5593 Fletëparaqitje për dëmtuesit e pyjeve

Pavarësisht masave që po ndërmerren për mbrojtjen e pyjeve, prerja ilegale në to vazhdon të mbetet ende shqetësuese. Por, dëmtuesit e tyre gjatë vitit që lamë pas, nuk kanë mbetur pa u adresuar tek autoritetet përgjegjëse nga rojet dhe inspektorati pyjor.

Për dëmtimin e masës drusore prej rreth 14 mijë metër kub dru, janë shqiptuar 5593 fletëparaqitje, ku 600 prej tyre kanë qenë të ngritura nga inspektorati i Agjencionit Pyjor të Kosovës, në të cilat përfshihen edhe fletëparaqitje që kanë të bëjnë me zyrtarë komunalë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Adil Behramaj, thotë se gjatë vitit të kaluar ka pasur progres të konsiderueshëm në sektorin e pyjeve, pasi që sipas tij për mbrojtjen e pyjeve tashmë 219 roje të pyjeve janë duke u armatosur edhe me pushkë të gjata dhe ka fuqizim të strukturave që çdo ditë janë në ndjekje të prerësve ilegalë.

“Ka progres të konsiderueshëm në sektorin e pyjeve, por ky progres vazhdon të jetë nën hijen e dukurisë së prerjeve ilegale, e cila mbetet ende në përmasa shqetësuese. Mbrojtja e pyjeve, jepja e lejeve për prerje dhe tenderimi janë kompetencë e komunave dhe gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar 5593 fletëparaqitje për dëmtimin e masës drusore prej rreth 14 mijë metër kub dru. Por, shqyrtimi i këtyre lëndëve nga gjykatat, edhe pse ka pasur përmirësim krahasuar me vitet e kaluara, ai përsëri vazhdon të jetë i ngadaltë dhe zgjatë me nga 2-3 vite. Gjithashtu, edhe dënimet e shqiptuara janë shumë të vogla dhe për të parandaluar këtë dukuri, ato duhet të jenë më të mëdha dhe jo të dënohen me nga 100 euro nga gjykata, ata që kapen me masë drusore deri në 1000 euro, derisa me ligj mund t’ju shqiptohen dënime deri në 10 mijë euro”, thotë Behramaj.

Sipas tij, autoritetet komunale, që mbrojtja e pyjeve si përgjegjësi ju është deleguar që nga viti 2010, në vitin 2013 kanë arritur të konfiskojnë 3783.88 metër kub masë drusore.

Në krahasim me vitin 2012, ku për dëmtimin e masës drusore prej rreth 24 mijë metër kub dru, janë shqiptuar 7589 fletëparaqitje, del se në vitin 2013, dëmtimi i masës drusore ka qenë dukshëm më i vogël.Kosovapress.

Artikulli paraprakAmbasada gjermane: S’ka vendim për zgjedhje, pa reformë zgjedhore
Artikulli vijuesRasti i mesuesit që vrau drejtorin e arsimit Remzi Salihu, kthehet në rigjykim