Luftë e re në Irak: Siria po mbetet në harresë, sepse Musuli është ardhmëria e sunnitëve!

Në vitin 2011 patëm botuar një shkrim me titull “Lindja e Mesme, mësim edhe për Ballkanin”. Aty patëm thënë se “Pranvera Arabe” mund të jetë një mashtrim i iri për opinionin. Ajo që në fakt po ndodhte atje, nuk ishte pranverë, por lëvizje e “Lokomotivës së ndryshimeve” që nisi në Algjeri, pastaj kaloi në Tunizi, pastaj në Egjipt e kur do të mbërrijë në Siri apo në Gjirin Persik – atje ku popullata është e përbërë nga shiitët afër 100 milionë dhe po aq sunnitë – të bëmat e asaj “lokomotive” do të jenë katastrofave. Për fat të keq ashtu ndodhi.

Përse kisha menduar ashtu?

Sepse, arabët historikisht kanë pasur aversion të madh ndaj persëve; sepse politikat e mbretërive arabe kundërshtojnë ashpër çfarëdo ndikimi të ri të Iranit në rajon; sepse liderët politikë të Iranit mendojnë ndryshe nga liderët fetarë shiitë të vendit.

Edhe pse shiizmi në esencë nuk është platformë anti-sunnite, por është fryma perse që do t’i prekë të gjitha brigjet e Lindjes së Mesme, shiizmi dhe sunnizmi sot përdorën si mjete për ndasi mes arabëve dhe Iranit, në vend se të jenë dy rrugë më shumë për konsolidimin e myslimanëve.

Në Gjirin Persik luhet loja e konkurrencës gjeokulturore. Atje paraja është në pyetje, epshi dhe makutëria në luksin e tepruar. E, kur kësaj i shtojmë ekspansionin e ndikimit të Turqisë e sidomos interesat e fuqive të mëdha, lufta në Sham apo në Gjirin Persik, patëm thënë, do të jetë jo si çdo luftë tjetër në Lindje të Mesme.

Kur forcat amerikane të mbështetura nga një koalicion i gjerë ndërkombëtar pushtuan Irakun në vitin 2003 dhe rrëzuan Saddam Hyseinin, shumëkush kishte menduar se Iraku po gjen qetësinë e munguar. Megjithatë, u zhgënjyen shumë njerëz, por jo njohësit e historisë së Lindjes së Mesme. Nxjerrja për flokë e Saddamit nga zgafellja e më vonë varja e tij në litar para syve të botës, irritoi në masë të madhe shumicën arabe.

Vrasjes së Saddamit i ishin gëzuar vetëm shiitët dhe kurdët; të parët ngase nuk ishin sunnitë, ndërsa të dytët ngase nuk ishin arabë. Lindja e Mesme mbeti edhe më tutje e trazuar. Varja e Saddam Hyseinit, vrasja poshtëruese e Gaddafit, rrëzimi me shumë viktima e Mubarakut, grushteti i përgjakshëm në Tunizi e mbi treqind mijë viktimat e Algjerisë, ishin vetëm disa nga simptomat e dhimbshme të ashtuquajturës “Pranvera Arabe”, që edhe kjo doli të jetë një mashtrim për shoqëritë e Lindjes së Mesme.

Në fakt, pushtimi i Irakut qiti në pah një dëshirë ndërkombëtare të pathënë gjerë atëherë. Fjala e Condoleezza Rice se “Lindja e Mesme ka nevojë për një konfiguracion të ri kufijsh”, atëbotë u interpretua si “konfiguracion kufijsh gjeografik”. Ç’është e vërteta, ndryshimi i kufijve gjeografik nuk ishte as i rëndësishëm e as kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare. Kufijtë që filluan të ndryshojnë ishin kufijtë sektarë dhe kulturorë, jo ata gjeografikë. Këta kufij të rinj u bënë thelbi i politikave të reja në Lindje të Mesme, të dobishëm për fuqitë e mëdha por shumë të dëmshëm dhe tepër të rrezikshëm për shoqëritë e rajonit.

Dy vite pas pushtimit, Iraku “u nda” në tresh. Ndërkombëtarët edhe më tutje vazhdojnë të promovojnë një Irak të ndarë sektarisht dhe kombtarisht, por nuk lejohen ndarjet gjeografike. SHBA-të ndihmojnë kurdët për vetëvendosje, por kundërshtojnë krijimin e Kurdistanit për shtet të pavarur. Shiitëve u dhanë tërë aparaturën shtetërore të Irakut, ndërsa sunnitët që dikur ishin shumica e Irakut, u shndërruan në pakicë dhe në të pafuqishëm për të ndërmarrë çfarëdo hapi në dobi të tyre.

Bagdadi, djepi i civilizimit arabë, sot është bastioni shiit. Ky qytet është shndërruar në pellg gjaku ku shpërthimet vdekjeprurëse ndodhin më shumë se në të gjitha vendet tjera në botë, të gjitha së bashku. Gjithashtu, nga viti 2005, në Irak zgjedhjet organizohen mbi bazën etnike dhe sektare: sunnitët nuk lejohen të marrin pjesë në komisione zgjedhore, ndërsa për numërimin e popullsisë që këta të fundit vazhdimisht kërkojnë, as që mund të diskutohet. Sunnitët dyshojnë në rregullsinë e zgjedhjeve në të cilat gjithmonë dalin humbës.

Kur u tërhoq Ushtria amerikane nga Iraku në vitin 2011, vendin e saj e zunë paramilitarët shiitë që mbështeten nga Irani dhe të cilët veprojnë sipas platformës pan-shiite. Kjo politikë ndarëse ka dobësuar në masë jo vetëm ndikimin sunnit arab, por edhe atë etnik kurd mbi Bagdadin. Nga viti 2011, sunnitët arabë dhe kurdët e veriut që gjithashtu janë sunnitë, janë në pafuqishëm të ndikojnë në politikat zyrtare, sepse ata edhe kanë humbur hise të mëdha në burimet e naftës të cilat Bagdadi i kontrollon në mënyrë absolute.

Me futjen në praktikë të sistemit politik që bazohet mbi principin e etnisë dhe sektit, raportet mes sunnitëve dhe shiitëve janë acaruar tej mase. Sipas këtij sistemi, shiitët kanë në dorë Kryeministrinë, kurdëve u është dhënë Presidenca, ndërsa sunnitëve sa për sy e faqe u ka mbet udhëheqja e Parlamentit. Të njëjtën politikë kohë më parë Franca e kishte zbatuar në Liban, ku edhe sot e kësaj dite me Qeverinë udhëheqin sunnitët, Presidencën e kanë të krishterët, ndërsa Parlamentin Hisbullahu.

Kështu, sot Bagdadi kryekëput udhëhiqet nga shiitët dhe është nën ndikimin e Teheranit zyrtar. Nga 328 deputetë sa ka Parlamenti irakian, sipas Kushtetutës të cilën e përgatitën të huajt, shiitët duhet të jenë 183. Falë këtyre politikave sektare dhe etnike, që nga viti 2003 Iraku nuk është në gjendje të ndalë luftimet e brendshme e as shpërthimet e përditshme, sepse të gjitha këto ndodhin mbi bazën e etnisë dhe medhhebit.

Në vitin 2014, ISIS-i shpalli për kryeqytet të Shtetit Islamik, qytetin e Musulit. Menjëherë pas kësaj, me 12 qershor, lideri shiit i Irakut, Ali el-Sistani, bën thirrje për bashkimin e gjithë shiitëve, ku edhe dha rekomandimet e para për krijimin e Hashdi Shabit, lëvizje kjo ushtarake shiite.

Hashdi Sh’abi është ushtri që vepron krahas Ushtrisë së rregullt irakiane. Ky formacion ushtarak i ngjashëm e Hisbullahun e Libanit, është tmerri i sunnitëve të Irakut. Edhe pse në fillim u krijua kinse për të mbrojtur vendet e shenjta shiite, ajo sot vepron në mbarë Irakun. Synimi kryesor i Hashdi Sha’bit është ndryshimi demografik i vendit në dobi të shiitëve e në dëm të sunnitëve. Si reaksion ndaj këtij formacioni ushtarak, sunnitët krijuan dy ushtri të reja: Hashdi Ashairin dhe Hashdi Vatanin. Këto dy të fundit, përveç që luftojnë shiitët, herë pas here i dalin në ndihmë edhe ushtrisë së Shtetit Islamik të themeluar në tokat irakiane.

Në këtë rrëmujë sektare, etnike, politike e ekonomike, më në fund forcat ushtarake të fuqive të mëdha, të ndihmuara nga një koalicion prej 63 shteteve, kanë nisur një luftë të re në Irakun e djegur për më shumë se dy dekada. Ushtria irakiane, së bashku me peshmergët kurdë, kanë filluar bombardimin e Musulit. Forca të mëdha paramilitare shiite po presin me padurim futjen në Musul, ku pritet një masakër e madhe mbi popullatën e pambrojtur sunnite.

Duke u nisur nga përçarjet e mëdha sektare dhe duke marrë parasysh këmbënguljen e sunnitëve që qytetin e Musulit ta mbrojnë deri në vdekje, e sidomos duke marrë parasysh përpjekjet e ushtrisë shiite për ndryshime demografike fillimisht në Irak, pastaj në Siri, në Jemen, në Liban, në Palestinë e në vende tjera arabe, atëherë, kjo luftë që sapo ka filluar, do të jetë ndër më të përgjakshmet në Lindje të Mesme. Në këtë betejë edhe Turqia ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje. Turqia e cila arriti një marrëveshje me Qeverinë irakiane për të marrë pjesë në këtë beteje, është shpresa e vetme për dy milionë sunnitë që janë duke përjetuar tmerrin e mijëra predhave të hedhura mbi kokat e tyre.

Një gjë e re ka mjegulluar edhe më shumë hapësirën e Lindjes së Mesme. Përderisa Irani deri dje i konsideronte SHBA-të të janë “Djalli i Madh”, djalli i madh për Iranin po del të jenë sunnitët e Irakut. Irani dhe disa monarki arabe të Gjirit kanë ndezë fitilin sektarë në Irak, ku edhe më tutje ndjellin gjak të pafajshëm të irakianëve. Lufta për medhhebin sot është bërë luftë e shenjtë. Ajo është shenjtëruar për interesa politike dhe ekonomike të monarkëve dhe mbretërve të rajonit. Fuqitë e mëdha po përfitojnë me të madhe nga kjo përçarje mes myslimanëve. Sado që shtetet e Gjirit po harxhojnë miliardat në armatim, për Iranin Turqia është rrezik më i madh se së bashku të gjitha vendet e rajonit. Nga frika e afrimit të Ankarasë me Rusinë, Irani thuajse është bërë një me këtë të fundit.

Lufta e re për Musul përfundimisht do të qartëson tri momente tepër të rëndësishme:

1. Do të hedh dritë mbi raportet Iran-SHBA deri më tani të mjegulluara,

2. Do të vë në pah realitetin e acarimit në tri dekadat e fundit mes Iranit dhe sunnitëve,

3. Do të kuptohet realiteti i ri që është krijuar mes Turqisë dhe shoqërive arabe.

Sipas te parës, nëse përnjëmend Irani është afruar me Perëndimin, shiitët do të janë faktorë në rajon. Sipas të dytës, nëse Irani ka arrit të rregullojë raportet me arabët, Rusia do të fuqizohet në Lindje të Mesme. E, nëse Turqia vërtetë është bërë mike edhe politike e strategjike e arabëve (përveç që ka arritur të fitojë zemrat e sunnitëve arabë), atëherë Kurdistani vështirë se do të krijohet.

Kësaj radhe, kjo luftë, ose do ta turbullojë tërësisht Lindjen e Mesme, ose kjo luftë do të jetë një fillim i mbarë për Lindjen e Mesme…!

Artikulli paraprakViktima e ashensorit në QKUK: Falënderoj Zotin që jam gjallë (Video)
Artikulli vijuesJa si e përshkruan Ramadan Ramadani shejhun Shuhajb Arnauti