Kosova përfiton edhe 60 milionë dollarë nga Arabia Saudite për autostradën Prishtinë-Mitrovicë

Ministri i Financave (MF), Besim Beqaj, ka nënshkruar sot marrëveshje me zyrtarë të Fondit për Zhvillim të Arabisë Saudite, për financimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

 

Ministri i Financave (MF) Besim Beqaj, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me zëvendëspresidentin e Fondit për Zhvillim të Mbretërisë Saudite, Mohammed A. Al-Jenaidel për zgjerimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë.
Ministri besim Beqaj tha se është i inkurajuar nga bashkëpunimi me Arabinë Saudite, pasi me këtë projekt po shënohet edhe fillimi i marrëdhënieve konkrete duke e nënshkruar marrëveshjen, siç e quajtën, të rëndësishëm për vendin.
“Ky është projekti i parë që pason me shumë projekte tjera për zhvillim të cilat janë në fushën e shëndetësisë dhe fusha tjera. Pra sot e kemi hapur një derë të re të bashkëpunimit dhe do të jemi të hapur që bashkëpunimi ynë të vazhdoj edhe me institucionet financiare ndërkombëtare qofshin nga vendet e perëndimit qoftë edhe nga vendet e lindjes që së bashku të zhvillojmë një ekonomi për Republikën e Kosovës”, tha Beqaj.

 

Kurse, zëvendëspresidenti Al-Jenaidel, tha se projekti që po e financon institucioni që ai e përfaqëson, ka një rëndësi të veçantë për komunikacionin rrugor në Kosovë, duke e quajtur këtë magjistrale si arterien kryesore të trafikut në vend.

 

“Jam i kënaqur që vizita ime e parë në Kosovë, shënon fillimin e bashkëpunimit duke u bashkuar ju në këtë ngjarje të rëndësishme për të nënshkruar marrëveshjen e parë për bashkëpunim për të rregulluar rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë. Ky projekt i rëndësishëm synon lidhjen e kryeqytetit të Kosovës me qytetin e Vushtrrisë dhe Mitrovicës dhe ndërtimit dhe rehabilitimit të rrugës së dytë kryesore dhe shndërrimin nga një rrugë njëkahëshe në secilën anë në një rrugë dykahëshe me shpejtësi të lartë”, tha ai.

 

Ndërkohë, projekti i cili pritet të kushtojë rreth 60 milionë dollarë të financuara nga Fondi për Zhvillim i Arabisë Saudite, pritet të filloj në vitin 2014 dhe të përfundoj pas 3 ose 4 vjetësh.

/kohaislame

Artikulli paraprakSkandal në kishën greke: Prifti vishet si nuse
Artikulli vijuesKoha e rilindjes kombëtare shqiptare në Turqi