​Behgjet Pacolli: Unë kam ide dhe projekte për bashkimin ekonomik kombëtar

Ish presidenti i Kosovës dhe drejtuesi aktual i AKR’së, Bengjet Pacolli ka reaguar me një postim në Facebook rreth deklaratave dhe mundësive të Bashkimit Kombëtar që ditëve të fundit u bë lajm nga deklarimet e hapura që pati Kryeministri shqiptar Edi Rama.

Pacolli përmes këtij postimi ka thënë se Bashkimi ekonomik kombëtar është i mundur.
Madje, ai thotë se për këtë ka disa ide dhe projekte për këtë.

 
Ky është postimi i plotë i Pacollit:
 
Ka krijuar shumë diskutime të mëdha një intervistë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në lidhje me bashkimin e shqiptarëve si alternativë e vonesave në integrimin e shqiptarëve, gjegjësisht Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Europian.
 
Do duhet ndarë plani i deklaratave, nga plani i dëshirës. Unë mendoj se Rama me veprime e ka treguar dëshirën se është në favor të bashkimit kombëtar. Ndërsa pohimi i tij duhet lexuar në tërësi dhe si vijim i pohimeve të tjera të mëparshme të tij. Ky pohim pro bashkimit ishte pjesë e një retorike të tij mbrojtëse, lobuese në favor të përshpejtimit të ritmeve të integrimit, veçanërisht të Kosovës, heqjes së vizave nga Bashkimi Europian, ashtu siç e nënvizoi dhe deklarata e SHBA-ve.
 
Personalisht mendoj se ka disa lloj bashkimesh midis Shqipërisë dhe Kosovës, midis shqiptarëve kudo që janë. Ka bashkime me fjalë, ashtu si dhe bashkime me vepra.
 
Ne duhet të punojmë pro bashkimit, duke u koordinuar me miqtë tanë perëndimorë, me ata që na ndihmuan për çlirimin.
 
– Bashkimi ekonomik kombëtar është i mundur.
 
– Bashkimi ekonomik kombëtar është i lejuar, ai është i nxitur nga vetë Unioni Europian.
 
– Bashkimi ekonomik kombëtar duhet nxitur edhe në frymën e atij bashkimi që e do rinia jonë.
 
– Bashkimi ekonomik kombëtar duhet realizuar në frymën e asaj ndjenje kombëtare që po kultivon ekipi ynë kombëtar i futbollit.
 
Unë besoj tek bashkimi ekonomik kombëtar, pse besoj se të dy vendet bashkë mund të krijojnë një realitet ekonomik të fuqishëm që do të rrisë mirëqenien për të gjithë shqiptarët dhe do të jetë i konkurueshëm.
 
Unë kam disa ide, disa projekte për këtë bashkim ekonomik kombëtar.
 
Unë do të luftoj deri në fund për këto projekte, për këtë platformë që së bashku me mikun tim, të paharrueshmin Arben Xhaferi e kemi diskutuar shpesh./G.E/.kohaislame
 
Artikulli paraprakNjë familje nga Shkodra e ka martuar dy herë në Kosovë vajzën e vet në këmbim të parave
Artikulli vijues“EKSODI I KOSOVARËVE NË GJERMANI, PASOJË E NJË KEQKUPTIMI”