Imamët shqiptarë dënojnë ashpër rekrutimin e të rinjve nga IS-i

Rasti i zhdukjes së dy të miturve shqiptarë nga Winterthuri dhe i dyshimit se ata mund t’u jenë bashkuar ISIS-it në Siri ka shqetësuar këto ditë shqiptarët dhe gjithë opinionin zviceran. Lidhur me këtë rast, ka dalë me një deklaratë edhe Unioni i Imamëve Shqiptarë të Zvicrës.
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër përmes medieve ka marrë lajmin për rastin e vëllait dhe motrës shqiptare nga Winterthuri, të cilët supozohet se u janë bashkëngjitur radhëve të organizatës terroriste të IS-së.

“Bashkësia islame shqiptare me keqardhje merr lajmin për mashtrimin dhe rekrutimin e të rinjve të shtetit ku jetojmë nga ana e organizatave të këtilla ekstremiste. Pikërisht për këtë arsye, ne nuk duam dhe nuk mund të heshtim. Ne, në mënyrën më të ashpër e gjykojmë këtë akt dhe njëkohësisht distancohemi qartë nga ideologjitë e këtilla çnjerëzore”, thuhet në deklaratë.

Më tutje UISHZ u bën apel familjareve dhe mësuesve që për të gjitha rastet e ngjashme të njoftojnë autoritetet shtetërore.

“Ne i ftojmë si prindërit ashtu edhe mësuesit që në raste të dyshimit menjëherë t’u drejtohen personave kompetentë si dhe organeve shtetërore. Jemi të vetëdijshëm se lufta kundër ideologjive mizantropie dhe ithtarëve të tyre nuk mund dhe nuk guxon t’i delegohet vetëm shtetit. Kjo është detyrë e gjithë shoqërisë – secili duhet ta kryejë pjesën e vet të përgjegjësisë.

Edhe ne e marrim me gjithë seriozitetin e duhur pjesën tonë të përgjegjësisë dhe zotohemi se edhe më tutje do ta kryejmë punën tonë preventive dhe sqaruese në mjediset ku veprojmë, siç kemi vepruar deri më tani. Në rast se ndeshemi me raste të dyshimta të këtij lloji, ne do t’i njoftojmë autoritetet e shtetit. Familjes së dy të miturve u dëshirojmë në këtë rast të rëndë e tragjik shumë durim e forcë. E lusim Zotin që ata të kthehen shëndosh e mirë te familja e tyre!”, përfundon deklarata e Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës. /albinfo.ch/

Artikulli paraprakThaçi relativizon ikjen e qytetarëve, thotë se iu ka ndodhur edhe vendeve tjera
Artikulli vijuesHolandë: Më shumë se 1/3 nga 475 xhami kanë qenë cak i sulmeve vandale