Mustafa: "Homoseksualët nuk duhet të vijnë në xhaminë tonë"

Imami i Xhamisë shqiptare të Bernës dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Shqiptarëve të Zvicrës, Mustafë Memeti është bërë një personalitet i njohur për opinionin zviceran me pikëpamjet e tij të hapura apo të themi në zhargonin global si më “light” lidhur me islamin.
Si i tillë ai ka fituar një simpati të pakontestueshme në mesin e medieve dhe politikës zvicerane.
Vitin e kaluar imami Memeti është zgjedhur “zviceran i vitit” nga gazeta “Sonntagszeitung”.
Sonte në televizionin publik të Zvicrës, SRF emetohet një emision mbi Imamin Mustafë Memeti dhe “Shtëpinë e Religjioneve”, të hapur një muaj më parë, shtëpi në të cilën ai drejton xhaminë, transmeton albinfo.ch.
Por, përveç imazhit pozitiv si njeri mendje hapur e tolerant, kësaj here, siç shkruan në portalin e srf.ch autori i emisionit, imamit shqiptar i është bërë një pyetje më e ndjeshme. Duke iu referuar motos së Shtëpisë së Religjioneve dhe xhamisë, si shtëpi e hapur për të gjithë, pyetja e gazetarit ka qenë: a është e hapur xhamia juaj edhe për homoseksualët? Dhe, Mustafë Memeti është përgjigjur negativisht: “Jo, homoseksualët nuk duhet të vijnë në xhaminë tonë. Një njeri homoseksual nuk fiton legjitimitet prandaj as bekim nga islami”.
Gazetari i prekur nga kjo përgjigje ka kujtuar rastin e priftit katolik nga komuna Bürglen. Para disa muajsh ai kishte shkaktuar një skandal duke bërë bekimin e një çifti homoseksualësh në kishën e tij. Ky rast kishte shkaktuar një debat të gjerë dhe të ashpër në opinionin zviceran, shkruan albinfo.ch. Prandaj gazetari propozon që një debat i tillë do të ishte i dëshirueshëm edhe në raport me përfaqësuesit e religjioneve tjera.
Emisioni në të cilin imami Mustafë Memeti përcillet gjatë një dite të tij të punës, në xhami po edhe në burgjet ku ai shkon për t’u ofruar shërbime fetare të burgosurve. /Albinfo
 
Artikulli paraprakSkandaloze: Ja si e diskriminuan një myslimane në aeroplan! (Foto)
Artikulli vijuesBild mbi Ramazanin: Pesë këshilla për jo-agjëruesit ndaj agjëruesve