Qeveria e Kosovës kishte përgatitur një projektligj për përgjimet, përmes të cilit organeve të rendit u mundësohej që të përgjonin secilin qytetarë pa pasur nevojë për urdhër gjykate. Por Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, e ka kthyer mbrapsht këtë projektligj, duke e cilësuar si diskriminues.
Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, ka refuzuar projektligjin për përgjimin e komunikimeve elektronike. Projektligji është kthyer përsëri në Qeverinë e Kosovës.
Projektligji për përgjimin e bisedave elektronike i është kthyer përsëri Qeverisë së Kosovës për rishqyrtim.
Kjo pasi Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të martën ka refuzuar këtë projektligj.
Këtë e ka bërë të ditur anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Ilir Deda në një njoftim në Facebook.
“Sapo e përfunduam mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës ku unanimisht e refuzuam projekt-ligjin për përgjimin e komunikimeve elektronike, dhe vendosëm që të e kthejmë mbrapa në Qeveri. S’ka totalitarizëm!”, ka shkruar Deda.
Ndryshe ky Projektligj ishte kritikuar edhe nga njohës të çështjeve të sigurisë në Kosovë, të cilët i bëjnë thirrje ligjvënësve kosovarë që mos ta aprovojnë projektligjin si të tillë.