Allahu ia solli Shpalljen Pejgamberit në shumë forma:
E para: Ëndrrat e sakta. Ato ishin edhe fillimet e Shpalljes. Sa herë që shikonte ëndërr, i dilte si agimi i mëngjesit. .
E dyta: Shpallja që ia sillte engjëlli në zemrën e tij, pa e parë vetë engjëllin, sikurse ka thënë Profeti: “Me të vërtetë, Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) më shpalli në zemër se s`ka për të vdekur askush derisa ta plotësojë riskun që i është caktuar. Kini frikë Allahun dhe tregoni maturi në kërkimin e riskut. Mos t`u nxisë vonimi i riskut që ta kërkoni me kundërshtim të Allahut, sepse ajo që është tek Allahu arrihet veçse me bindje ndaj Tij (d.m.th: përmes rrugëve të ligjshme).”
E treta: Meleku i Shpalljes i vinte në formën e një burri, i fliste dhe ai e kuptonte. Në këtë mënyrë, ndonjëherë e shikonin edhe sahabët.
E katërta: Në formën e tingujve të ziles. Pra, zërin e melekut, kur i sillte shpalljen, e dëgjonte si tingujt e ziles. Kjo ishte forma më e rëndë për Pejgamberin (s.a.u.s.). Meleku e zaptonte deri në atë masë sa që i rridhte balli djersë, qofshin edhe ditë tepër të ftohta. Ndonjëherë deveja në të cilën kishte hipur, ulej në tokë e s`ngrihej dot. Njëherë, kur Shpallja i erdhi në këtë mënyrë, ai e kishte mbështetur këmbën e tij mbi këmbën e Zejd Ibn Thabitit. Zejdit iu rëndua këmba, derisa për pak sa s’iu shtyp.
E pesta: Duke e parë Melekun në formën e tij të vërtetë, i cili, në këtë gjendje, i shpallte atë që dëshironte Allahu. Kjo ka ndodhur dy herë, sikurse thuhet në ajetet 7-13 të sures Nexhm.
E gjashta: Shpallja sipër qiejve, që ndodhi natën e Miraxhit, kur Allahu ndër të tjera i shpalli edhe obligimin e faljes së pesë namazeve.
E shtata: Duke i folur Allahu drejtpërdrejt, pa ndërmjetësimin e engjëllit, sikurse ndodhi me Musain, të birin e Imranit. Kjo lloj mënyre është e vërtetuar në mënyrë të padiskutueshme për Musain me argument të qartë nga Kurani. Kurse për Profetin tonë, atë e vërteton hadithi i Israsë.
Disa kanë shtuar edhe një mënyrë të tetë: Duke i folur Allahu drejtpërdrejt, pa perde. Këtë e thonë ata që mendojnë se Profeti e ka parë Zotin e Madhëruar. Kjo është një çështje e diskutueshme mes dijetarëve të hershëm dhe të mëvonshëm, edhe pse shumica e sahabëve, për të mos thënë të gjithë, janë me mendimin e Aishes. Othman Ibn Seid el Darimi vërteton unaminitetin e sahabëve për këtë çështje. [Ibnul kajim ne Zad el mead]