Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, do të vizitojë sot Pakistanin, për herë të parë prejse është zgjedhur vitin e kaluar.
Ai ka vizituar sot Kabulin, ku ka takuar presidentin afgan, Ashraf Ghani, dhe i është adresuar Parlamentit.
“Këtë pasdite do të takoj edhe kryeministrin (e Pakistanit) Nawaz Sharif në Lahore”, ka shkruar Modi në Twitter.
Pakistani po ashtu ka konfirmuar vizitën e Modit.
“Detajet e takimit janë në përpunim e sipër”, ka thënë për televizionin shtetëror zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Qazi Khalilullah.
Modi do të jetë kryeministri i parë i Indisë që viziton Pakistanin qysh në vitin 2004.
Së voni, India dhe Pakistani janë pajtuar që të rinisin bisedimet për paqe, pas dekadave të marrëdhënieve të tensionuara, për shkak të kontesteve kufitare dhe akuzave për terrorizëm.