Kalon Me Shtatë Nota të Dobëta Nga Klasa X në të XI-ën {Video}

Një nxënëse e gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren kaloi vitin edhe përkundër faktit se kishte 7 nota të dobëta.
 
Nxënësja me inicialet K.K. në shtatorin e vitit të kaluar doli nga klasa e dhjetë në të njëmbëdhjetën edhe pse kishte nota jokaluese në shtatë lëndë.
 
Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren para se të niste viti shkollor 2014/2015 i kishte rekomanduar Gjimnazit “Remzi Ademaj” që nxënësja të rivlerësohej në lëndët ku nuk ishte notuar, ose kishte notë të dobët.
 
“Kam kërkuar nga drejtoria e shkollës dhe kam rekomanduar që të rishikohet mundësia që të hyhet në riprovime në lëndët në të cilat ka ngelur, ose ka mbetur e panotuar,” shpjegon drejtori i arsimit Nexhat Çoçaj.
 
Këtë rekomandim Çoçaj thotë se e ka bërë, pasi ambasada e Kroacisë e ka kërkuar këtë gjë, ngase nxënësja ishte riatdhesuar në Kosovë nga shteti kroat.
 
Por rekomandimi i drejtorit Çoçaj nuk u zbatua në gjimnaz dhe nxënësja qëndroi për pesë muaj në klasën e XI, edhe pse nuk e kishte fituar këtë të drejtë.
 
KALLXO.com-i siguroi ditarin, ku shihen shtatë nota të dobëta të mbyllura të nxënëses në klasën X, ndërsa ajo ishte e panotuar në lëndën e matematikës.
 
Arsimtarja e kësaj lënde Dile Prekpalaj shpjegon se pse nuk e notoi këtë nxënëse.
 
“Po unë nuk e kam notu nxënësen K. K., për shkak se e di që ajo e ka përsëritë klasën me 7 të dobëta dhe është regjistru e parregullt në klasën e 11-të,” shpjegon Prekpalaj.
 
Ajo thotë se kjo nxënëse ka tetë vjet që është riatdhesuar, ndërsa sugjeron që të pyetet drejtori i gjimnazit se si ka mundur në klasën XI pa i pasur të gjitha notat kaluese.
 
“Mundeni me e pyet drejtorin e shkollës se qysh është regjistru, mund t’ju them se ajo është regjistru në ditar, faktikisht unë e di se ajo e ka humb vitin me 7 nota të dobëta dhe për me u regjistru në klasën e 11-të, ajo duhet me i pasë të gjitha kaluese,” thotë arsimtarja Prekpalaj.
 
Drejtori i gjimnazit, Sali Ademaj, e pranon faktin se nxënësja është e riatdhesuar që më shumë se 8 vjet, mirëpo thotë se janë munduar ta nxjerrin atë nga situata e pakëndshme.
 
“Ja kemi dhënë shansin me e provu, kemi shpresu mos po tregon rezultate, mirëpo ajo sërish e ka treguar të kundërtën dhe më nuk është në klasën e XI,” tregon drejtori Ademaj duke mos dhënë detaje tjera rreth rastit.
 
Drejtori i arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, thotë se nuk kishte dijeni që rekomandimi i drejtorisë nuk po zbatohej dhe që nxënësja ka kaluar pa u rivlerësuar në klasën XI.
 
“Për këtë fenomen kam mësuar më vonë, kur kanë ardhur inspektorët e arsimit dikund ka muaji nëntor dhe janë interesuar, pastaj inspektorët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë mbështetur rekomandimin e DKA-së, kanë kërkuar që nxënësja të rivlerësohet dhe nxënësja ka hyrë në riprovim dhe i ka marrë notat e dobëta në të gjashta lëndët dhe drejtoria e shkollës është detyruar që ta largojë nga shkolla,” thotë Çoçaj.
 
Zyrtarë nga Inspektorati i Arsimit në Prizren bëjnë me dije se deri në janar të këtij viti, gjimnazi nuk ka zbatuar rekomandimin e Drejtorisë së Arsimit për nxënësen me inicialet K. K.
 
“Deri në vizitën tonë më 6 janar 2015 nuk është kryer rivlerësimi. Ne e kemi rekomanduar drejtorin e shkollës që të zbatojë rekomandimin e DKA-së, pas kësaj drejtoria e shkollës ka formuar komision dhe nxënësja në fjalë i është nënshtruar riprovimit dhe më datën 28 janar 2015 shkolla na ka njoftuar se ka organizuar rivlerësimin dhe se suksesi i saj ka rezultuar me 6 nota të dobëta,” tha inspektori i çështjes Hajrullah Birdaini.
 
Edhe arsimtarja e matematikës Dile Prekpalaj tregon se rivlerësimi i nxënëses është bërë vetëm në janar.
 
“ Jo nuk është bo rivlerësimi, rivlerësimin tash e kena bo më 19 të muajit të parë të vitit 2015, na ka detyru drejtori me e rivlerësu tash, pasi që është regjistru, edhe unë mendoj se kjo nuk është në rregull, fare nuk është në rregull, edhe shumë mirë madje po më vjen që e paskeni hulumtu rastin,” thotë Prekpalaj.
 
Drejtori i arsimit Nexhat Çoçaj paralajmëron formimin e një komisioni për ta shqyrtuar shpërfilljen që në Gjimnazin “Remzi Ademaj” iu bë rekomandimit të drejtorisë që ai udhëheq.kohaislame
Artikulli paraprakJakup Krasniqi numëron krejt krimet e Devollëve dhe akuzon krerët e shtetit: Jeni në shërbim të vëllezërve pejanë
Artikulli vijuesShpiket kremi i cili i heqë tatuazhet