Jordania: "Pranvera Arabe" mund të vijë që në janar atje

Mbreti i Jordanisë Abdullah II i druhet shumë përhapjes së mëtejshme të “Pranverës Arabe”, së cilës, sipas pikëpamjes së tij, mund t’i shërbejë krijimi i “aksit” të ri Turqi-Egjipt-Katar. Më tepër se gjithçkaje tjetër Mbreti jordanez ia ka frikën unionit të këtyre tri vendeve me “Vëllazërinë Myslimane”.

Monarku jordanez është me të vërtetë fort në merak për këtë arsye. Nëse sundimit të Assadit do t’i vijë fundi, shpërbërja e Sirisë do të jetë e pashmangshme. Dhe atëhere vala e dhunës do të përfshijë territoret e vendeve fqinje me të.

– Po flitet gjithnjë e më shpesh se vendi i radhës, ku do të fillojë diçka e ngjashme me situatën drastike siriane, është Jordania, një vend fqinj ky i Sirisë. Atje anëtarët e “Vëllazërisë Myslimane” po mbledhin plaçkat tashmë për tu vendosur, si minimum, në qeveri.

“Pranvera Arabe” edhe kështu nuk e ka anashkaluar Jordaninë. Vetëm muajin e kaluar, gjatë protestave në përleshjet me policinë, u vranë disa vetë. Demonstruesit kërkonin kryesisht uljen e çmimeve të karburantit, por ka pasur thirrje edhe për përmbysjen e mbretit.

Dhimbje më e madhe koke për Mbretin Abdullah II janë anëtarët lokalë të “Vëllazërisë Myslimane”. Në fund të shtatorit ata tentuan të organizojnë një demonstratë masive e të nxjerrin në rrugë rreth 50.000 vetë. Por Abdullah II, për të parandaluar një zhvillim të tillë të ngjarjeve, filloi bisedimet me islamikët – ata kërkojnë reformën e sistemit shtetëror dhe ndryshime në sistemin e zgjedhjeve parlamentare. Nëse Mbreti Abdullah do të bjerë dakord për një monarki kushtetuese dhe zhvillimin e reformës së legjislacionit zgjedhor, atëhere “Vëllazëria Myslimane” do të përfitojë shanse reale për të ardhur në pushtet me rrugë, mjete kushtetuese. Megjithatë mbreti ka bërë lëshime: më 4 tetor ai shpërndau parlamentin dhe premtoi se në vitin 2013 Kryeministri i vendit do të zgjidhet nga parlamentarët dhe nuk do të emërohet si zakonisht nga monarku.

Por të gjitha kompromiset e njëanshme, që pranoi Mbreti i mirëarsimuar, nuk kanë gjetur reagim adekuat në radhët e “Vëllazërisë Myslimane” – ata kanë ndërmend të bojkotojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara për datën 23 janar. Vërtetë, duhet vënë në dukje, se synimi i tyre për të nxjerrë me protesta në rrugë 50.000 demonstrues dështoi.

Megjithatë ngjarjet në vendet e tjera sugjerojnë se islamikët nuk do të qetësohen deri sa të mos marrin pushtetin në duart e tyre – me rrugë kushtetuese apo me çfarëdo lloj mënyre tjetër. Në fakt, përkeqësimi i presupozuar i situatës në Jordani është vetëm hapi i radhës në drejtim të “kaosit të kontrolluar”, strategjisë me ndihmën e së cilës Arabia Saudite dhe Katari, po mishërojnë në jetë projektin e “rikonstruktimit të Lindjes së Mesme të Madhe”./ruvr

 

*Opinionet e paraqitura ne kete artikull paraqesin reflektimin e redaksise e cila ka prodhuar artikullin dhe jo domosdoshmerisht edhe qendrimin e kohaislame.com dhe ate cfare kohaislame.com i din per te verteta.

Artikulli paraprakShkencëtarët: njerëzit vdesin më shumë nga mbipesha se sa nga uria
Artikulli vijues"Gazprom" shënoi rekordin historik të eksporteve në Evropë