Na lini të qetë !
Nuk kalon ditë e Zotit e ne të mos sulmohemi e të mos na pickojnë për shkak të identitetit që kemi.
I kthehet një i ri fesë së tij e kupton realitetin e kësaj bote në frymën e besimit islam, fillon të falë namazin dhe në fytyrën e tij të njomë dalin dy-tri qime, pa hezitim fillojnë sulmet me lloj-lloj etiketimesh nga ata që kurrë nuk e vizitojnë xhaminë, në emër të mbrojtjes së islamit “tradicional” ata e quajnë rioshin “i prapambetur”, “ekstremist” apo jo rrallë edhe “terrorist” duke luajtur rolin e prokurorit në akuzimin e njerëzve.
Një e re që zbuloi lumturinë e saj te islami vendos për hir të Zotit të saj të mbulojë trupin e saj dhe ende pa dalë 100 metra larg shtëpisë e gjuajnë me të kaluarën e saj, përhapin shpejtë lajmet sesi ajo në të kaluarën ishte “një kurvë” ,”një vajzë e rrugëve”,”s’ka lënë gjë të zezë pa bë” etj., e maltretojnë psiqikisht e jo rrallë edhe fizikisht vetëm pse ajo praktikon një rregull të fesë së saj.
Pendimi është dera që e përdor një mjekërrbardhë për t’iu afruar Zotit të Tij por njerëzit e lagjes e të punës nuk e lënë dot të qetë, në rrugë flasin për të se si ishte “pijanec” ,”vraponte pas kurvave”, apo se “ishte bixhozxhiu më i madh i lagjes” e tash “kishe po falna”.
Edhepse si muslimanë përfaqësojmë komunitetin më të madh fetar në Kosovë neve nuk na lënë të qetë në asnjë moment të jetës.
Afrohet muaji më i dashur pēr muslimanët, dhe mediat tona pa hezitim tregojnë mëshirë për në, na tregojnë se këtë vit do të jetë Ramazani më i nxehtë në 50 vitet e fundit. Kur hyn Ramazani na i pasurojnë televizionet tona me përmbajtje 18+ dhe me pak kozmetikë na shfaqin në televizone emisione gjysëmorëshe ku dalin njerëz për të treguar se “islami është paqe”, “se islami është kundër dhunës” e fjali të tjera moralizuese të cilat tashmë publiku i ka mësuar përmendësh nga përsëritja e tepruar. Dhe për fund vie Bajrami në të cilin janë shumë të angazhuar të na lajmërojnë se “bota islame është ndarë në dysh se kur do të jetë dita e Bjaramit”. “Programin festiv të kësaj dite madhështore e zbukurojnë me lajmet e tipit “një sulmues xhihadist ka vrarë 200 veta në Irak”, “besimtarët shiitë kanë sulmuar një xhami sunite në Siri ku kanë mbetur të vrarë të paktën 100 persona në ditën e Bajramit” e të ngjashme. Dhe në orët e fundit të kësaj dite lëshojnë muzikë argëtuese për nder të kësaj feste të tilla si “të lagu me shampanjë”, “zogu ma i mirë prej krejtve” apo “ti je ma e mira” etj.
Kalojnë këto ditë në mjegull në ekranet televizive e të ndriçuara në zemrat e besimtarëve dhe dalëngadalë afrohet koha e haxhit. Tashmë mediat solidarizohen me ata që do shkojnë në vizitën e vendeve të shenjta dhe tregojnë mëshirë për ta duke u treguar se “sivjet janë planifikuar 6 sulme terroriste gjatë pelegrinazhit në Mekkë”, se “një sëmundje epidemike është përhapur në Gadishullin Arabik” dhe për të mirën e haxhinjëve tanë i këshillojnë të mos i vizitojnë këto vende”.
Troket në derë Kurban Bajrami dhe për çudi çdo vit kafshët sëmuren para Bajramit për t’u shëruar më pas. Dele e qingja të ngordhur pushtojne ekranet televizive pak ditë para Bajramit pikërisht për t’u treguar njerëzve se sëmundja është shumë serioze që të mos habiten e të blejnë kurbane. Lajmet përhapen e marrin dhenë por prapë Ditën e Bajramit prehen qindra mijëra dele e kafshë tjera.
Jashtë festave, mediat janë të angazhuara të na tregojne se si “islami politik” po e pushton çdo ditë e më shumë botën, se njerëzimi është i kërcënuar nga terrorizmi islamik por jo edhe nga terrorizimi mediatik, ato përpiqen ta moderojnë islamin tonë duke na thënë se ne duhet të praktikojmë “islamin tradicional por pa namaz”, të praktikojmë “islamin sekularist”, sesi mund të jemi konzervatorë por duhet të përkrahim LGBTI, sesi ta reformojmë fenë tonë duke hequr dorë nga parimet bazë të fesë sonë etj.
I dashur popull i Kosovës, ju që e ndieni veten të rrezikuar nga ne, ju që jeni rritur bashkë me ne në këto troje e që nuk e ndieni veten muslimanë (edhe ju që e ndieni veten muslimanë por i frikësoheni këtij identiteti), ju betohem që kurrë nuk do të keni problem nga ne përderisa ne të praktikojmë besimin tonë sipas rregullave e principeve të tij. Kam një lutje për ju nëse vërtetë na e doni të mirën ashtu siç i keni gojët plot kur flisni për ne:
“Aman na lini të qetë!”
Liridon B. Kurti