pak privilegje, do të trajtohesh edhe nëse bartë kësulë të kuqe me rëndësi, të bartësh një simbol që të bënë ndryshe nga shumica. Ndërsa, nga ana tjetër, mjaftojnë dy qime në mjekër dhe një qeleshe e bardhë, e ngjashme me plisin, që të identifikohesh me lloje të ndryshme të etiketimeve që nga spiun, i shitur, e deri në terrorist ndërkombëtar. Ndërsa, të vendosësh mbulesë/shami të bardhë nuk vjen në shprehje, se lërë që të largojnë nga shkolla e puna, por madje të përzënë edhe nga familja e farefisi.

Pra, ky është realiteti i pavarësisë, së fituar me gjak, madje edhe pas pesë vitesh. Minority Dictatorship (diktatura minoritare) jo vetëm që po sundon klasën politike, por ajo po reflekton edhe më keq në shoqërinë civile dhe po mbjellë gjuhë të urrejtjes ndaj pjesës shumicë që lanë “ashtë e rrashtë” për të ndërtuar një shtet multietnik, ku prapë e pëson shumica sikur të jetë mallkuar nga fati historik.

Së dyti, jeta është e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë dhe ligje. Por, po që se kalon “urën e shenjtë” në veri të vendit, të privilegjuarit ta tregojnë qejfin, si dhe të tregojnë se çfarë ligjesh dhe kushtetute vlen atje. Ndaj, për qytetarët tanë matanë urës kushtetutshmëria dhe legjislacioni janë “ink-on-the paper” (ngjyrë në letër) që nga viti 1999. Mu për këtë, pavarësia për ta është një pamje festive që mund ta shohin, kur kanë rrymë, në televizion po që se posedojnë, dhe është një çast me rrezikshmëri të madhe pasi që ata jo vetëm që janë nën rrezikun e plumbave të qëllimshëm, por shpesh bien edhe viktimë e plumbave qorr të shkrepur në çdo orë e çast nga bashkëqytetarët e tyre të privilegjuar.

Madje, të jetosh do të thotë t’i japësh jetës kuptim, ndërsa për 44.9 për qind të Kosovës që nuk gjejnë dot as kafshatën e bukës dhe detyrohen të shitën si punëtorë krahu, madje edhe gjatë Ditës së Pavarësisë, natyrisht se jeta nuk ka kuptim. Për më tepër, jeta nuk ka kuptim as për një afro 10 për qind e milionerëve në kurriz të popullit, të cilët dhe të cilat janë në gjendje të harxhojnë mijëra euro për një, fjala vjen, 8 Mars.

Se treti, mbrojtja e gjenezës/familjes, dinjitetit dhe vlerave familjare universale është e drejtë themelore e shoqërisë njerëzore që nga njeriu i parë. Në këtë pikë falë qeleshe-bardhëve e pse jo edhe plis-bardhëve qëndrojmë paksa më mirë. Megjithatë, në Kosovën tonë, pesë vite të pavarur, të fituar me gjakun e plis-bardhëve dhe bijve e bijave të plis-bardhëve, ndodhi q
ë vlerat njerëzore dhe familjare të shkelen e dhunohen deri në atë masë saqë deri në BE të arrijë zëri i kritikës së ashpër kundër një reagimi në efekt të disa të rinjve, vetëm se ishin kundër çoroditjeve njerëzore anti-familjare që sorollateshin pikërisht në kryeqytetin tonë, plotë plagë e brenga, kinse në emër të të drejtave të njeriut duke synuar të promovojnë amoral, anti-vlera, shpërfillje të familjes dhe devijim seksual.

Së katërti, mendja/intelekti dhe arsyeja njerëzore janë gjërat më të rëndësishme që na i ka dhuruar Zoti dhe si të tilla ato jo vetëm që duhet të mbrohen, por edhe duhet të shfrytëzohen pozitivisht dhe maksimalisht. Megjithatë, në vendin tonë jo vetëm që dështoi programi “Brain Gain” (kthimi i trurit), por “washing brain & expel brain” (shpëlarje dhe dëbim truri) janë dy strategjitë që më së shumti po ndiqen. Nëse në menaxhimin global të burimeve njerëzore strategjia më e suksesshme dhe më profitabile për kombet dhe shtetet është “personi i duhur në vendin e duhur” (the right person in the right place) në Kosovë ndiqet e kundërta, “personi i afërt/besueshëm në vendin e duhur”. Prandaj, më së paku që ka rëndësi, aktualisht, në këtë vend është truri.

Së fundi, pasuria dhe prona janë të shenjta dhe si të tilla duhet të mbrohen. Religjionet në përgjithësi dhe islami në veçanti ka vendosur rregulla të shumta për të mbrojtur pasurinë e njeriut duke i tërhequr vërejtjen personit që pranon të shfrytëzojë pa të drejtë pasuritë e tjetrit, qoftë ai individ apo shoqëri, për dënim të dhimbshëm në botën e amshueshme. Zoti i gjithëfuqishëm e ka bërë të detyrueshme që të mbështeten nevojtarët dhe se udhëheqësit janë përgjegjës para Zotit për secilin njeri nën udhëheqjen/menaxhimin e tyre. Ndaj, mu për këtë sistemi i ekonomisë islame sfidoi botën gjatë krizës globale me ligjet dhe sistemin unik që rregullonte tregtinë dhe transaksionet në mes të njerëzve, si dhe me profitin që kishin bërë shtetet që përdornin këtë sistem e që nuk ishin afektuar nga kriza globale në pjesën tjetër të botës. Ky sistem, i njohur ndryshe si bankimi islam, i cili po zë vend mjaft thekshëm në Evropë pas krizës globale, është sendërtuar në atë mënyrë saqë është në gjendje të sigurojë një drejtësi ekonomike dhe zhvillimore, duke parandaluar shtypjen, mashtrimet, ngatërresat dhe padrejtësitë. A thua vallë deri kur do të këndellemi e ta kuptojmë se pasuria e vendit tonë është pasuri e të gjithëve e jo vetëm e një grupi të caktuar njerëzish.

Duke pasur parasysh se pesë domosdoshmëritë e lartpërmendura janë të shtrenjta dhe të shenjta, do të dëshiroja ta përmbyll këtë artikull me një këshillë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, deri sa ata ta ndryshojnë veten e tyre” – Kuran, R’ad -11.

Dhe një shpresë: “Kuptimi i vërtetë i jetës është të mbjellësh pemë, nën hijen e të cilave nuk prisni të uleni vetë”- Nelson Henderson (gjersa po ikte nga Irlanda për në Kanada për shkak të urisë së përgjithshme të atëhershme në vend).

Driton Morina

Artikulli paraprakOpozita siriane tërhiqet nga bisedimet ndërkombëtare "për turpin e mosveprimit"
Artikulli vijuesSfidat e jetimëve në Shqipëri