A nuk dëshironi ta shfrytëzoni në maksimum kohën tuaj në punë ? Çdo minutë e kaluar në punë është e vlefshme.
Menaxhimi i kohës lidhet me drejtimin e vetes suaj. Duke menaxhuar siç duhet kohën ju mund të bëheni më produktivë dhe të ecni me hapa të shpejtë drejt objektivave të karrierës suaj.
Ja disa këshilla të arta rreth kontrollimit të kohës dhe shfrytëzimit të duhur të saj:
Listë e gjërave që duhen bërë
Përgatisni një listë të gjërave që do të bëni dhe rifreskojeni vazhdimisht. Në listë radhisni punët jo shumë urgjente, në këtë mënyrë nuk do të kontrolloni çdo gjë përsëri. Mbajeni listën me vete, ose më mire mund t’i bëni një kopje në celularin apo agjendën tuaj ditore.
Tregohuni realistë
Tregohuni realistë në përcaktimin e datës së fundit të dorëzimit dhe përpiquni ta realizoni këtë. Megjithëse ne bëjmë shumë punë nga forca e detyrimit, realizimi i tyre sipas një plani është më profesional dhe më pak stresues.
Mos e ndërprisni punën
Nëse zyra juaj ka derë, mbylleni atë herë pas here. Mbajtja hapur e derës do t’ju shqetësojë nëse nuk keni shumë kohë të dëgjoni pyetjet dhe shqetësimet e kolegëve. Nëse një koleg i juaji vjen pranë jush për të biseduar dhe ju nuk keni kohë sepse jeni i zënë, atëherë shtyjeni bisedën për më vonë.
Përdoreni mire kohën
Gjatë ditës kontrolloni mesazhet tuaja dhe dëgjoni mesazhet zanorë. Mos u ktheni për të dytën herë për të kontrolluar e-mailet. Nëse nuk keni kohë t’i lexoni, atëherë mos i hapni fare dhe kur të gjeni kohën e duhur jepuni përgjigje, futini në një dosje ose fshijini.
Më të organizuar
Tregohuni të kujdesshëm të mbani me rregull punët tuaja, dosjet e kompjuterit dhe postën elektronike. Kështu do të gjeni më lehtë gjërat që kërkoni. Mos harroni se gjetja e diçkaje të humbur do t’ju humbasë më shumë kohë.
Lërini mënjanë punët e kota. Mos e ndiqni për here të dytë një punë të cilën ia keni ngarkuar dikujt tjetër dhe nuk është më nën përgjegjësinë tuaj. Shpreheni veten tuaj dhe cilësitë e punës që dëshironi me një bisedë të shkurtër nëse ndjekja e kësaj pune nuk ndikon në karrierën tuaj apo performancën ditore.
Anuloni mbledhjet rutinë
Përcaktojeni vetë nëse duhen apo jo mbledhjet. Nëse është vërtetë e nevojshme përgatisni një agjendë dhe fillojeni e mbarojeni në kohën e duhur mbledhjen. Nëse prania juaj nuk është e domosdoshme në mbledhje, atëherë mund të kërkoni leje nga drejtori dhe të fokusoheni në punët tuaja.
Mos rrini kot
Mbani gjallë aftësitë tuaja duke u marrë me të paktën një projekt. Nëse keni dy ose më shumë, akoma më mire. Krahas kësaj, edhe fokusimi mbi projekte të ndryshme tregon impenjimin tuaj të vazhdueshëm. Kështu do të mbani aktive mendjen dhe këndvështrimin tuaj.
Zgjidhni me kujdes projektet
Sigurohuni që puna që bëni është e vlefshme dhe ju jep mundësi të shpalosni aftësitë tuaja. Ju mund të keni shumë arsye të forta për të mos pranuar një projelt apo propozim pune. Personat e suksesshëm dinë kur të thonë jo. Bëjini vetes këto pyetje: “A do të më ndihmojë kjo punë në avancimin e karrierës sime?”, “A mund ta ndaj kohën e duhur për këtë detyrë?”.
Vlerësoni veten
Stimulojeni veten kur të përfundoni punën. P.sh., nëse keni mbaruar së lexuari një projekt, pushoni pak dhe pini një kafe apo bëni një pushim të shkurtër pasi të përfundoni prezantimin e një produkti. Mos i shtyni për më vonë punët dhe fokusojeni përqendrimin tuaj në organizimet e mira. Në këtë mënyrë do të fitoni shumë pikë dhe respekt në karrierën tuaj.