Arsye pafund për të protestuar më 13 Qershor!

Semir PAJAZITI

Maqedonia është duke lundruar drejt ujrave të trazuara dhe është vështirë nga ky këndvështrim kohor të jep konstatim se në cilën rrugë është duke shkuar por një gjë është e sigurt se nuk është duke shkuar në rrugën për të cilët shqiptarët janë të bindur se është rruga e drejtë-ajo e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Po tek e fundit në këto rrethana për shqiptarët në Maqedoni është shumë pak e rëndësishme rruga evropiane kur të drejtat elementare të shqiptarëve janë të shkelura nga kjo qeveri diktatoriale. Shqiptarët jo vetëm që në letër por edhe defakto janë shum larg barazisë në këtë shtet. Jemi dëshmitarë se po montohen raste gjyqesore që po i përdorin shqiptarët për kurban siç janë rasti i Sopotit, Brodecit, Komandant Harun Aliut, rasti Monstra, dhe rastet e shumë ish luftëtarëve të UÇK-së që po mbeten burgjeve të Maqedonisë në harresë të plotë nga politka. Këto raste që përmenda janë të gjitha pas vitit 2001, pas luftës ku shqiptarët e fituan në fushbetejë për të qenë të barabartë në këtë shtet por që pas 14 viteve shihet se e humbëm në tavolinë. Kur kësaj politike fashizoide ja shtojmë edhe rastet e para 2001 siç janë Ladorishta, Bit Pazari, Gostivari etj ejt, konstatojmë se gjyqësia e Maqedonisë ka bërë “reformë” vetëm në metodën se sa më tepër të dënojë shqiptarët dhe përmes sistemit juridik shtetror të na paraqesë neve si popull që duhet të vuajmë edhe pa patur faj. Kjo është një nga arsyet pse unë dhe të gjithë neve duhet të PROTESTOJMË.  Çështja tjetër pse duhet të protestojmë është fakti se të gjitha partitë shqiptare kanë punuar jo si të barabartë në pushtet por si vasal dhe të dëgjueshëm duke u joshur nga kolltuqet e buta dhe jo nga puna që duhet të bëjnë për popullin, duke nënçmuar shqiptarët dhe duke degraduar të gjitha vlerat qoftë ato arsimore, profesionale, kombëtare dhe kulturore. Kjo është një arsye tjetër pse duhet të PROTESTOJMË!  E treta, partitë politike shqiptare arritën nga mosdija dhe joshja për pushtet të ngrenë sistem diktatorial në Maqedoni duke ndihmuar njëra parti shqiptare nga pozita e pushtetit ndërsa tjetra nga pozicioni i opozitës që i shërben si patericë kësaj qeverie.  E katërta, kemi motiv akoma më të madh për të protestuar jo vetëm kundër kësaj qeverie dhe dështakëve politik por që të kthejmë shpresën te githë shqiptarët se mundemi dhe duhemi të bëjmë ndryshimin. Se ndryshimi nvaret vetëm nga ne shqiptarët dhe jo nga partitë maqedonase.  Ditëve të fundit jemi duke lexuar reagime dhe kundërshtime rreth protestave të 13 qershorit që do mbahen në Shkup. Shumica që janë kundër këtyre protestave po dëshmojnë se nuk mund ta tejkalojnë vetveten dhe për një moment nga politikanë të bëhen qytetarë, nuk mund të pranojnë se fitorja më e madhe e politikës është atëherë kur fiton populli. Duhet të jemi të vetdijshëm se edhe këto protesta ndoshta janë të vonuara sepse ne kemi motiv që për çdo ditë të protestojmë, ne nuk duhet të presim që partia opozitare maqedonase të na zgjedhë problemet tona. Kërkesa tona janë të qarta, dëmin shqiptarët duhet ta kërkojnë në mesin e vet, në këtë rast shqiptarët janë të dëmtuar nga partitë politike BDI dhe PDSH. Ne duhet të protesojmë kundër klientelizimit të këtyre partive, kundër krimit që ato kanë bërë, kundër korrupcionit që kanë kultivuar, kundër nënçmimit që na kanë bërë, kundër bandave që kanë instaluar. Ne kemi nevojë për përfaqësim i cili niset nga parimet e popullit dhe në çdo kohë do jetë në të mirë të popullit. Boll është folklorizmi dhe fjalët boshe që degjojmë në 14 vitet e fundit. Tani është koha që të ngremë zërin dhe të tregojmë se nuk do lejojmë që për fatin tonë të vendosin njerëz të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, të korruptuar dhe të kriminalizuar.  Të dalim të gjithë në 13 Qershor, në mes të Shkupt dhe ti themi STOP të gjitha padrejtësive që është duke i bërë kjo qeveri kundër ne shqiptarëve.

Artikulli paraprakPiktura e Da Vinçit dhe Zoti!
Artikulli vijuesPse protestoj!