Hakmirret Beshiktashi!

Beshiktashi arriti mbrëmë një fitore historike, duke eliminuar Liverpulin në një të gjashtëmbëdhjetat e Ligës së Europës. Në stadiumin olimpik të Stambollit, në prani të mbi 63.000 të pranishmëve, një rekord për këtë aktivitet, turqit e paepur ia dolën t’i rikthejnë klubit të famshëm nderin e humbur këtu e shumë vite më parë.

Pas ndeshjes së parë në Angli, të humbur 1-0 pas një 11-metërshi të kthyer në gol nga Balotelli në çastet e fundit të lojës, kualifikimi dukej i mundur. Pjesa e parë nuk qe aq  e mirë për vendasit, të paçliruar nga emocionet. Skuadra angleze, edhe pse me mungesa të shumta, krijoi vazhdimisht panik në mbrojtjen e në portën vendase, të shpëtuar paq në ca momente. Historia ndryshoi tërësisht në dyzet e pesë minutat e dyta, të kthyera në një furtunë të kara kartal-ëve (shqiponjave të zeza). Dhe goli erdhi nga një i sapofutur në lojë, Tolgay Arslan, i cili në tentativën e tij të dytë goditi shkëlqyeshëm. Gjithçka do të kishte mbaruar mirë e bukur nëse Demba Ba në sekondat e fundit, në vend të shtyllës horizontale të portës, do të kishte gjetur rrjetën. Shtesat nga pesëmbëdhjetë minuta nuk dhanë asgjë, e te 11-metërshat, pas nëntë gjuajtjeve të sakta, është Lovren i Liverpulit që e nxjerr topin jashtë, duke vulosur fitoren për vendasit.

Turqve të Beshiktashit iu desh të prisnin tetë vjet për të marrë hakun e asaj humbjeje të turpshme të 6 nëntorit 2007, kur Liverpuli i shpartallonte 8-0 në stadiumin e Anfield-it, në takimin për grupin A të Ligës së Kampioneve. Tre golat e Benayoun-it, dy të Crouch-it dhe Babel-it, dhe një i Gerrard-it, e bënë Beshiktashin, një prej ekipeve më të mëdha të Turqisë, të kthehej kokulur nga ajo aventurë fatkeqe, e paharruar për të, me një prej rezultateve  më poshtëruese në historinë e futbollit për shqiponjat e zeza.

Ndryshe tyre, Liverpuli kthehej në stadiumin ku në 2005-n pati fituar Champions League-n, në një prej çudive pa përgjigje që vetëm futbolli mund t’i prodhojë. Asokohe, saktësisht më 25 maj, në finalen ndaj Milanit, anglezët e mbyllnin pjesën e parë 0-3, për të barazuar habitshmërisht më pas, e për ta bërë të tyre kupën pas 11-metërshave.

Dhe momenti erdhi. Shenjat qenë dhënë. Në katër sfidat e këtij sezoni me anglezët, turqit ishin paraqitur mjaft mirë, patën siguruar një fitore, dy barazime, dhe një humbje. E patën bërë Arsenalin të djersinte mjaft për të shkuar më tej në Ligën e Kampioneve, me dy takimet mes tyre të përfunduara 0-0 dhe 0-1 në turin paraeliminator. Ndërsa me Totenhemin barazuan në Londër 1-1 dhe fituan 1-0 në Stamboll, në përballjet në grupet e Ligës së Europës.

Me fenomenin e ri në Turqi, të dashur tashmë për të gjithë turqit, senegalezin Demba Ba, për të cilin ka tanimë këngë pa fund, gjërat qenë më të lehta për Beshiktashin. Një lojtar i jashtëzakonshëm në fushë dhe jashtë saj, një model i edukatës dhe sjelljes shembullore, ai qe njeriu që e ndëshkoi një vit më parë Liverpulin, ndërsa luante me Çelsin, duke u prishur ëndrrën për titullin kampion Gerrard-it me shokë.

Mbrëmja e së enjtes u mbyll në mënyrë fatlume për Beshiktashin. Larja e hesapeve kishte më rëndësi se kualifikimi. E të dyja u arritën. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte! /tesheshi

Artikulli paraprakPDK-ja prish koalicionin me LDK-në në Kaçanik
Artikulli vijuesKosova, dy ndeshje miqësore në muajin mars