Një numërues turpi në Barcelonë: llogarit të mbyturit refugjatë në Mesdhe

“Nuk është veç një numër, këta janë njerëz.” Kështu shkruhet në numëruesin e inauguruar dje në qytetin e Barcelonës, pranë një prej plazheve të populluara.

Zbulimin e numëruesit do ta bënte vetë kryebashkiakja e qytetit të njohur, Ada Colau, e cila do të thoshte gjatë ceremonisë, “Po inaugurojmë këtë numërues turpi, i cili do t’i përditësojë në kohë reale të gjitha viktimat e ditura që janë mbytur në Mesdhe.”

Numëruesi ka për qëllim t’i bëjë të ndjeshëm njerëzit për dramat e refugjatëve dhe emigrantëve, e do të japë numrin e refugjatëve që lënë jetën në Mesdhe.

Numërimi ka nisur me shifrën 3.034, që tregon numrin e refugjatëve dhe emigrantëve të mbytur gjatë këtij viti në përpjekje për të vajtur në Europë nëpërmjet Detit Mesdhe.

“Jemi këtu për ta parë Mesdheun përballë dhe për të hedhur sytë në këtë numër: 3.034 njerëz që u mbytën sepse atyre nuk iu mundësua një kalim i sigurt,” ka thënë kryebashkiakja e Barcelonës.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin bën me dije se numri i viktimave këtë vit është më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakBerat Buzhala dhe belaja me Turqinë; si duhet përdorur liria e shprehjes?
Artikulli vijuesANALIZA/ Puçi ushtarak në Turqi dhe arsyet e tij