Mënyrë e re revolucionare për ta luftuar kancerin?

Hulumtuesit besojnë se e kanë gjetur një mënyrë revolucionare për ta përforcuar sistemin imunitar të trupit, duke i mundësuar atij potencialisht që ta luftojë çdo lloj kanceri apo virusi.
 
Një proteinë “krejtësisht e panjohur” u zbulua nga shkencëtarët në Imperial College në Londër dhe ata shpresojnë që brenda 3 vitesh të fillojnë me provat e një terapie të re gjenetike për njerëzit, përcjell Daily Telegraph.
 
Sistemi imunitar mundohet ta luftojë kancerin me qelizat T, por zakonisht e humb betejën. Megjithatë, proteina, e quajtur me emrin molekulë zgjeruese limfocitare (LEM), e mundëson prodhimin e një numri shumë më të madh të qelizave T – mjaftueshëm për ta mposhtur kancerin ose llojet e tjera të sëmundjeve, transmeton Koha.net.
 
Prof. Philip Ashton-Rickardt, nga Imperial, i cili e udhëhoqi studimin e publikuar në revistën Science, theksoi: “Kjo është emocionuese, sepse e kemi gjetur një mënyrë krejtësisht të ndryshme për ta përdorur sistemin imunitar për ta luftuar kancerin. Kjo mund të jetë revolucionare për trajtimin e një numri të kancereve dhe viruseve të ndryshme. Kjo është një proteinë krejtësisht e panjohur. Askush nuk e kishte parë ndonjëherë atë më parë apo të ishin të vetëdijshëm se ajo ekzistonte. Ajo duket dhe vepron si asnjë proteinë tjetër.”
 
Proteina është gjetur derisa po ekzaminoheshin minjtë me mutacione gjenetike. Minjtë me një mutacion të veçantë prodhuan sa 10 herë numrin e qelizave T dhe kjo u lidh me proteinën, e cila është gjithashtu prezente tek njerëzit.
Dr. Mike Turner, kreu i departamentit për infeksion dhe imunobiologji në The Wellcome Trust, tha se zbulimi ishte “fascinues”.
 
“Hulumtimet e mëtejshme në modelet e kafshëve janë të nevojshme para se të mund të fillojnë provat në njerëz, por ka potencial për një lloj të ri të trajtimit që kontribuon në aftësinë e lindur të sistemit imunitar për t’i zbuluar dhe shkatërruar qelizat abnormale,” tha ai.
 
Kurse dr. Alan Worsley, zyrtar i lartë shkencor i informacioneve në Cancer Research UK, deklaroi: “Kjo punë ngazëlluese në minj është ende në një fazë fillestare dhe lidhet vetëm me një lloj të kancerit. Kanceri shpesh e gjen një mënyrë për ta rrënuar sistemin imunitar, por ilaçet që e kapërcejnë këtë dhe i lejojnë qelizat imune që ta shënjestrojnë kancerin janë mjaft premtuese.
 
Hulumtimet në biologjinë e sistemit imunitar mund të ndihmojnë që të zhvillojnë trajtime më efektive duke e rritur numrin e qelizave të imunitetit kancer-vrasëse.
 
Hulumtuesit tani duhet ta kuptojnë se si të zhvillojnë ilaçe që e shënjestrojnë këtë molekulë, dhe nëse kjo do të ishte e sigurt dhe efektive tek pacientët me kancer.”/Koha
Artikulli paraprakRenaulti prezanton konceptin e ri
Artikulli vijuesSi mbron mjekra