Ish-komandantit të Brigadës 141 të Shalës nuk i njihet statusi i veteranit

Akuzat se me listat e publikuara nga Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, janë bërë shumë keqpërdorime, vetëm sa po shtohen.

Rasti i fundit është ai i publikimit të listave për Zonën Operative të Shalës, ku po pretendohet se shumë ushtarë të UÇK-së kanë mbetur jashtë listave të publikuar.

 
Njëri prej atyre që thotë kështu, është edhe ish komandanti i Brigadës 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës, Hysni Ahmeti, i cili tregon se janë afër 200 ushtarë të kësaj brigade që nuk janë përfshirë në listat e publikuara.
 
Në një bisedë për Veriu.info, Ahmeti tregon se as atij nuk i është publikuar emri në listat zyrtare të publikuara mbrëmë, sikurse që nuk i është publikuar emri as Ibrahim Feratit, ish komandant i Policisë Ushtarake për Brigadën 141.
 
“Mos përfshirja e emrit tim në lista, po e zëmë që është lëshim teknik, mirëpo sa kam mundur t’i kontrolloj listat e publikuara, gati 200 ushtarëve nuk u është publikuar emri, por ka edhe dëshmorë që janë lënë jashtë listave, sikurse edhe invalidë të UÇK-së. Listat para një jave kanë pas me u bë publike, por ato pa ndonjë arsye janë shtyrë nga Komisioni Qeveritar, e që po del tash se ata në Prishtinë dikush kanë ndërhyrë në lista që i kemi dërguar ne si komision i brigadës. Ata para një jave na e kanë dërguar draftin e listës, ku ne pastaj i kemi plotësuar listat, ndërsa këta emra nuk janë publikuar”, thotë ish komandanti i Brigadës 141 “Mehë Uka”.
 
Ai tregon se komisioni i brigadës është përbërë nga ai si komandant brigade, komandantët e batalioneve, komandantët e kompanive dhe ndihmës komandantët e brigadës.
 
Ahmeti përgjegjës për këto lëshime e bënë Komisionin Qeveritar, përkatësisht Faik Fazliun, që është udhëheqësi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit, pasi që thotë se të gjitha listat e verifikuara në zona janë dërguar tek ai.
 
Mirëpo, ish-komandanti Hysni Ahmeti ju bënë apel të gjithë ushtarëve të UÇK-së, që të jenë të matur në veprime, duke i porositur që të rrinë të qetë, pasi që shpreh bindjen se të gjithëve do të ju pranohen statusi pas ankesave që do të bëhen në Prishtinë.
 
Merret vesh se shumë ushtarë të Zonës Operative Shalës janë të mllefosur me përfshirjen në lista të shumë emrave të cilët asnjëherë nuk kanë qenë ushtarë, ndërsa tash e gëzojnë statusin e veteranit të UÇK-së. Këto reagime nga mbrëmë po bëhen kryesisht në rrjete sociale, por ka tendencë që pakënaqësitë e tyre t’i shprehin edhe në forma tjera.kohaislame
Artikulli paraprakSistemet e energjisë në Kosovë dhe Shqipëri janë komplementare
Artikulli vijuesAmerika shpall Venezuelën rrezik kombëtar