Turqia dhe problemet e demokracisë në vendet myslimane

Më datë 7 qershor 2015, në Turqi, shembulli i vetëm i demokracisë në vendet myslimane, u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme pluraliste për legjislaturën e 25-të të Kuvendit të Madh Popullor dhe qeverinë e 63-të të vendit.
 
Populli turk, 99% e të cilit është mysliman, gëzon një përvojë demokratike me rrënjë deri në periudhën osmane të shekullit të 19-të. Qeveritë në Turqi formohen dhe ndryshohen nëpërmjet zgjedhjeve, ku pasqyrohet vullneti i popullit. Ashtu si dhe në demokracitë perëndimore, në zgjedhje konkurrojnë mbi 10 subjekte politike me vizione dhe ideologji të ndryshme, ndërmarrin fushata elektorale, bëjnë propagandën e tyre nëpërmjet mediave dhe në fund, ato më bindëset arrijnë të marrin votat e zgjedhësve dhe drejtimin e vendit.
Këto mund të duken si punë të zakonshme dhe pa rëndësi për vendet demokratike perëndimore, por janë zhvillime të konsiderueshme për vendet myslimane me mbi 1,5 miliardë banorë. Sepse demokracia mungon në pjesën dërrmuese të botës myslimane. Përvoja demokratike e Turqisë, vend ky që renditet mes shembujve të paktë në hapësirën gjeografike myslimane, mund të cilësohet si më e vjetra dhe më e zhvilluara.
Sigurisht që në Turqi nuk mund të pretendojmë për një demokraci të përkryer. Grushtet e shtetit kanë rrëzuar plot 4 herë qeveritë dhe parlamentet e zgjedhura nga populli, duke i zëvendësuar ato me qeveri, ligje dhe regjime ushtarake. Liria e shprehjes, të drejtat e njeriut dhe veprimtaritë e shoqërisë civile, të cilat përbëjnë elementët më themelorë të demokracisë, janë penguar ose kufizuar deri në vitet e fundit. Vetëm zhvillimet revolucionare të dekadës së kaluar kanë arritur të reduktojnë shumicën e këtyre problemeve demokratike. Si shembull për këtë mund të paraqesim 3 zgjedhjet e mëdha, që janë mbajtur në Turqi gjatë viteve 2014-2015; ku ushtria nuk ka bërë asnjë lloj ndërhyrjeje, partitë politike kundërshtare kanë mundur të konkurrojnë njëra-tjetrën, mediat e të tëra rrymave kanë realizuar lirshëm transmetimet e tyre dhe OJQ-të kanë mbështetur cilën parti apo lëvizje kanë dashur. Rezultatet, që kanë dalë në pah nga të gjitha këto procese elektorale, kanë qenë zgjedhje demokratike dhe, ashtu si në regjimet demokratike, drejtuesit e vendit janë përcaktuar me vullnetin dhe vendimin e lirë të popullit.
Realisht, në shumë vende islame mbahen zgjedhje dhe nëpërmjet tyre formohen parlamente, krijohen qeveri, madje ka dhe sisteme pluraliste. Si shembull për këtë mund të paraqesim Pakistanin, Indonezinë, Iranin, Malajzinë, Bangladeshin dhe shumë vende të tjera islame, ku nuk mungojnë institucionet, parimet, proceset dhe aktorët, që konsiderohen si elementë esencialë të demokracisë. Në pothuajse të gjitha këto shtete, demokracisë i atribuohen vlera, edhe pse simbolike. Kurse në disa vende islame, institucionet dhe parimet demokratike nuk janë formuar ende. Një shembull konkret për sa më sipër përbëjnë shtetet e Gjirit Persik. Ato qeverisen me mbretëri ose sheikate (vend ku sundon një sheik) dhe drejtuesit nuk përcaktohen nga proceset zgjedhore dhe zgjedhësit. Këto shtete kanë sistemet e tyre karakteristike të qeverisjes.
Të gjithë këta shembuj tregojnë qartë se vendet islame përballen me probleme mjaft serioze, pavarësisht se në nivele të ndryshme. Siç dihet, demokracia turke qëndron shumë më lartë sesa shumë vende të tjera, megjithatë edhe ajo ka disa probleme, sidomos në implementim. Për këto probleme flitet gjatë e gjerë në literaturën shkencore lidhur me Turqinë dhe vendet islame. Nëse do të hartohej një listë e problemeve në fjalë, ato do të përmblidheshin në këto 6 pika, që pranohen si veçori kryesore të demokracisë:
1- Administrata ose qeverisja civile
2- OJQ-të dhe aktivitetet e tyre
3- Liria e shprehjes
4- Kushtetuta universale ose moderne
5- Sundimi i ligjit
6- Konkurrenca e drejtë dhe e barabartë
Një pjesë e shkaqeve të problemeve të demokracisë në vendet myslimane burojnë nga faktorët historikë dhe politikë, ndërsa pjesa tjetër nga nocionet dhe zbatimet, që vijnë si pasojë e interpretimeve ndryshe ose të gabuara të islamit.
Shkaku i parë i problemeve të demokracisë në vendet myslimane është trashëgimia kolonialiste dhe imperialiste, që vazhdon të ketë ndikim në pjesën dërrmuese të këtyre shteteve. Regjimet e instaluara në fillim të shekullit të 20-të nga vendet perëndimore ishin përgjithësisht autoritare, totalitare dhe militariste. Sistemet njëpartiake, monopoliste dhe pushtetet e përqendruara tek një person, që zunë rrënjë gjatë këtij procesi, tashmë janë kthyer në barriera gati të padepërtueshme për demokracinë. Shembullin më tipik dhe aktual në këtë kontekst sot e shohim në Egjipt. Administrata e Muhammed Morsit, i cili ishte zgjedhur me votat e popullit dhe kishte paraqitur për Egjiptin shansin e demokratizimit, u rrëzua me grusht shteti dhe u zëvendësua me një qeveri ushtarake. Por ajo më e çuditshmja në gjithë këtë katrahurë është se udhëheqja puçiste e Gjeneralit Sisi nuk u kritikua aspak nga vendet perëndimore, madje u konsiderua si një zhvillim i zakonshëm. Këto lloj zbatimesh antidemokratike, lista e të cilave në të vërtetë është shumë e gjatë, rezultojnë pengesa më serioze në rrugën drejt tranzicionit të vendeve myslimane në demokraci.
I dyti shkak ka të bëjë me vlerësimet, interpretimet dhe konceptet shumë negative, që ekzistojnë në vendet myslimane lidhur me demokracinë dhe liritë. Disa koncepte, që burojnë nga interpretimet e gabuara ose ndryshe të islamit, kryesisht pengojnë dhe në rastin më të mirë kufizojnë përbërësit thelbësorë të demokracisë; siç janë shoqëria civile, liria e shprehjes, kushtetuta dhe të drejtat e njeriut. Një shembull në lidhje me këtë problem vërehet qartë në retorizmin e organizatave terroriste si DAESH-i. Si pasojë e interpretimeve të tilla, kultura demokratike në vendet myslimane nuk ka mundur ose nuk lejohet të zhvillohet.
Ndoshta këtu qëndron edhe dallimi embrional ndërmjet Turqisë dhe vendeve të tjera myslimane. Turqia ka përvetësuar dhe zhvilluar një numër të madh institucionesh e parimesh demokratike që prej periudhës osmane të shekullit të 19-të, ku veçanërisht ia vlen të përmenden konstitucionalizmi, parlamentarizmi, zgjedhjet e lira dhe sistemi pluralist. Në këtë pikë duhet theksuar gjithashtu se Turqia është një vend aspirues i oksidentalizimit dhe sidomos evropianizimit që nga qindvjeçari i 19-të. Po ashtu, duhet pasur gjithnjë parasysh se anëtarësimet në Këshillin e Evropës e NATO, por edhe statusi i vendit kandidat për në BE, janë faktorë substancialë për demokracinë turke.
 
Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll
Artikulli paraprakKëshillat e mjekut përpara fillimit të Ramazanit
Artikulli vijuesKëshilla të vlefshme për mposhtjen e etjes gjatë Agjërimit të Ramazanit në ditët e nxehta verore