Rektori i USHT-së, Ameti e vizitoi Myftininë e Bashkësisë Fetare Islame në Tetovë

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, sot e vizitoi Myftininë e Bashkësisë Fetare Islame në Tetovë. Ai u prit në takim nga myftiu i ri i Myftinisë së Tetovës, Prof. dr. Qani Nesimi dhe me këtë rast rektori i shprehu urimet  e për zgjedhjen e tij në krye të Myftinisë së Tetovës.
 
“Ne drejtuesit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, në emër të stafit akademik dhe të studentëve, si dhe të gjithë atyre gjeneratave që kanë studiuar në Universitetin e Tetovës, i jemi mirënjohës Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, sidomos Myftinisë së Tetovës, për kontributin e dhënë  për sigurimin e hapësirave për mbajtjen e ligjëratave të para  të Universitetit të Tetovës. Ne të gjithë e dimë se atë kohë, në vitin 1995, edhe përkundër shtypjes dhe trysnisë që po ushtronte pushteti i atëhershëm, Myftinia e Tetovës i hapi dyert për të gjithë studentët e gjeneratës së parë të UT-së”, vlerësoi Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.
 
Ai, po ashtu shtoi se, deri më tani bashkëpunimi mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Myftinisë së Tetovës ka qenë mjaftë i shkëlqyer dhe i frytshëm, duke shtuar se USHT-ja edhe në të ardhmen do ta vazhdojë  bashkëpunimin me Myftininë e Tetovës.
 
Në këtë takim, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, myftiut të ri të Myftinisë së Tetovës, Prof. dr. Qani Nesimit i dhuroi një mirënjohje me logon e USHT-së. Kjo mirënjohje Myftinisë së Tetovës i jepet: “Në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë në ngritjen dhe zhvillimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe për përkushtimin ndaj arsimit, shkencës dhe kulturës kombëtare”. Në këtë takim, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti ishte i shoqëruar edhe nga Prorektori për Arsim, Prof. dr. Fehari Ramadani dhe Sekretari i përgjithshëm i universitetit, z. Adem Beadini./portalb
Artikulli paraprakEmrat fetar prijnë në Maqedoni
Artikulli vijuesBritania e Madhe e shqetësuar për politikën ruse dhe testimin e NATO-s në Baltik