Skenari për shitjen e PTK-së

Një proces të ri për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës pritet ta nisë shumë shpejt Qeveria.
 
Por, kjo kompani publike nuk pritet ti hyjë këtij procesi sikur dy herët e kaluara ku edhe dështoi shitja e saj.
 
Paraprakisht aksionari i PTK, Qeveria e Kosovës, po kërkon modernizim të kësaj ndërmarrje dhe rritjen e vlerës së saj.
 
Pa ndonjë bujë të madhe e në mënyrë të shkurtë, ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci ka prezantuar të martën para kabinetit qeveritar ofertën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për partneritet në modernizim të PTK-së.
 
Por, në mbledhjen e zgjatur të qeverisë nuk janë dhënë detaje rreth kësaj oferte.
 
Gazeta Fjala ka mësuar përmbajtjen e kësaj oferte në të cilën Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) ka shprehur gatishmërinë të investojnë para të majme për përgatitjen e kësaj ndërmarrje për privatizim
 
Gazeta Fjala merr vesh se EBRD dëshiron të jetë partner biznesi afatgjatë dhe të punojë ngusht me menaxhmentin dhe aksionarin për modernizimin e PTK.
 
Duke prezantuar kapacitetet dhe përvojën e saj në fushën e modernizimeve të kompanive të ngjashme si PTK, EBRD ka siguruar Qeverinë e Kosovës se është e gatshme të ofrojë zgjidhje fleksibile me produkte të mundshme qofshin ato hua të konvertueshme apo kredi, duke mos përjashtuar as ofrimin e granteve mbështetëse teknike para se kompania ti futet procesit të privatizimit.
 
EBRD ia ka qartësuar Qeverisë së Kosovës eksperiencat e saj të ngjashme financuese në Albtelecon (Shqipëri); Telekom Srpske (Bosnie dhe Herzegovië); Telekomunikacija Polska (Poloni); Matav (Hungari); Rometelecom (Romani); Bulgarian Telecommunications Company (Bulgari); Lietuvos Telekomas (Lituani) dhe Polokomtel (Poloni).
 
Gazeta Fjala mëson se EBRD ia ka bërë të qartë qeverisë se aksesi në financim para privatizimit i hapë rrugën benefiteve përtej financimit të menjëhershëm dhe së fundi mund të rritë shanset e privatizimit të suksesshëm të PTK.
 
Ndër benefitet që sheh Banka Evropiane Për Rindërtim e Zhvillim janë investimet afatgjate të cilat mund të sigurojnë fonde për investimet e vazhdueshme dhe përgatitjen e PTK për privatizim.
 
Bile prezenca e EBRD-së në fazën e para privatizimit pos sipas EBRD krijon komoditet për investorët dhe aksionarët e rinj.
 
Por kjo bankë evropiane ka paraparë edhe diçka. Gazeta fjala merr vesh se EBRD ka lënë të hapur mundësinë të qëndrojë si investitor pas privatizimit.
 
Tutje EBRD qartëson se financimin mund ta strukturoj në mënyrë fleksibile në zonat financiare si rrjet i rëndësishëm i së ardhmes i, për biznesin fiks dhe mobil apo edhe prioriteteve të tjera për investim. Nëse arrihet ujdia EBRD, do të vazhdojë të punojë me kompaninë dhe Qeverinë në çështjet kyqe strategjike, qeverisjen e korporatës, strategjitë e privatizimit dhe fushat tjera.
 
Gazeta Fjala merr vesh se EBRD ka siguruar mbështetja teknike gjatë fazës para privatizimit në mënyrë që të ndihmojë kërkesat konkurruese në procesin e privatizimit. Bile në fund EBRD kujton se përveç të ardhurave nga shitja e PTK, duhet të ketë përpjekje për të siguruar që PTK do të mbetet një konkurues i qëndrueshëm dhe konstruktiv, në mënyrë që të sigurojë se privatizimi lehtëson rritjen e përgjithshme dhe zhvillimin e sektorit të telekomunikacionit dhe ekonomisë më të gjerë.
 
Diçka të ngjashme ka paraparë edhe Strategji për Zhvillimin e Kosovës e Qeverisë.
 
“Privatizimi i ndërmarrjeve publike duhet të ndodhë, por vetëm atëherë kur privatizimi si proces do ta maksimizonte vlerën e ndërmarrjes dhe përfitimeve të tjera që ndërlidhen me privatizimin. Sa i përket privatizimit të PTK-Vala900, Qeveria do ta rishikojë strategjinë ekzistuese për privatizimin e saj. Para se të privatizohet duhet të përmirësohet performanca e kësaj kompanie, nëpërmjet një menaxhmenti efikas dhe investimeve kapitale për ta rritur aftësinë konkurruese të kësaj kompanie dhe vlerën e saj të tregut”, thuhet në programin qeverisës 2015-2018.GF/kohaislame
Artikulli paraprakA e njihni tamam Selman Kadrinë?
Artikulli vijues1.8 miliardë euro për refugjatë dhe emigrantë