Vdekja e Pamela Jahjes, vogëlushes 7- vjeçare, ka shokuar opinionin publik.
Ajo humbi jetën nga pneumonia, ndërsa jetonte në mjerim të plotë.
Babai i saj, Sadik Jahja, foli për News24.
Ai jeton në një kontejnier.
“Pamela ishte një nxënëse shumë e mirë. Kishte nisur klasën e parë,” tha ai mes lotëve.
“Kam kërkuar ndihmën e shtetit për banesë. I kam kërkuar ndihmë kryeministrit aktual,” tha Jahja, duke theksuar se është i përndjekur politik.
Shumëkush mund të thotë se shteti mban peshën e fajit për vdekjen e vogëlushes.
Por a ka shoqëria pjesën e saj?
Një reportazh i ABC News thekson se Pamela jetonte në fshatin Shullaz të Kurbinit.
Fshati është i mbushur me vila të bukura, vetëm familja e Pamelës jeton në barakë.
Ndoshta ishte e vetmja e pastrehë në Shullaz të Kurbinit, fshat me 2500 banorë, ku paratë nga emigracioni më së shumti reflektohen me avlli e mure të fortifikuara, apo në kate ndërtesash.
Pamela ishte në klasën e parë.
Moshatarët e saj mbase as e kanë ditur që 7- vjeçarja jetonte mes tyre, në mjerim.
Pak ditë para se të largohej nga kjo botë, fëmija u lut për një shtëpi.
Deri kur doli lajmi për vdekjen e saj nga pneumonia, të vetmit që iu bashkuan barakës së Pamelës ishte ndonjë gazetar.
Sot ka prej tyre që përloten.
Njëfarë pendimi a ngushëllimi ndaj vetes për atë që s’munden sa kohë ajo ishte gjallë./mapo.al