Nënat e Srebrenicës: Papë Frençesku ta pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid

 Përfaqësuese të Shoqatës “Nënat e enklavës së Srebrenicës dhe Zhepës”, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) me rastin e vizitës të Papa Françeskut në Bosnje dhe Hercegovinë këtë të shtune, kanë porositur se nga kreu i Kishës katolike presin që gjatë vizitës së tij në Sarajevë vrasjet sistematike të boshnjakëve në Srebrenicë në korrik të vitit 1995 t’i quajë gjenocid.
 
Kryetarja e Shoqatës  “Nënat e enklavës së Srebrenicës dhe Zhepës”, Munira Subashiç ka theksuar se Papa Françesku, por edhe të gjithë krerët e tjerë në botë duhet të thonë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid dhe në këtë mënyrë t’ua përcjellin mesazhin gjeneratave të ardhshme që gjenocidi të mos i përsëritet asnjëherë askujt. 
 
“Sa i përket Shoqatës ‘Nënat e enklavës së Srebrenicës dhe Zhepës’, dhe në emër tim personal, le të vijë, por unë jam zhgënjyer tmerrësisht me fjalimin e mëparshëm të Papa Françeskut. Papa në fjalimin e tij para ardhjes në BeH kujtoi disa luftëra që ndodhën 100 vjet më parë, dhe nuk e kujtoi Srebrenicën, gjenocidin në Srebrenicë, dhe çfarë ka ndodhur me ne, dhe se 20 vjet plagët tona rrjedhin gjak, si dhe që akoma nuk kemi përjetuar, e është dashur të përjetojmë që gjenocidin ta dënojnë të gjithë, edhe Papa edhe të gjithë krerët e tjerë të botës, të thonë se në Srebrenicë me të vërtetë ka ndodhur gjenocidi, dhe të dërgojnë mesazh që diçka të mësohet nga ky gjenocid, dhe të mos harrohet asnjëherë, dhe të mos përsëritet asnjëherë”, ka thënë Subashiç. 
 
Ajo vuri në dukje se pret që Papa Françesku do të tërheqë vëmendjen në mohimin e gjenocidit në Srebrenicë në mënyrë që përfundimisht të të mbarojë kjo, siç e çuan, praktikë te dëmshme dhe me qëllim të keq.
 
“Ja, kaluan 20 vite që e shënojmë gjenocidin në Srebrenicë. Papa duhet në mesazhin e tij të thotë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, dhe duhet të thotë që të sillet ligji për ndalimin e mohimit të gjenocidit në mënyrë që të kemi një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur, si në BeH ashtu edhe në Ballkan. E dimë që ne në Ballkan kemi qenë pakicë, njëjtë siç ishin hebrenjtë. Është kryer holokausti, ashtu edhe gjenocidi. Të gjithë e kanë dënuar atë çfarë u ndodhi hebrenjve, por ajo çfarë na ndodhi neve, muslimanëve, shumë rrallë dënohet”, theksoi Subashiç. 
 
Kada Hotiç nga Shoqata “Nënat e enklavës së Srebrenicës dhe Zhepës” ka thënë se beson që Papa Françesku do të dënojë praktikat e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, që janë, siç tha, akoma të pranishme në BeH. 
 
“Mendoj se Papa do të sjellë mesazhin ku do të dënohen praktikat e mohimit dhe fjalime të tilla, para se gjithash, nga pala serbe, dhe atyre që e mohojnë të vërtetën”, tha ajo. 
 
Papa Françesku do të vizitojë Sarajevën të shtunën, më 6 qershor, ku do të takohet me krerët e shtetit, përfaqësues të të gjitha bashkësive fetare në BeH. Papa në stadiumin e Sarajevës Koshevo do të mbajë meshën qendrore dhe predikim.
Artikulli paraprakThaçi në interpelancë për demarkacionin me Malin e Zi
Artikulli vijuesBerlin: Sisit iu tha në fytyrë nga gazetarja se në Egjipt nuk ka drejtësi dhe liri