Nis beteja vendimtare me serbët! Cana: Nuk e ulim kokën

Sot fillojnë të hidhen hapat e parë drejt vendimit më i rëndësishëm për Shqipërinë e Futbollit, me Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë që do të vendosë fatin e ndeshjes Serbi-Shqipëri, të 14 tetorit, me kombëtaren që kërkon drejtësi pas ngjarjeve të ndeshjes së Beogradit.
 
Dita e Gjykimit ka nisur me palën serbe, për t’i lënë vendin më pas Shqipërisë këtë të premte që të paraqesë argumentat e saj. Që në orët e para të mëngjesit, serbët të përfaqësuar nga një studio avokatie zvicerane do të kërkojnë të mbrojnë fitoren 3-0 në tavolinë por njëkohësisht do të synojnë që t’i hiqen 3 pikët penalitet të dhënë nga Komisioni i Disiplinës dhe ai i Apelit të qeverisë së futbollit kontinental.
 
Pala serbe pritet të mëshojë fortë te provokimi politik nëpërmjet dronit, teksa kanë përgatitur dhe një dëshmi të një ish-gjyqtari izraelit, i cili do mbështesë akuzën e tyre.
 
Qëllimi i palës serbe është që nëpërmjet kësaj dëshmie të “dredhojë” pushtimin e fushës nga tifozët e saj dhe ushtrimin e dhunës ndaj përfaqësueses kuqezi duke dashur të anashkalojë dhe faktin se Atkinson e ndërpreu ndeshjen për shkak të akteve vandale nga ana e tifozerisë vendase dhe jo për dronin e hyrë në fushë. Pas dëgjimit të palës serbe, të premten do të jetë dhe radha e shqiptarëve, që do të përfaqësohen nga ekipi i avokatëve i kryesuar nga Artan Hajdari.
 
Seanca dëgjimore e Shqipërisë do të nisë që në orën 8 të mëngjesit ndërkohë që për vendimin nuk dihet ende sesa duhet pritur, me sekretarin e Federatës serbe që është shprehur se vendimi mund të jepet dhe pas 30 ditëve.
 
Lorik Cana, kapiteni i përfaqësueses sonë, në një intervistë për Top Channel tregon se nga sot do të jetë në Lozanë, në cilësinë e dëshmitarit, për të marrë të drejtën e pakundërshtueshme për gjithçka na u mohua.
 
“Zhgënjimi më i madh është që vetë UEFA, e cila është organi kryesor i futbollit europian dhe organizuesi i këtyre garave dhe i këtij kompeticioni, nuk ka mbajtur vlerat që ajo i promovon çdo ditë. Është e vërtetë që Federata ruse ka më shumë fuqi brenda organeve ndërkombëtare. Fatkeqësisht pesha e Shqipërisë nuk është në këto nivele, megjithatë kombëtarja shqiptare po rritet çdo ditë e më shumë dhe kjo bën që Shqipëria të dëgjohet më shumë. Dy ngjarjet që kanë ndodhur janë absolutisht të pakrahasueshme”, shprehet kapiteni i Kombëtares sonë të futbollit, Lorik Cana.
 
Pozita e Shqipërisë në grup aktualisht është e favorshme, aq sa ndonjëherë mendohet që është një pozitë më e mirë se sa riluajtja e ndeshjes, e cila mund të krijojë situata të cilat edhe mund të na komplikojnë ecurinë. Por gjithsesi, për Lorik Canën, ne nuk i trembemi as riluajtjes, por nuk kemi pse tërhiqemi nga objektivi kryesorë i 3-pikëshit.
 
“Ne kemi të drejtë të kërkojmë 3-pikëshin që na takon, ndërsa në aspektin sportiv ne e kemi një pikë të fituar në fushën e lojës dhe kjo është realitet. Unë nuk besoj të merret një vendim tjetër, megjithatë Shqipëria është e aftë të përballet me çdo lloj kundërshtari. Shqipëria nuk është më e mirë se ekipet e tjera të grupit, por nuk është as më e dobët. Ne nuk kemi frikë asnjë përsëritje të ndeshjes, asnjë kundërshtari nuk i trembemi, por e drejta jonë janë 3 pikët në tavolinë dhe ne do ta mbrojmë këtë. Shqipëria nuk do ta ulë kokën”, përfundon Lorik Cana./Mapo
Artikulli paraprakÇfarë ka dashur të thotë autori?
Artikulli vijuesJemen, vriten 10 militantë të lëvizjes Husi