Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa mund të tërhiqet nga gara për ta rimarrë edhe për një mandat nën drejtim partinë. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda LDK-së. Sipas këtij burimi, Isa Mustafa është duke e menduar seriozisht largimin nga partia.
“Puna dhe angazhimi i madh si kryeministër i vendit, e ka vënë Isa Mustafën në dilema nëse do të kandidoj apo jo edhe për një mandat si kryetar i partisë. Sipas të gjitha gjasave, Isa Mustafa do të tërhiqet nga gara për kryetar të partisë”, tha ky burim.
Ky burim ka bërë të ditur se nëse Isa Mustafa do të tërhiqet nga gara për kryetar të partisë, atëherë Lutfi Haziri do ta ketë mbështetjen e liderit aktual të partisë, për shkak të mbështetjes që në vazhdimësi i ka dhënë lidhjes së koalicionit me PDK-në.
“Nëse tërhiqet nga gara, Mustafa do ta mbështes në teren Lutfi Hazirin, për shkak të mbështetjes që ky i fundit i ka dhënë kryeministrit në ditët më të vështirë, pas arritjes së koalicionit me PDK-në”, tha ky burim.
Ndërkaq, zyrtarisht nga LDK nuk kanë pranuar që të flasin për mundësinë e tërheqjes së Isa Mustafës nga gara për kryetar të partisë.
Në anën tjetër, një deputet dhe anëtar i kryesisë së LDK-së në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic se kjo mund të jetë një taktikë e Isa Mustafës për të matur opinionin e anëtarësisë së LDK-së.
“Disa njerëz të afërt të Isa Mustafës kanë nisur ta plasojnë një informacion të tillë edhe në nivele të ndryshme të partisë, mirëpo thjesht ky mund të jetë edhe një testim i opinionit të anëtarësisë”, tha ky burim.
Në anën tjetër, deputetja femër më e votuar në Kosovë, Vjosa Osmani, e cila tashmë e ka bërë publike kandidaturën e saj për kryetare të LDK-së, ka thënë për Gazetën Blic se këto zgjedhje duhet të jenë garë për kualitet e jo arenë për shantazhe e premtime për vende pune.
“Procesi akoma është në nivel të nëndegëve. Deri tani janë raportuar një sërë parregullsish në disa nëndegë. Sipas informatave që kam, atje janë në proces të dërgimit të ankesave në Kryesi dhe ato duhet të trajtohen me seriozitet”, ka thënë Osmani. Ajo ka thënë madje se ka raste kur nëndega e mban Kuvendin pa i njoftuar fare aktivistët dhe nëdatë tjetër nga ajo që është paralajmëruar.
“Ka raste kur kryetari i Degës ka caktuar numrin e delegatëve për nëndegë duke e injoruar kriterin e votës, të përcaktuar nga Këshilli i Përgjithshëm. Pra, të gjitha këto duhet të vërtetohen dhe të trajtohen seriozisht”, tha Vjosa Osmani.
Sipas saj, këto zgjedhje duhet të jenë garë për kualitet e jo arenë për shantazhe e premtime për vende pune (praktikë kjo e PDK-së).
Isa Mustafa në krye të LDK-së kishte ardhur më 2010, duke e mposhtur Fatmir Sejdiun, i cili kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Shtetit, për faktin se Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Sejdiu kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, duke i mbajtur njëkohësisht dy pozicione, atë të partisë dhe të kryetarit të vendit.kohaislmae