Një organizatë joqeveritare palestineze që merret me çështjen e të burgosurve bëri të ditur të dielën se autoritetet izraelite mbajnë mbi 200 fëmijë në tre burgjet kryesore të tyre.
Sipas Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, fushatat e arrestimeve ndaj fëmijëve palestinezë njohën rritje pas mesit të vitit të shkuar, veçanërisht pas tensioneve të fundit në Jerusalem.
Izraeli arreston çdo ditë më së paku dy fëmijë në Jerusalem, njoftoi OJQ-ja.
Vendin e dytë për numrin e të miturve të ndaluar e zë provinca e El-Halilit, apo, ndryshe, e Hebronit.
“Që nga fillimi i vitit 2015 janë ndaluar në El-Halil më e pakta 70 fëmijë palestinezë,” thotë deklarata e organizatës joqeveritare.
Fëmijët ndalohen përgjithësisht pa praninë e një pjesëtari të rritur të familjes së tyre, e një pjesë lirohen pasi për ta paguhen gjoba të konsiderueshme, për të qëndruar më pas në arrest shtëpie.
Arrestimet kryhen më së shumti gjatë natës dhe në agim, duke i terrorizuar familjet palestineze me përdorimin e qenve, vijon njoftimi i OJQ-së.
Fëmijët e ndaluar u janë nënshtruar torturave fizikisht dhe emocionalisht, gjatë kohës së hetimit nuk janë lejuar vizitat e familjes, dhe atyre u është mohuar e drejta e përfaqësimit ligjor, apo, më e pakta, e pranisë së prindit në marrjen në pyetje.
Fëmijët janë trajtuar si të rriturit, janë dërguar në gjykatat civile veç gjykatave ushtarake, dhe janë përballur me kushte të vështira.
Ndërkaq, sipas autoriteteve palestineze, në burgjet izraelite po dergjen aktualisht mbi 7.000 palestinezë.