70 vjet pas vdekjes u bë i mundur një botim shkencor i librit famëkeq “Mein Kampf” të Hitlerit. Studiuesit në prezantimin e librit në Bonn shpjegojnë shkatërrimin e një miti. Botimi kritik kërkohet shumë nga lexuesit.
Ja ku ndodhet ky libër në tavolinë në sallën “Shtëpisë së Historisë” në Bonn. Dy vëllime në format të madh, të trashë, rreth 6 kg të rënda. Më shumë i konceptuar për t’u marrë në dorë në bibliotekë dhe jo gjithkund. Që në titull e kupton synimin e grupit të historianëve nga Instituti i njohur i Mynihur për Historinë Bashkëkohore (IfZ). “Hitler, Mein Kampf. Një botim kritik.” Emri i autorit nuk botohet. Në prezantimin e këtij botimi në “Shtëpinë e Historisë” në Bonn kishte shumë vizitorë. Në një podium diskutimi botuesi nga Mynihu, Christian Hartmann, drejtori i Institutit të Historisë (IfZ), Andreas Wirsching, dhe studiuesi i letërsisë nga Universiteti i Heidelbergut, Helmut Kiel shpjegojnë procesin e ballafaqimin me këtë libër.
Hans Walter Hütter, president i “Fondacionit, Shtëpia e Historisë së Republikës Federale Gjermane”, konstaton që në fillim interesin që zgjoi botimi kritik. Që në botimin e parë u blenë menjëherë të 4.000 kopjet. Kërkesa është shtuar. Deri më tani është botuar tirazhi i dytë 15.000 copë. Tirazhi tjetër është në përgatitje. Drejtuesi i projektit, Christian Hartmann mund ta shpjegojë vetëm kështu interesin e madh: “Së pari ky libër është një nga reliket e fundit të Rajhut të III, tjetra, ky është një libër që është ende prezent në ndërgjegjen e shumë familjeve gjermane. Mein Kampf është si të thuash një nga mbetjet e fundit të Rajhut. Shumë vetë kanë një lidhje personale me këtë libër -për të mirë apo për të keq.” Një publikim 2000-faqësh, “i rrethuar”, siç thotë Hartmann, me 3.500 fusnota dhe shënime shkencore. 780 faqe vetëm origjinali.
Hitleri ka qenë fanatik i fjalëve të huaja
“Mund të ngecësh gjatë leximit tek esetë e vogla shoqëruese”, thekson Hütter. Për grupin e botuesve një punë e mundimshme disa vjeçare. Hartmann thotë se “Hitleri ka qenë fanatik i fjalëve të huaja”. Me shumë zell ai ka përdorur fjalë të huaja dhe citate që as vetë nuk i ka kuptuar. Deri në vitin 1945 libri i Hitlerit u botuar në më shumë se 12 milionë kopje. Edhe jashtë vendit ka pasur mjaft përkthime të Mein Kampf.
Pas fundit të Luftës së II Botërore ribotimi i librit u ndalua nga fuqitë aleate. “Rrallë gjen një libër që është mitizuar kaq shumë, që ngjall kaq shumë përbuzje, frikë, kuriozitet dhe spekulim, dhe mbi të gjitha i rrethuar nga aura e së ndaluarës”, shkruhet në faqen e Institutit të Historisë së Mynihur (IfZ). Prandaj edhe përgjegjësia e historianëve në botimin kritik ishte shumë e madhe. “Ky botim rivendos faktet historike në kontekstin e duhur, paraqet idetë e Hitlerit dhe i vë pretendimet e tij ideologjike në kontrast me rezultatet moderne të shkencës”. Këtë objektiv ia kishte vënë vetes IfZ që në vitin 2012. Më shumë se katër vite më pas edicioni kritik është botuar: Rezultati: Një edicion i arrirë. Reagimet e lexuesve janë pozitive.
Bonn Buchpräsentation Kritische Edition Hitler, Mein Kampf Prof. Andreas Wirsching
Prof. Andreas Wirsching
Sekretares i diktohet libri
Me interes mund të lexosh historinë e krijimit të këtij libri. Adolf Hitleri atëherë i panjohur kishte dështuar në vitin 1923 me një përpjekje për puç. Ai u arrestua, lëvizja e organizuar prej tij u shtyp. Në qelinë e Landsbergut, Hitleri nxjerr në letër të gjithë vrerin që kishte për Republikën e Vajmarit dhe humbjen e Luftës së I Botërore. Vëllimi i I ka titullin “Larje hesapesh”. Hitleri kishte 264 ditë për të menduar një strategji dhe një fillim të ri për partinë e tij NSDAP. Pamfletin racist ai shkruan në qeli ndërkohë që për vëllimin e II i erdhi në ndihmë një sekretare në Obersalzberg, ku ai derdh ndërkohë vizionet e tij të çmendura. Urrejtja raciste, sulmet antidemokratike kundër “hebrenjve të infektuar nga marksizmi”, ideologjia e tij i sollën popullaritet tek anëtarët e tjerë të partisë duke e forcuar pozicionin e tij të drejtuesit.
Jo një xhungël fusnotash
Grupi i historianëve i peshon këto fakte me biografinë aktuale të Hitlerit. Çdo shpjegim bazohet mbi fjalën e fundit të shkencës së historisë. Gënjeshtrat e Hitlerit dhe gjysmë të vërtetat nxirren në dritën e duhur e korrigjohen si nga ana biografike ashtu edhe nga konteksti kohor. Studiuesi i letërsisë, Helmut Kiesel thekson se ajo që ndihmon për të shkatërruar mitin e këtij libri është një “dekonstruim radikal”. Edhe drejtori i Institutit të Historisë, (IfZ) Andreas Wirsching thekson “se është i rëndësishëm ballafaqimi me simbolin. Me këtë libër nuk mund të veprojmë si me një burim normal nga historia.”