Shën Valentini si spektakël i absurdit

Ergys Mërtiri

Shën Valentini është ndoshta nga të paktat festa që provokojnë një gjendje humori te një masë e madhe njerëzish. Kur dikush merr iniciativën për të uruar këtë ditë, ajo shoqërohet shpesh me një moment stand-by, gjatë të cilit bashkëbiseduesi ndalet fillimisht të hetojë nëse tjetri e ka seriozisht, derisa të kthejë një përgjigje. Si e tillë, ajo është kthyer për mjaft njerëz në një ditë të ngjashme me 1 prillin, ku kryefjala është tallja dhe shakaja.
Natyrisht, komizmi është bashkëshoqërues i pandashëm gjatë një feste të mbushur me simbole fëmijërore si zemra, trëndafila, arusha, puthje, përkëdhelje… Të qeshurat nuk mund të mbahen kur sheh aty-këtu individë të angazhuar seriozisht në ritualet e festës, me të gjithë arsenalin teatral të staturës kalorsiake ceremoniale që përgjithësisht kërkohen në raste të tilla.
Paradoksi qendron që në premisë, për shkak se festa në përgjithësi, si fenomen kolektiv, nuk përputhet me natyrën intime të objektit të gëzimit, i cili konsumohet në veçim nga bota. Ekspozimi i intimitetit si kult publik, nuk mund të mos shoqërohet me nota teatrale, të cilat natyrisht që e bëjnë komik. Paradoksi në Shqipëri shtohet edhe më shumë kur festa gjen përhapje, krah për krah me agresivitetin dhe dhunën që shoqëron përditshmërinë tonë. Një shoqërie që njeh si vlerë vetëm paranë, pushtetin, dhunën, epshin, nuk i shkon t’i gëzohet në këtë mënyrë kultit të dashurisë. Realiteti ynë i përditshëm e imponon këtë. Duket jopak cinike të festosh dashurinë në këto kushte, me burgje e tritol nëpër këmbë.
Pyetja shtrohet, si ndodh që data vazhdon mbetet e shënuar? Kush e merr seriozisht?
Për këtë, të ndihmon sigurisht televizori. Turma njerëzish nga periferitë e Tiranës, me kuç e me maç, me gra e fëmijë, me pleq e me plaka, ia mësyjnë këtë ditë kodrave të liqenit artificial, ku shtrohen familjarisht e farefisnisht përtokë nëpër bar me byrekë, bërxolla e birra, shpesh me magnetofonë me bateri që buçasin nga tingujt më të fundit të turbofolkut. Liqeni ngjan si një zgjua bletësh, xixëlluar nga ngjyrat e ndezura të festuesve, kontrastet e streçeve leopardata apo xhinglat metalixato të aksesorëve të fustaneve femërore. Tirana duket e pushtuar nga alienë që nuk dihet nga dalin e se ç’kushtrim i ka nxjerrë në sipërfaqe duke i bërë bashkë në një vend.
Kjo nuk të habit gjithsesi. Eshtë një turmë që e dëshmon ekzistencën gjithmonë në të tilla raste, si p.sh: nata e bardhë, dita e verës dhe sidomos në mitingjet e partive, duke dëshmuar njëkohësisht një Tiranë tjetër që frymon, e dukshme dhe e padushme, në përditshmërinë tonë. Është një rast i mirë ky, për të vëzhguar pjesë të panjohura të kryeqytetit, nga ku pse jo, mund të vendosësh edhe piketat e pikënisjeve të një programi elektoral. Fundja, kur tallemi me gafat dhe injorancën e politikanëve, nuk duhet të habitemi sesi vallë kanë arritur të jenë në këto poste.
liqeni_artificialFytyrat e kuqe të festuesve tregojnë sesa shumë i lumturohen jetës së metropolit, duke iu gëzuar një dite që, në fakt, presupozon të paktën intimitet e veçim nga kopeja. Procesioni vazhdon me dendje në yndyrë e alkol deri në mesditë, për t’u shkulur më pas prej andej tufa-tufa drejt periferive, duke lënë pas një masakër abientale mbeturinash plastike e ushqimore që e bëjnë mjedisin të duket si një fushëbetejë. Pas një lodhjeje rropatëse gëzimi turmat i rikthehen përtueshëm fjetoreve, teksa heqin picir për të kapur autobusët e periferive, të ngarkuar si kurrë ndonjëherë me njerëz barkplot e frymëfermentuar. Ky është rituali i rikthimit në jetën e vërtetë të mbushur me vanitet, halle, probleme, konflikte, shpesh edhe dhunë në familje e jashtë saj.
Në fakt, vetë festa është krejt pa kuptim ndaj dhe absurdi i mënyrës shqiptare të të festuarit, gjen konvergim me kotësinë e saj. Festa të tilla janë produkt i komercializimit të shoqërive, ku pushteti i supermarketit dhe televizionit bëhet i padiskutueshëm. Tregu prodhon festën me gjithë motivet, ceremonitë e aksesorët e saj. Mbi të gjitha prodhon nevojën, dëshirën apo edhe rutinën e të festuarit. Turmës i mbetet vetëm të bindet. Nënshtrimi dhe absurdi shkojnë deri aty sa, në shumë raste, edhe institucionet arsimore, përfshi këtu edhe shkollat 9-vjeçare, bëjnë shpesh mësim me orë të shkurtuara, për t’u krijuar fëmijëve mundësi të festojnë. Një industri e tërë, që nga kinematografia, bota e spektaklit, televizionit, marketingut etj, vepron mbi ne, duke na ndikuar sjelljen tonë. Rrjedhimisht kemi pak mundësi për t’i rezistuar presionit të këtij turmizimi, masivizimi kulturor.
Sigurisht, tregu prodhon edhe antagonizmin, duke projektuar të kundërtën e vet si kundërpeshë të një dialektike ku ai sundon. Ashtu si në çdo dukuri tjetër konsumiste, zërat që i kundërvihen shën Valentinit, kudo në botë, dëgjohen madje kërkohen nga mediat këto ditë. Festa shoqërohet edhe me debat. Ka njerëz që madje shkruajnë e diskutojnë në media mbi kotësinë e festave të tilla. Por kjo në fakt shndërrohet automatikisht në pjesë të sistemit duke kontribuuar gjithsesi në krijimin e atmosferës së një dite të veçantë. Angazhimi i vetvetishëm i shumë njerëzve për të tallur e thumbuar festuesit duket si dëshmi e pjesëmarrjes, qoftë edhe nëpërmjet refuzimit në atmosferën e kësaj feste, të gatuar nga shiringat e tregut. Vetë ky shkrim është gjithashtu pjesë e këtij realiteti absurd ku fjala dhe heshtja humbasin vlerën që kanë në vetvete, për t’i dhënë vlerë absurdit që prodhon shoqëria e konsumit dhe autori është i vetëdijshëm për këtë.

Artikulli paraprakDemokristianët i bashkojnë forcat
Artikulli vijuesInterneti kontrollohet nga 14 persona