Të gjitha falë, mas-debilizimin kurrë!

Ali PAJAZITI

Koha ecën, bashkë me të ndryshojmë edhe ne dhe realiteti ynë shumëpërmasor. Sot politika, kjo paradigmë filozofiko-jetike, me impaktin e vet po na trazon të gjithëve. Jemi të vetëdijshëm se politika e kohës sonë është politikë tejdiealiste, largplatoniste, se në të ka edhe njerëz që synojnë të mirën kolektive, moralistë, se në të imponohen, inkludohen, ndërfuten, tërhiqen, avancohen të prishur, se ka edhe të atillë që peshkojnë në ujëra të ndotur, se ka edhe të atillë që s’do t’ua kishit besuar as xhupin t’ua ruajë për një minut e jo më fatin e një pjese të kombit, por ama se tek ne do të dërrmohet kaq shumë kjo sferë e jetës dhe ky “art i të mundshmes”, kjo vegël e menaxhimit  të turmave dhe shoqërindërtimit, kurrën e kurrës nuk e kam besuar. Se do të vijë kohë kur tre herë do t’i fërkojmë sytë dhe nuk do t’u besojmë veshëve tanë asnjëherë s’më ka shkuar mendja. Kurrë s’kam besuar në thënien se “ai që vjen të çon ta kërkosh atë që ka shkuar.” Por ç’e do që punët qenkan ndryshe. Dikur kishim politikanë të gjeneruar nga ish sistemi, por ama me bagazh, jo vetëm ideologjik, por edhe intelektual, njerëz që ndoshta sensin kombëtar e kanë pasur të lënduar pak, por ama që dinin çka është kultura politike, që e dridhnin shtetin, që dinin të thonë “jo”, që dilnin në terren dhe që s’dinin çka janë shantazhet e kalibrit post-2000. Ishin politikanë që ndoshta nganjëherë manipulonin votat dhe bënin zikzake, por ama në mesin e tyre kishte edhe me troçkë nder por edhe të ndershëm vërtetësisht. Në fund të fundit klima kolektive s’ishte si kjo tash. E shpresëthyerjes. E deprimimit total nga prijatarët kuq-e-blu!

Sot, politikën na e bëjnë njerëzit që ta humbin vullnetin për qeniesim në këtë vend, që të bëjnë ftohin prej ekranit, prej youtube, gazetës, portalit. Sot shkallarja e vlerave është rrënuar tërësisht. S’ka më aksiologji shqiptare në RM. Vlerat na u bënë rrafsh me tokë. Te ne ka politikanë me zero fjalime në parlament a që rrogën e marrin pa u bërë tëk ndërgjegjja! Te ne libri universitar është futur nën dhëmbëzorët e kulturocidit, te ne nëpër universitete ka “veprimtarë” të efektit Jazhincë e Qafëthanë me bollëk, ka njerëz që janë profesoruar në moshë të shtyrë, vetëm te ne klasat e ulta mësojnë me studentët në të njëjtën godinë… Te ne absolveni i shkencave politike, pasi t’i ketë dhënë provimet mëson se është humbur dokumenti i akreditimit deh se duhet të presë për diplomën (kopja tjetër në ministri thua!)… Te ne studentes i jepet detyra të shënojë emrat e kolegëve të saj që marrin pjesë në protestat e Plenumit Studentor! Te ne doktorin-mjek e bëjnë zëdhënës. Te ne udhëheqësit politikë të institucioneve të qeverisjes lokale blejnë A6 zyrtare, ndërsa para vendit të punës gropat 60 cm s’i shohin, tamam për të mbjellur pisha siç kishin vepruar këtyre disa qytetarë në Viti të Kosovës për ta prekur sedrën e prijësve komunale për gjendjen faktike. Te ne urohen Real Madridi dhe ambasadorja gjermane-Mustafi kampion në kohën kur ndodhin protestat antiMonstër dhe Gjorçe Petrovi albanofobist. Vetëm te ne njerëzit humbin bukën ndërsa dy liderët politikë nuk dalin të thonë as shkronjën e parë të alfabetit, e jo më të bëjnë analiza, ekzaminime, studime, hulumtime (…), te ne vritet qyteti përmes kombinateve  industriale dhe s’thuhet gjë prej gjëje. Ecoguerilla, ç’është kjo mor? Che Guevara, a? Dorëheqje. Nga ju patëm juve zotrote? Te ne vetëm sheshi bëhet në të dytin kat, e në të s’ngjiten njerëz as sa për të mbushur një autobus urban dhe i thurren elozhe, e nga ana tjetër shteti-nacionali(st) dhe teokracist ndërton “Shën Elenën dhe Konstantinin” me 20 milione euro, në nj shtet laik. Te ne luani ad hoc, në mënyrë davidkoperfildiane bëhet ikonë kombëtare! Te ne shkatërrohet ekosistemi dhe mbijnë ndërtesa si këpurdhat në lagjen që në përkthim mban emrin “Kullotat” (Çair-Çayır). Te ne, në komunë shqiptare, semafori mbulohet nga gardhi i hekurt dhe duhet të thyesh qafën nja 30 cm për ta parë. Vetëm te ne edhe pozita flet si opozitë. Te ne partinë “opozitare” nga intelektualizmi xhaferist-elitar, që “paliativizonte” gazetarët e mendarët maqedonas, e kanë shndërruar në klan-parti. Te ne s’ka opozitë. Gjendje sui generis: pozita si opozitë, opozita pozitë! Vetëm te ne nuk dihet açëk se kush e firmosi “Shkupi 2014” që deshqiptarizoi arkitektonikisht e vizuelisht kryeqytetin! “Enciklopedia”, Çifligu (autobusët), Radusha, Nerezi, Kalaja, Monstra, Gjorçe Petrovi…. Gjithë i dinë përmendësh ama, gjithë poltronët thonë: “Shuj e mbylle, se s’i dimë ne këto gjëra mor burrë!” “Ka diçka që ne s’e rrokim. Durim…” “Ka diçka këtu…”  Këtu tek ne 7-‘akademikët’ përgjohen-survejohen edhe kur shkojnë te “Burimi” për peshk. Te ne, nëse je kritik me penën-tastierën tënde, të thuhet: “A të qëndron dikush pas?”

Te ne vritet ardhmëria, te ne ngado që të dalësh vëren një defetizëm kolektiv, sepse njerëzit i kemi vrarë me përzgjedhjet tona, i kemi vrarë përmes pozitës dhe opozitës, i kemi vrarë të rinjt përmes shpresëthyerjes për ardhmërinë, i kemi vrarë duke i turpëruar në përfaqësime masovike, nëpër media, me skandale, me kulturë politike të nëntokës, me rrahje në parlament, me liderizimin e njerëzve pa kualitete reprezentative, të paaftë për të bërë gara me trurin intelektual maqedonas, duke na mendelevizuar, duke na peshk-pyllëzuar… duke na debilizuar si komunitet, duke na thënë se përgjimi s’është gjë, se dukuri të tillë ndodhin edhe nëpër vendet e avancuara… Te ne ideologu i një parte nacionaliste maqedonase shpallet ultra e turboshqiptar! Te ne Halil besimtarin e safit të parë, në Saraj e bëjnë majtist-komunist me ceremoni e me referate bajate e përçarje manifest(tues)e! Neve nga NATO-ja në pengojnë herë Lindja e Mesme, herë Ukraina, e tani “Puçi”… Mirë është që ky vit do jetë i përqendrimit te ekonomia! Te ne për çdo gjë a çështje thirren ndërkombëtarët, si të ishin njësi zjarrfikëse. Po të këtushmit, për çfarë i kemi zgjedhur? Për defile sigurisht se jo! Në asnjë mënyrë. 

Te ne fjalimet politikaneske janë boshe, te ne foltoret dhe infrastruktura e konferencave për shtyp janë të pakrahasueshme me mesazhet e dhëna! Të parat shumë më atraktive se të dytat. Te ne në debate televizive flitet nga një orë e gjysmë dhe s’thuhet asgjë konkrete. Pyesim: Si ka njerëzit kaq guxim të dalin para kamerave me dokrra, me diskurs për turp, me llafe të pakripura logjikisht dhe politikisht! O Zot i qiejve dhe i tokës! Çka po ndodh me ne? Mozomakeq! Pse kështu të bie pazari i inteligjencës shqiptare, kush po na idiotizon e moronizon kolektivisht. Të nderuar përfaqësues të popullit dhe në emër të popullit, të gjitha gabimet ju qofshin falë, ama një gjë, kurrën e kurrës: të menduarit se hamë kashtë, se jemi idiotë, s’ua fal rrënimin e imazhit tonë kolektiv te tjetri dhe paraqitjen e gjithë neve si debilë, s
i të patru e të papeshë! Mas-debilizimi, masovizimi i moronizmit, shtyrja të dyshosh në vetëvete janë të pafalshme! Bëni një retrospektivë, kaloni nëpër katarsis individual dhe bshkësinor dhe kërkoni falje! Se populli është falës. Ai e di shprehjen e urtësisë profetike: “O Zot fali ata se…” Dijeni se apokalipsa është afër kur jokompetentët i marrin në duart e veta punët, postet e pozitat. Atëherë s’humbin individë, por i gjithë komuniteti, të gjithë. Sa për mua: Dixi et salvavi animam meam.

Artikulli paraprakKriminelët dhe tradhtarët po keqpërdorin lavdinë e 2001-shit
Artikulli vijues50 vjet nga vrasja e Malcolm X