Koment – Deklaratat e Papa Franceskut dhe problemi armen

Me rastin e 100-vjetorit të vdekjeve armene në ngjarjet e 1915-s, lideri i botës katolike, Papa Francesku, organizoi një meshë në Bazilikën e Shën-Pjetrit, në Vatikan.
 
Gjatë fjalimit në meshë, Papa hodhi një pretendim, sa të gabuar aq edhe të shëmtuar, se “gjenocidi i parë i shekullit të 20-të është kryer ndaj armenëve”. Neveria, që të ngjallin këto pretendime, nuk ka të bëjë vetëm me falsitetin e tyre, por njëherësh me pozitën dhe identitetin e Papës. Së pari, gjykimet e prera të Papës, i cili ka identitetin e një lideri shpirtëror, rreth një çështjeje ende të pavërtetuar përfundimisht, nuk i kanë hije respektit, prestigjit dhe dinjitetit fetar. Kisha Katolike dhe Papa janë liderët shpirtërorë të mbi 1 miliard të krishterëve anembanë rruzullit. Opinionet e shprehura nga Papa mund të krijojnë gjithnjë efekt obligues fetar për shkak të pozitës së tij.
Duke dhënë gjykime në lidhje me problemin armen, vërtetësia e të cilit nuk është provuar, Papa ka luajtur një rol çorientues për katolikët, që s’kanë dijeni mbi këtë temë. Dhe është fare e qartë sesa e rrezikshme rezulton një situatë pjellë e këtij veprimi. Papa po dëmton atmosferën e paqes ndërfetare, duke i motivuar gabim besimtarët katolikë dhe njerëzit e tjerë, që kanë besim tek fjala e tij. Si pasojë e nismës në fjalë të Papës, që sipas gjasave është ndërmarrë për të afruar armenët me katolicizmin dhe fuqizuar bashkimin e krishterë, ka dalë në pah rreziku i armiqësimit me 1,5 miliardë myslimanë të përhapur në të gjitha anët e botës.
Nga ana tjetër, Papa Francesku ka ndjekur një politikë shumë të gabuar dhe të çuditshme nëpërmjet kësaj strategjie. Dinakërinë e disa shteteve, për të mbledhur fuqi nga problemi armen në shërbim të interesave të tyre realpolitike, e ka shfrytëzuar edhe Papa. Mirëpo kjo mund të përshkallëzojë edhe më shumë rrezikun e konfliktit ndërfetar, apo përplasjes së qytetërimeve, që është prej kohësh në rend të ditës; madje ka shumë gjasa që të sjellë dhe dështimin e politikës së “dialogut ndërfetar”, që proklamohet dhe mbrohet prej vitesh nga Vatikani dhe papët. Strategjia në fjalë do të dëmtojë rëndë këtë vlerë madhore të krishterimit, që këshillon paqe për njerëzimin dhe botën; do të shkaktojë erozion të vrullshëm në kauzën e Jezu Krishtit (Profeti Isa a.s.), i cili është gjeneza e krishterimit, bazuar mbi dashurinë dhe paqen.
Faktikisht, pritej që Papa Francesku t’u qasej me objektivitet çështjeve historiko-politike, siç është problemi armen, dhe në vend që t’i provokonte ato, ai duhet kontribuonte në zgjidhjen e tyre. Pritej që lideri shpirtëror katolik të mbante një qëndrim asnjanës për këtë çështje dhe të ishte konstruktiv në zgjidhjen e problemit.
Aspekti i dytë, që i bën të gabuara deklaratat e Papa Franceskut ka të bëjë me përmbajtjen e shtrembër të vet pretendimit. Sepse tezat për të ashtuquajturin gjenocid armen, më tepër sesa një temë shkencore, janë një manivelë politike dhe spekulative. Këto pretendime nuk janë një realitet i provuar me regjistra dhe dokumente historike, por një propagandë e parashtruar nëpërmjet argumenteve të lobit armen. Siç edhe dihet, që një tezë të pranohet si e vërtetë duhet më parë që ajo të bazohet mbi të dhëna konkrete të pamohueshme dhe të miratuara nga të gjithë. Mesazhi universal 500-vjeçar i filozofisë perëndimore është për mbështetjen e vërtetësisë së një pretendimi me dokumente dhe prova konkrete.
Ndërsa teza mbi të ashtuquajturin gjenocid armen është një rrethanë, të cilës nuk i besojnë as vet armenët e arsyeshëm, e ndërgjegjshëm dhe objektivë. Arkivat në lidhje me vitin 1915 dhe Luftën I Botërore janë të hapura dhe asnjë dokument nuk e vërteton konkretisht, objektivisht dhe shkencërisht këtë tezë. Pretendimet dhe dokumentet e parashtruara nga diaspora armene nuk janë aspak objektive dhe universale. Nëse do të kishte një gjë të tillë, padyshim që asnjë autoritet shtetëror dhe specialist turk i zgjuar dhe i ndërgjegjshëm nuk do të mund ta refuzonte. Po të ekzistonte ndonjë dokument, që do ta vërtetonte këtë tezë në mënyrë konkrete, të gjithë historianët në Amerikë, Evropë, apo në të gjitha anët e tjera të botës nuk do të guxonin që ta mohonin atë. Por realisht nuk ekziston një situatë e tillë. Në perëndim dhe në të gjithë globin ka historianë dhe specialistë, që i besojnë gjenocidit armen, siç ka edhe shumë të tjerë, të cilët nuk besojnë në një gjë të tillë. Nëse pretendimi do të ishte i drejtë shkencërisht dhe konkretish, atëherë si mund ta mohonin këta historianë dhe specialistë këtë? Për shembull; askush nuk mund t’i mohojë tezat dhe dokumentet mbi gjenocidin e Hitlerit ndaj hebrenjve. Ama problemi armen nuk ka një veçori të tillë.
Sigurisht që gati të gjithë pranojnë se në vitin 1915 dhe gjatë luftës janë përjetuar fatkeqësi njerëzore të mëdha, se vrasjet ndërmjet qytetarëve armenë dhe qeverisjes osmane e qytetarëve të saj myslimanë kanë qenë të ndërsjella dhe të përhapura. Dihet që, në Luftën I Botërore dhe kushtet e saj të pavolitshme shëndetësore e natyrore, vendime dhe akte të gabuara kanë ndërmarrë edhe drejtuesit otomanë edhe armenët. Për pasojë, dihet që shumë qytetarë armenë të Perandorisë Osmane kanë vdekur, ashtu si dhe miliona myslimanë turq, kurdë, arabë dhe të tjerë për të njëjtat arsye.
Papa Francesku duhet të merrte në konsideratë edhe këto opinione të shumta, që mohojnë vërtetësinë e pretendimeve armene. Qasja partizane e një drejtuesi dhe aq më tepër e një figure fetare ndaj problemeve midis njerëzve, shoqërive, apo popujve jo vetëm që nuk do ta zgjidhë problemin, por do ta thellojë atë edhe më shumë. Duke qenë se vet nuk është historian dhe ekspert i çështjes në fjalë, sipas të gjitha gjasave Papa nuk i ka studiuar dokumentet historike të kësaj ngjarjeje. Madje, me sa duket, ai nuk ka qenë i vëmendshëm sa duhet edhe kur u informua mbi këtë temë gjatë vizitës në Turqi, ose nuk e ka marrë seriozisht çështjen.
Nëse ky qëndrim i Papës është element i një projekti politik si bashkimi i të krishterëve, apo i propagandës së armenëve për 100-vjetorin e pretendimeve mbi ngjarjet e 1915-s, atëherë kreu i Kishës Katolike është bërë mjet i një politike ndërkombëtare me të vërtetë të shëmtuar dhe të gabuar. Edhe sikur të lëmë mënjanë dëmet, që do t’i shkaktojë vet Papës dhe kishës së drejtuar prej tij, ky gabim trashanik nuk do të fitojë as pëlqimin e Zotit. Për më tepër, ai shkel në mënyrë flagrante edhe këshillën “bëjini mirë edhe atij, që ju bën keq”, e cila është parimi universal i Jezu Krishtit, i njohur si Profeti Isa (a.s.) nga myslimanët.
 
Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll
Artikulli paraprakDavutoglu dënon racizmin evropian, pas vendimit mbi ngjarjet e 1915-s
Artikulli vijuesRrezet X, mjet i rëndësishëm diagnostikimi e terapie në mjekësi