Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” shkruan mbi dështimin e Misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë. Gjashtë vjet pas stacionimit në Kosovë rezultatet e Misionit të BE-së janë modeste.
Pavarësisht shpenzimeve të mëdha dhe personelit të shumtë nuk vërehet përmirësimi i dukshëm i shtetit të së drejtës, shkruan gazeta e njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) në një tekst të gjatë. Diplomati italian, Gabriele Meucci, i cili që nga tetori drejton Misionin e BE-së, ankohet se EULEX-i në Kosovë “nuk ka miq”, përcjell televizioni publik.
Ai thekson se kundër EULEX-it po zhvillohet një luftë shtrigash dhe supozon se ka shumë njerëz që janë të interesuar që akuzat për korrupsion brenda EULEX-it të skandalizohen sa më shumë.
“Kjo shoqëri është e infiltruar nga krimi i organizuar”, thotë ai.
NZZ-ja përkujton se zyrtarë të EULEX-it kishin ngjallur shpresa jorealiste kur kishin premtuar arrestimin e “peshqve të mëdhenj”.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i deklaroi NZZ-së se prokurorët e EULEX-it, të cilët janë përgjegjës për rastet e rënda, nuk janë më të mirë se prokurorët vendorë.
Ata ngurrojnë të fillojnë procedura penale kundër politikanëve të nivelit të lartë. Kështu, çështjet juridike menjëherë shndërrohen në problem politik.
“Koha Ditore” kishte raportuar vitin e kaluar për dyshime të forta për korrupsion në EULEX, derisa BE-ja ka marrë përsipër që të hetojë këto dyshime, derisa raporti pritet të dalë shpejt. Po ashtu, “Koha Ditore”, këtë vit, kishte raportuar në lidhje me skandalin e EULEX-it në rastin “Kleçka” dhe dënimin e Limajt. /kohaislame