Si trashëgimi e aleancës nga periudha e Luftës së Ftohtë, që filloi në vitet e 60-ta, rreth 20 mijë femra ruse janë të martuara në Siri. Kjo diasporë e pazakonshme ofron një pamje të brendshme për marrëdhëniet mes dy vendeve, një diasporë e cila e detyron Kremlinin që të ngurrojë që të heq dorë nga presidenti i Sirisë, Bashar Al Assad. Popullata ruse në Siri është rezultat i eksperimentit që filloi në vitin 1963, kur në pushtet u ngrit Partia socialiste Baath.
Në bllokun e banesave me ngjyrë jasemin ë qytetin port të Sirisë, Latakia, Natalia jeton tri dyer më larg se Nina, dy dyer më larg se Olga, përtej një rrugice të ngushtë nga Tatiana dhe një ecje të shkurtë nga Jelena, Faina dhe Nadezhda. Janë të gjitha këto femra nga ish-Bashkimi Sovjetik, të cilat janë martuar me meshkuj sirianë. Marrë në përgjithësi, si trashëgimi e aleancës nga periudha e Luftës së Ftohtë, që filloi në vitet e 60-ta, rreth 20 mijë femra ruse janë të martuara në Siri, si rezultat i përzierjes që filloi në konviktet dhe shkollat sovjetike të asaj kohe.
Kjo diasporë e pazakonshme ofron një pamje të brendshme për marrëdhëniet mes dy vendeve, një diasporë e cila e detyron Kremlinin që të ngurrojë që të heq dorë nga presidenti i Sirisë, Bashar Al Assad. Rusia ka interesa strategjike në Siri, përfshirë këtu edhe kontratat për shitjen e armatimit, të cilat arrijnë vlerën prej 700 milionë dollarë në vit dhe portin e vogël në Detin Mesdhe, i cili është baza e fundit ushtarake e Rusisë, jashtë territorit të ish-Bashkimit Sovjetik.
Por ekziston edhe faktori njeri, i cili filloi të ndërthuret para 5 dekadave, kur lidhjet shoqërore u vendosën mes të rinjve, të cilët u takuan në kolegj. Shkoni në ndonjë ministri të qeverisë së Sirisë apo në selitë e ndërmarrjeve në Siri dhe pothuajse me siguri do të takoni meshkuj, të cilët moshën e rinisë e kanë kaluar në Rusi. Shumë prej tyre kanë sjellë në shtëpi bashkëshorte dhe kanë rritur fëmijët e tyre nëpër shtëpi, në të cilat është folur gjuha ruse.
“Janë bashkëshorte të pjesëtarëve të elitës, të cilat mund të kenë ca ndikim, por është ky një ndikim in butë. Elita e Sirisë, meshkujt, është tejet e orientuar kah Rusia”, thotë Nina Sergejeva, e cila deri së fundi ka kryesuar një organizatë të rusëve në mërgim, nga shtëpia e saj në Latakia.
Në momentin kur konflikti në Siri po vazhdon t’i shmanget zgjidhjes diplomatike, vlerësohet se rreth 30 mijë qytetarë rusë jetojnë në këtë vend, pjesa më e madhe prej tyre gra dhe fëmijë. Është kjo një çështje me të cilën Moska edhe në të kaluarën është përballur në Lindjen e Mesme, kur shembja e qeverive aleate me sovjetiket bëri që qytetarët rusë të mbetën të ngujuar në këtë rajon. Por nuk është përballur asnjëherë me gjëra të këtij proporcioni, pasi që vuajtjet e rusëve etnikë mund të dëshmohen si një turpërim serioz për Moskën.
“Duke pasur parasysh përvojat e evakuimit nga Libani dhe Palestina gjatë viteve të fundit, gjithmonë janë shfaqur probleme-edhe pse këtu nuk është folur për mijëra apo dhjetëra mijëra njerëz, por për disa qindra. Sfida e evakuimit të rusëve nga Siria do të jetë 100 herë më e rëndë”, thotë Yelena Suponina, analiste politike në Moskë, e specializuar për Lindjen e Mesme.
Popullata ruse në Siri është rezultat i eksperimentit që filloi në vitin 1963, kur në pushtet u ngrit Partia socialiste Baath. Sovjetikët ofruan edukim për studentët më të mirë nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine, duke i përzier ata me studentët sovjetikë në brigadat e punës dhe “mbrëmjet e miqësisë”.
Synimi ishte që të farkëtohet një elitë globale pro-sovjetike; rezultati i menjëhershëm ishin martesat. Femrat e reja ruse emigruan si bashkëshorte të mjekëve, profesorëve dhe zyrtarëve.
“Sovjetikët ju thanë lamtumirë dhe i konsideruan si të humbur”, thotë Natalia Krilova, historiane, e cila ka shkruar për popullatën ruse në Afrikë.
Martesat mes sirianëve dhe ruseve ishin të shumta-dhe atë jo vetëm për arsye gjeopolitike, Shumë sirianë kanë krijuar përshtypjen se janë transformuar gjatë kohës së kaluar në Rusi, e gjithashtu janë përpjekur që t’i shmangen martesave me pagesë, të zakonshme në Lindjen e Mesme. Mahmoud Al Hamza, i cili bashkëshorten e tij, Nadezhda, e ka takuar në një park në Moskë, në vitin 1971, thotë se për t’u martuar me një siriane, “mashkulli është dashur të ketë banesë, të paguante para, ti blinte ari, ndërsa për një nuse ruse nevojitej vetëm unaza”.
Nga ana tjetër, femrat ruse kishin arsyet e tyre për të ndjekur meshkujt sirianë-meshkuj që nuk konsumonin alkool, të cilët falë marrëdhënieve të mira të partisë Baaath me komunistët rusë, udhëtonin pa vështirësi brenda dhe jashtë Bashkimit Sovjetik. Një valë e re e martesave pasoi pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, pasi që femrat e reja ruse kërkonin shtegdalje nga kaosi ekonomik.
Familjet ruso-siriane u zhytën në konfliktin e ashpër para 16 muajve, kur qeveria e Assadit filloi të shtyp protestat anti-qeveritare.
Kisha ortodokse ruse gjithmonë ka mbështetur qeverinë e Assadit, duke theksuar se ajo mbron pakicat religjioze nga islamistët radikalë.
Në shkurt, kur Rusia bllokoi një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të cilën kërkohej largimi i Assadit, përfaqësuesi kryesor i Kishës Ortodokse në Siri u ankua se familjet ruse po largohen nga Siria dhe se femrat ruse janë fyer në disa lagje të Damaskut.
Një nga aspektet më të vështira, pas 50 viteve të martesave të përziera, vija ndërmjet asaj se kush është rusë dhe kush jo, është vështirë të zbulohet, nëse kjo fare është e mundur, shkruan “New York Times”, citon Express.