Kujtesa e shkurtër e Obamës

Nëse nuk e nxit feja, çfarë e nxit këtë ekstremizëm të dhunshëm që po shohim sot?

Marwan Bishara

Presidenti amerikan Barak Obama preku pjesën më të madhe të temave në fjalën që mbajti rreth mënyrave dhe mjeteve të adresimit të ekstremizmit të dhunshëm gjatë një konferencë speciale për këtë çështje në Uashington.

Ai nënvizoi edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Islamin dhe e bëri të qartë se ekstremizmi i dhunshëm nuk është unik i asnjë feje, rajoni apo kulture të veçantë.

Për meritën e tij, Obama nuk u dorëzua përpara presionit të kritikëve të tij, të cilët kërkojnë që ai t’i referohet specifikimit si islamik, apo islamist, të terrorizmit të sotëm.

Përkundrazi, presidenti theksoi faktin se zbatimi i ligjit duhet të shmangë profilizimin apo stigmatizimin e myslimanëve amerikanë, të cilët janë pjesë e pandashme e shoqërisë amerikane.

Ai u zgjerua në zgjidhjet ideologjike, ekonomike, politike dhe komunitare për radikalizimin. Ai nënvizoi arsyen përse regjimet në Lindjen e Mesme duhet të heqin dorë nga politikat sektariane, që shkaktojnë tëhuajësimin, margjinalizimin dhe përfundimisht ekstremizmin.

iraq_war_20Më shumë drejtësi

Obama më tej theksoi, jo pa finesë, nevojën për më shumë – jo më pak – drejtësi dhe demokraci për të trajtuar shkaqet themelore të ekstremizmit të dhunshëm.

Prapëseprapë, presidenti neglizhoi të përmendë arsyen më të rëndësishme për radikalizimin aktual në botën myslimane.

Obama nuk tha asgjë për mënyrën se si luftërat e maskuara dhe luftëra të tjera perëndimore kanë krijuar tokën pjellore për llojin e ekstremizmit që është zhvilluar dhe përhapur në botën arabe dhe myslimane.

Apo, se si çiftimi i pushtimit sovjetik në Afganistan, bashkë me ndërhyrjen saudite-amerikane në krahun e muxhahidinëve, çoi në krijimin e al-Kaedës.

Ose, mënyrën se si pushtimi i amerikan i Irakut, çiftuar me përzierjen e Iranit, përgatiti terrenin për krijimin dhe rritjen e ISIS-it.

A është i paditur presidenti rreth këtyre zhvillimeve të zhurmshme historike? A po i mohon? Apo thjesht po e hedh fajin tjetërkund?

Në mënyrë paradoksale, ishte Obama që kundërshtoi luftën “e marrëzishme” të Irakut kur ishte senator dhe që punoi për tërheqjen e trupave amerikane kur u bë president.

Pse pra atëhere nuk e shtjelloi efektin e luftës në radikalizim?

A mos ndoshta kjo vjen për shkak se ai po përsërit të njëjtat politika ushtarake të dështuara duke urdhëruar sulme ajrore në Irak dhe Siri, madje në mungesë edhe formale të një strategjie gjithëpërfshirëse për të krijuar rrethanat e domosdoshme për një përfundim më të mirë?

americanoccupationofiraqIslami dhe lufta

Nuk ka se si të mohohet se një pjesë e madhe e ekstremizmit në botë buron nga Lindja e Mesme dhe bota myslimane në përgjithësi. Ky është fakt.

Kjo është edhe arsyeja përse mbrotja “vullnetmirë” nga ana e presidentit e Islamit ndaj akuzave për ekstremizëm të dhunshëm nuk është bindëse, për sa kohë ai nuk shkon përtej përgjithësimeve të ideologjisë, varfërisë, padrejtësisë dhe medias sociale.

Pyetja që shtrohet është: përse bota myslimane, që nga fillimi i saj 14 shekuj më parë, nuk prodhoi, apo fermentoi, këtë lloj ekstremizmi të dhunshëm që shohim sot?

Nëse nuk është feja shkaku siç argumenton presidenti, dhe unë pajtohem që ajo nuk është
, çfarë e nxit atëherë atë?

Përgjigja e shkurtër është: lufta e vazhdueshme, pushtimi dhe shtypja.

Lindja e Mesme përbën 5 përqind të popullsisë botërore, por përfaqëson të paktën çerekun e konflikteve të dhunshme në botë.

Shtetet e Bashkuara, bashkë me aleatët e saj në NATO, kanë luajtur një rol kryesor në shumë prej këtyre luftërave gjatë dekadave të kaluara, drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Për fat të keq, ashtu si ekstremizmi i dhunshëm nuk i ndahet rajonit të Lindjes së Mesme sot, ashtu nuk i ndahet dhe lufta e zhvilluar nga të njëjtat fuqi bashkë me klientët e tyre rajonalë, duke ushqyer kështu një rreth vicioz dhune dhe radikalizimi.

http://www.aljazeera.com/indepth/opinion/2015/02/obama-short-memory-150219063439269.html

Artikulli paraprakEmigrantët nuk kanë nevojë për lotët tona; kanë nevojë që ne mos I bëjmë ata emigrantë!
Artikulli vijuesGlobalizimi dhe zhdukja e dritëhijeve