Intervistë ekskluzive me kryeimamin e Kosovës

D.SINANAJ
I nderuari Kryeimam Bajgora, Islami i jep shumë rëndësi diturisë, na tregoni se si feja Islame i inkurajon njerëzit të mësojnë dhe cila është rëndësia e diturisë në Islam? 
 
S.Bajgora:
Duke u nisur nga fakti se fjala e parë e zbritur nga Kurani, është fjala “Ikre”-“Lexo”, kjo tregon më së mirë se çfarë rëndësie i dha Islami diturisë dhe urtësisë. Meqë jemi Ymeti i fjalës “Lexo”, atëherë shohim se Muslimanët, të prirë nga ndjenjat arsimdashëse, burimin inspirativ të të cilave e gjenin përherë në ajetet kuranore, e kuptuan shumë drejt porosinë e Allahut xh.sh. Ajetet e shumta që flasin për diturinë dhe për dijetarët, inspiruan mendjet më të ndritura islame që të shkruajnë me penat e tyre vepra e vepra të çmuara e të vlefshme, që për shumë shekuj me radhë shërbyen si literatura burimore për shkencën e atëbotshme botërore.
Pikërisht për këtë arsye, tek Allahu, më e vlefshme është ngjyra e penës me të cilën shkruajnë dijetarët, sesa gjaku i dëshmorëve, prandaj i Lartmadhërishmi në Kuran thotë: “Allahu i lartëson ata që besuan prej jush, e i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri.”.
 
 
D.SINANAJ
I nderuari Kryeimam, kur jemi tek dituria, nxënësit dhe studentët tanimë vetëm janë në pushime ,cila do të ishte këshilla juaj për këta nxënës të dijes, që të kalojnë një pushim sa më të dobishëm në jetën e tyre? 
 
S.Bajgora:
Leximi është çelësi i diturisë dhe i arsimimit. Andaj i këshilloj të lexojnë libra të ndryshëm, që mund të kenë në impakt në jetën e tyre, në të ardhmen. Popujt që kanë njohur ngritje civilizimesh, kanë qenë popujt të librave e të diturive të ndryshme. Gjeneratat e reja të studentëve, duhet ta largojnë njëherë e përgjithmonë imazhin e keq që e gëzojnë shqiptarët në botë, si popull që nuk lexon shumë. Brezi i ri që po vjen është shumë premtues, dhe kur ky zell, shoqërohet edhe me ndjenjën e lindur të dashurisë ndaj fesë, atëherë , suksesi kurrë nuk do të mungojë. 
 
D.SINANAJ
I nderuari Kryeimam, ne ju falëmenderojmë shumë për këtë intërvistë dhe kemi nderin që kishim në intervistë Kryeimamin e Bashkësis Islame të Republikës së Kosvës Sabri Bajgora dhe sigurisht meqë jemi thuajse në fund të muajit të bekuar të Ramazanit, do të na këshillosh më disa fjalë se si ti kalojmë edhe këto ditë tê Ramazanit?
 
S.Bajgora:
Tashmë veç kemi hyrë në dhjetë ditët dhe netët më të bekuara të Ramazanit (dhjetëshi i fundit). Shpresoj që në të gjithë të arrijmë kënaqësinë e Allahut me ibadetet tona të çiltra e të sinqerta.. Në këto net të mëdha , gjendet edhe Nata e Madhe e Kadrit, prandaj është mirë që ne të jemi sa më shumë në adhurim, në namaz e lexim të Kuranit, duke u lutur për veten, familjet tona dhe për të gjithë muslimanët e botës. Allahu na e mundësoftë ta arrijmë Vlerën dhe fadiletin e Natës së Kadrit.

Dardan Sinanaj/kohaislame.com

Artikulli paraprakIntervistë me hoxhën Enis Rama mbi vlerën e Natës se Kadrit dhe 10-shën e fundit të Ramazanit
Artikulli vijuesIftari i fundit për 45 militantë të ISIS