Amnesty International: Në Siri, krime lufte nga kundërshtarët e ISIS

Raporti i fundit i “Amnesty International” flet për krime lufte në Siri, vetëm se këtë herë akuzat nuk rëndojnë mbi ISIS, por mbi forcat ushtarake të përfshira në betejën kundër grupit të dhunshëm xhihadist. 
 
Siria, Assad në pritje të kontakteve nga SHBA Siria, Kerry: Duhet të flasim me AssadOrganizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut citon dëshmi të marra në terren për pohimet e saj, se në një seri sulmesh të pamëshirshme ajrore kundër pozicioneve të Shtetit Islamik vitin e kaluar mbetën të vrarë më shumë se 100 civilë. 
 
Një pjesë e këtyre sulmeve, thotë “Amnesty International”, kanë të gjitha shenjat e të qënit krime lufte. Raporti i ri, i publikuar këtë të martë, tregon se mes viktimave janë edhe 14 fëmijë. 
 
Civilët janë vrarë gjatë fushatës ajrore të regjimit sirian në qytetin e Rakës, nga data 11 deri në 29 nëntor. Mësymja nga ajri pati edhe shënjestra joushtarake, mes të cilave një xhami, një qendër transporti dhe një treg i mbushur me njerëz. 
 
Raka është kryeqyteti i vetëshpallur i Shtetit Islamik, e megjithatë organizata me seli në Londër këmbëngul se asnjë nga pozicionet e militantëve nuk u qëllua gjatë sulmeve ajrore në fjalë. 
 
“Me këtë fushatë të pamëshirshme ajrore, forcat qeveritare siriane demonstruan një shpërfillje flagrante të rregullave të luftës”, u shpreh shefi i sektorit të Amnesty për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Philip Luther. Një pjesë e sulmeve të tyre përbëjnë padyshim krim lufte, shtoi ai. 
 
Sa për qeverinë e Bashar al Assad, ajo është shfaqur krejtësisht indiferente ndaj masakrave, duke refuzuar madje edhe të pranojë që bombardimet nga ajri kanë shkaktuar viktima në radhët e civilëve. 
 
Edhe pse e pranon Rakën si një prej fortesave kryesore të Shtetit Islamik, Luther këmbëngul se prania e terroristëve në qytet nuk justifikon sulmet ndaj banorëve të pafajshëm. 
 
Raporti i Amnesty vjen vetëm pak ditë pas deklaratave të sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, të cilat u interpretuan si një dritare e mundshme bisedimesh me përfaqësues të Assad për farkëtimin e paqes në vendin e munduar prej një lufte civile disavjeçare. 
 
Ndërsa nga zyra e kryediplomatit u theksua në më shumë se një rast se në tryezën e negociatave nuk do të ulet vetë presidenti sirian./ Top Channel

“>

Artikulli paraprakHasan El-Basri
Artikulli vijuesEbu Davud