Uji është një ndër burimet më të rëndësishme në Tokë. Dita Botërore e Ujit festohet me 22 mars. Është themeluar me rezolutën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1992. Dita e parë Botërore e Ujit është shënuar me 22.03.1993. Kjo ditë shënohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit për pirje dhe me qëllim të apelimit të të gjithëve që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve të ujit për pirje.
Për çdo vit në Ditën Botërore të Ujit theksohen aspektet specifike të ujit për pirje siç janë: Uji për qytete, Kualiteti i Ujit, Ujërat Ndërkufitare, Uji dhe Kultura etj. Po afrohet koha kur kërkesa për ujë do ta tejkalojë furnizimin. Kjo do të rezultojë në ndaljen e zhvillimit, fillimin e luftës për ujë dhe mundësinë e luftës ndërshtetërore. Numri i popullsisë botërore po rritet shpejt, kërkesa për ujë edhe më shpejt, kurse sasia e saj nuk ndryshon.
Deri në vitin 2025 dy të tretat e popullsisë botërore do të jenë të goditura me kërkesë të madhe për ujë. Ekspertët vlerësojnë që rreth 1,1 miliard njerëz nuk kanë qasje në ujë për pirje, kurse 2,5 miliard njerëz nuk i kanë të siguruara kushtet elementare higjieno-shëndetësore. Gjashtë mijë fëmijë më të vegjël se pesë vjeç për çdo ditë vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga uji i ndotur, kurse më shumë se pesë milion njerëz në vit, e cila është dhjetë herë më shumë se numri i atyre të vrarë në të gjitha luftërat vjetore në botë.
Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë mjaft të errëta. Në raportin e tyre theksohet se burimet e ujit do të zvogëlohen vazhdimisht për shkak të rritjes së numrit të popullsisë, ndotjes dhe ndryshimeve të klimës.