Problemet me listat e Zonës Operative të Pashtrikut kanë bërë që të ketë shumë reagime të atyre që janë përfshirë në këto lista dhe ata që kanë mbetur jashtë, duke pretenduar se kanë qenë veteranë ose e kundërta.
Jashtë listave ka mbetur edhe vëllai i kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi.
“Jam habit kur nuk e kam parë vëllain tim që ka qenë eprorë në Brigadën 121, dhe tash edhe komentet e bashkëluftëtarëve të tij thonë se neve na u ka pranuar statusi i veteranit të luftës, por ku e kem Komandantin që nuk figuron. Është për tu habitur që ai ka ardhur prej Gjermanisë, diku në maj të vitit 1998 dhe ka qëndruar gjatë gjithë kohës në vijën e parë të frontit.
Madje, një kohë ka qenë komandant në pikën e Banjës së Malishevës dhe pikërisht ka qëndruar në shtëpinë e Fatmir Limës. Jemi habit që sot nuk figuron emri i tij në listën e veteranëve të luftës”, ka thënë Qeriqi.
Lidhur me problemet në këtë Zonë, sot do të ketë takim të komandantëve dhe eprorëve të saj në Rahovec për t’u sqaruar përfundimisht se çfarë ka ndodhur me listat.
Indeksonline ka raportuar dje për parregullsitë në lista, derisa në redaksinë tonë kanë ardhur shumë reagime të atyre që thonë se kanë qenë luftëtarë, por nuk janë përfshirë në lista. Po ashtu ka pasur edhe reagime për shumë persona që janë në lista e nuk kanë qenë fare as në luftë. /kohaislame