Ky është një tregim i cili dëshmon më së miri për respektin ndaj veprës, karakterit dhe emrit të Muhamedit a.s. të brezave të vjetër myslimanë.
Thuhet se një nga kalifët e nderuar në mesin e shoqëruesve të tij kishte një djalë të zgjuar dhe të ndershëm që quhej Muhamed. Djali i zbatonte me zell e korrektësi urdhrat e kalifit, dhe për këtë fitoi simpati të madhe.
Kur Kalifi e urdhëronte për diçka, e fillonte me emrin e tij të bukur, duke i thënë: “Muhamed, bëje këtë dhe këtë …!” Të dy ishin të kënaqur: djali, sepse kishte një zotëri të tillë, ndërsa kalifi, sepse gjithmonë mund të mbështetej te djaloshi besnik.
Por, një ditë ndodhi diçka e papritur. Duke i dhënë urdhrat e zakonshme, në vend që t’i drejtohej në emër, kalifi i tha: O djalosh! Muhamedi mbeti i shtangur, dhe mendoi se ka diçka që nuk shkon. Kurrë më parë kalifi nuk i qe drejtuar në këtë mënyrë. Ditët kalonin, ndërsa djalin e mundonte shumë ai moment. Këtë e hetoi edhe babai, i cili një ditë e pyeti se pse ishte aq i dëshpëruar. Fillimisht djali ngurroi, por pastaj i tregoi babait arsyen e vërtetë.
– Baba, ti je mik i ngushtë i kalifit, të lutem pyete pse m’u drejtua në atë mënyrë? – i tha djali me lot në sy. Babai e ledhatoi dhe me një buzëqeshje të lehtë i premtoi se shumë shpejt do ta sqarojë këtë çështje.
Dhe vërtet ashtu ndodhi. Një ditë, i ati u gjet i vetëm me kalifin dhe e pyeti për shqetësimin e djalit. Kalifi e dëgjoi me kujdes, por në vend që t’i shpjegohej, ai i kërkoi që nesër të vinte së bashku me djalin. Kjo gjë e shqetësoi edhe më shumë djalin, i cili tërë natën nuk vuri gjumë në sy.
Në mëngjes herët, Muhamedi me babain shkuan te kalifi.
– Më thuaj Muhamed, çfarë të mundon? i tha Kalifi
– Babai jua ka thënë të gjitha, ia ktheu i emocionuar djali.
– Po, por unë dua ta dëgjoj prej teje. Deri më sot, më ke dëgjuar ti mua, kurse tani dua të dëgjoj unë ty.
Djali me zërin që i dridhej ia tregoi shqetësimin e tij, dhe priti përgjigjen e Kalifit. Kalifi u ngrit, shkoi ngadalë deri te dritarja dhe hodhi sytë nga minaret e xhamive.
– Ai e di ti, Muhamed, se emri yt përmendet pesë herë në ditë në ato minare?, – e pyeti kalifi.
– E di, – tha djali me zë të ulët.
– A mund të më thuash se kush ishte Muhamedi?, – tha kalifi.
– Pejgamberi ynë dhe krenaria jonë, i biri i Abdullahut dhe Emines, atij që i është zbritur Kur’ani i Shenjtë, model për të gjithë ne që e pasojmë.
– I mençur dhe i ndershëm je ti, Muhamedi im, – vazhdoi Kalifi, – ashtu siç është i mençur dhe i ndershëm edhe babai yt, Abdulkerimi, që të vendosi një emër kaq të bukur. Nuk e kam menduar që vetëm pse të quajta djalosh do të shqetësonte aq shumë, por në anën tjetër, unë jam i kënaqur që ndodhi kështu. A ke menduar pse veprova kështu? pyeti Kalifi.
Në vend të përgjigjes djali uli kokën.
-Shiko, Muhamed, Allahu t’i ka dhënë të gjithë të mirat. Unë nuk do të mësoj e as nuk do të kritikoj, sepse nuk ke bërë asgjë të gabuar. Në vend të kësaj, do të zbuloj një sekret të cilin nuk ia kam treguar askujt. Të gjithë ato që i the për Muhamedin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ke thënë shumë bukur. Ai njëherë pati thënë se ne nuk do të jemi besimtarë të vërtetë derisa ai të mos jetë më i dashur për ne se vetja jonë. E tani, unë mundohem të jam sa më i mirë, duke ndjekur atë që ai e ka bërë, dhe t’i shmangem asaj që ai e ka ndaluar, e në fund Allahu do të na llogaritë veprat tona. Unë po të them diçka. Emri yt, që është edhe emri i Pejgamberit tonë të dashur, është më i zgjedhuri dhe më i bukuri, prandaj unë kurrë nuk e kam përmendur pa pasur abdes. Atë ditë ndodhi që të jem pa abdes, prandaj të quajta djalosh, e jo Muhamed, siç kam vepruar zakonisht.
Djali mbeti i heshtur, por i gëzuar nga fjalët e kalifit.