Austri: Anti-PEGIDA pengon mbajtjen e protestave të radikalëve të djathtë në Linz

 Një grup prej rreth 3.500 personash ka penguar mbajtjen e protestave të përkrahësve të Lëvizjes radikale të djathtë PEGIDA në Linz të Austrisë, raporton Anadolu Agency (AA).

 

Grupet anti-PEGIDA të dielën morën pjesë në protesta “Linz kundër PEGIDA-s” ku mbanin parulla me mbishkrime “PEGIDA nuk ka as edhe një metër vend”, “Në Linz nuk ka vend për diskriminim”, “Jo, PEGIDA-s”, “Mirësevini muslimanë dhe emigrantë” duke brohoritur slogane “Diskriminuesit jashtë” dhe “Jo, diskriminimit”.

 

Në anën tjetër, rreth 200 përkrahës të PEGIDA-s janë mbledhur në stacionin hekurudhor në Linz duke mbajtur flamujt austriak dhe parulla ku shkruante “Ndaloni islamizimin e Evropës”. Forcat e sigurisë i kanë rrethuar përkrahësit e PEGIDA-s kur kundërshtarët e saj bllokuan trafikun. Në disa raste këto dy grupe kanë pasur përplasje verbale, ndërsa janë gjuajtur edhe me topa bore. 

 

Përkrahësit e PEGIDA-s pas një orë hoqën dorë nga protesta dhe u tërhoqën nën shoqërimin e forcave të policisë. Pasi përkrahësit e PEGIDA-s paralajmëruan se do të mbajnë përsëri protesta në Linz, grupe që quhen anti-PEGIDA bënë të ditur se nuk do ti lejojnë atë. 

 

PEGIDA ka filluar me protesta më 20 tetor në Dresden të Gjermanisë ku morën pjesë rreth 350 persona. Pas kësaj ajo ka arritur popullaritet me shfaqjet kundër islamit dhe emigrantëve. Në protestat e lëvizjes, të mbajtura më 12 janar, morën pjesë 25 mijë njerëz. Në vendet tjera, sipas modelit të PEGIDA-s janë themeluar lëvizjet të tilla si BAERGIDA në Berlin, KOEGIDA në Koln, BAGIDA në Munchen dhe LAGIDA në Leipzig.

Artikulli paraprakEgjipt: 22 të vdekur nga përplasjet mes tifozëve të një ekipi futbolli dhe policisë
Artikulli vijuesKryeministri irakian i kërkon ndihmë Gjermanisë për Shërbimin Informativ