Koalicioni PDK-AAK varet nga Haga

Në taborët e dy partive politike, PDK dhe AAK, thonë se tensionet e dikurshme mes Thaçit e Haradinajt janë zbutur dhe “ashtu qysh po shkojnë punët”, koalicioni duket i pashmangshëm. “Është e dukshme që relacionet janë shumë më të relaksuara”, por kjo nuk do të thotë që do të kthehet automatikisht në një koalicion, thotë Vlora Çitaku.

Në PDK thonë se koalicioni me AKR-po po bëhet i pamenaxhueshëm. Koalicioni pritet të lidhet në shtator, kur çështje “të nxehta” janë në agjendë. Por shumëçka varet nga vendimi i Hagës për Haradinajn.

Koalicioni i mundshëm ndërmjet partisë së kryeministrit aktual Hashim Thaçi, PDK, dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, varet nga vendimi që Haga do të japë në rastin “Haradinaj dhe të tjerët”.

Nëse nga Haga vjen vendimi që ish-komandanti i zonës operative të Dukagjinit është i pafajshëm, atëherë muaji shtator do të krijojë mundësinë, që dy nga ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ulen së bashku dhe të merren vesh për bashkëqeverisje.

Ajo që tashmë është e qartë nga të dyja taborët është se armiqësia e vjetër tashmë është zbutur dhe tensionet më nuk ekzistojnë mes dy krerëve të dalë nga UÇK-ja.

Si në PDK, ashtu dhe në AAK, thonë se më nuk ekziston tension mes dy krerëve Thaçi dhe Haradinaj. Zyrtarë të ndryshëm nga këto parti ia kanë thënë Gazetës “Jeta në Kosovë” se “ashtu qysh po shkojnë punët”, koalicioni PDK – AAK duket i pashmangshëm.

Natyrisht, shumëçka varet edhe prej asaj se si do të merren vesh palët për udhëheqje, por një gjë është e sigurt, Hashim Thaçi nuk planifikon të tërhiqet nga ky mandat si kryeministër, por nuk ka interesim të mbetet kryeministër në mandatin e ardhshëm.

Në anën tjetër PDK-ja, e pakënaqur me AKR-në, po vuan për një parti stabile për të bashkëqeverisur me të.

Sipas këtyre zyrtarëve që i ka kontaktuar gazeta, AAK-ja mund të hyjë në koalicion me PDK-në në këtë mandat, me marrëveshjen që nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Qeverinë do ta udhëheqë Ramush Haradinaj, ndërsa kryeministri aktual Hashim Thaçi nuk do ta vazhdojë mandatin e tretë, por do t’i kthehet partisë si lider i saj.

Jozyrtarisht, një bashkëpunëtor i afërt me Hashim Thaçin i tha Gazetës JnK se koalicioni me AKR-po dhe partitë e tjera që iu bashkuan Pacollit, po bëhet secilën ditë e më vështirë i menaxhueshëm. “Ne s’e dimë kë duhet ta thërrasim në AKR kur duhet të merremi vesh për diçka. Të gjithë janë kokë në vete, sepse aty janë edhe Agim Çeku dhe partia e tij PSD, Ferid Agani me PD-në, dhe Muhamet Mustafa me E15… E me Ramushin, nuk ka dilemë që ai e ka në dorë partinë e vet”.

Por, Vlora Çitaku nga PDK-ja, aktualisht ministre për Integrim, thotë deklarimet për një koalicion të mundshëm me AAK-në janë ende në nivel të spekulimeve dhe se nuk ka pasur takime zyrtare për këto tema.

“Megjithatë është e dukshme që relacionet mes kreut të PDK-së (Hashim Thaçi) dhe kreut të AAK-së (Ramush Haradinaj) janë shumë më të relaksuara, sesa kanë qenë më herët. Por, nuk do të thotë që ky relaksim, përmirësim i raporteve, mund të kthehet automatikisht në një koalicion, apo formulë të re qeveritare qeverisëse. Diçka e tillë nuk është në agjendën e kryeministrit dhe PDK-së”, i ka thënë Çitaku, Gazetës JnK.

Edhe kjo deklaratë është indikative duke e ditur se në të kaluarën e afërt, këta dy liderë dhe përkrahësit e tyre, ishin ashpërsuar shumë me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer akuza e kërcënime të ashpra, edhe publike.

Marrëdhëniet ishin keqësuar sidomos kur Haradinaj hyri në koalicion me LDK-në, në kohën e Rugovës, duke e lënë PDK-në në opozitë. Më vonë, partia e Haradinajt e akuzonte qeverinë e Thaçit se udhëhiqet nga SHIK-u.

Këto akuza duket se tashmë janë harruar. Mirëpo, publikisht, udhëheqësit e PDK-së ende nuk po jepen. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, njëherësh sekretar i Përgjithshëm i PDK-së i ka quajtur spekulime paralajmërimet për një koalicion “të krahut të luftës”.

“Për mua këto janë spekulime dhe mashtrime, mashtrime primitive në një ambient që mashtrohet tepër lehtë, që nga mashtruesi nuk kërkon ndonjë modifikim për të qenë”, ka deklaruar ai.

Posti i kryeparlamentarit, të cilin e mban aktualisht Krasniqi, është përfolur t’i jepet AAK-së.

Edhe AAK-ja, zyrtarisht e mohon se ka diçka konkrete rreth ndonjë koalicioni PDK-AAK. Ahmet Isufi, nënkryetar i kësaj partie, thotë se për AAK-në zgjidhja më e mirë është qeveria të jetë me kryeministër Ramush Haradinaj.

“AAK nuk hynë pa Ramushin, sepse kjo mundet me na dëmtu si parti. Ky qëndrim është edhe tash. Ne hyjmë (vetëm) me Ramushin kryeministër’, ka thënë Ahmeti.

Por, Isufi i lidh zhvillimet politike në vend me ato që mund t’i paraprijnë një ndryshimi eventual në qeverisje në të ardhmen.

“Nuk ka takime zyrtare, nuk ka marrëveshje. Dy elemente që kërkojnë ndryshime në koalicion është që Qeveria është në degradim. Në shtator priten ndryshime në përmbylljen e pavarësisë, Haga merr vendim për Ramushin dhe duhet me u ba ndryshime kushtetuese. Kjo kërkon një stabilitet politik në Kosovë”, thotë Isufi.

Disa analistë politikë parashohin se AAK-ja në çdo variant do të jetë në qeverinë e ardhshme. Kjo mund të ndodhë edhe para dhe pas zgjedhjeve, shkruan Gazeta “JnK”.kohaislame

Artikulli paraprakSi do të jenë shkollat në vitin 2020?
Artikulli vijuesVazhdon kontrabanda në veri