Ishte një nxënës i shkëlqyer, një djalë me sjellje të mirë, i pasionuar pas librave, e i dashur për familjen. Por rruga që ai morri, si 17 vjeçar e detyroi të bëhet autor i gjërave më të këqija, por edhe përdorues i drogës, madje heroinës.
Bëhet fjalë për ish narkomanin A.B. nga Peja, i cili për kolona.al, ka treguar se si droga ia shkatërroi jetën, familjen, rininë.
Ai ka treguar një jetë të tërë të shthurur të cilën të tillë e pati jetuar falë shokëve të tij.
E sot, pas më shumë se 4 viteve që e ka lënë drogën, thotë se i ndjehet falënderues Zotit.
Ai ka humbur gjithçka, por është gjallë dhe përmes librit të tij “I arratisur nga vetja”, që pritet të dalë së shpejti në treg, mendon t’i ndaloj të gjithë ata që duan t’i hyjnë kësaj rruge, apo tashmë ndodhen në të…
Dikur kishte rininë, kishte familjen, para me bollëk, pasuri, vetura e femra. Por, këto të mira atij nuk i zgjatën shumë. Të gjitha ia mori droga. Pluhurin e bardhë ia lanë në duar dy shokë nga mëhalla e tij në Pejë, aty ku jetoi deri në moshën 17 vjeçare.
Ish narkomani A.B. tash 45 vjeçar, thotë se e kishte parë gabimin që po bënë duke marr drogë. Por, për vjet me radhë nuk ia doli t’i ikte këtij vesi. Vendimet për lënien e drogës binin në ujë, pas krizës së parë, edhe pse ato i merrte shpesh.
“Kam qenë nxënës i shkëlqyer në shkollë, por pak para se të përfundoj të mesmen u mbyllën shkollat dhe mbeta pa e përfunduar atë. Kjo që mos të mësojmë në gjuhën shqipe. E duke mos pasur shkollë, obligime, silleshim vërdallë nëpër mëhallë. Gjithmonë kishim ëndrra të mira si të rinj që ishim. Por, nuk e kisha ditur që çfarë ëndrra do të më gjejnë”, rrëfen ai.
Nuk kishte shkuar shumë kohë, atij i kishte ardhur një ofertë që të shkonte në perëndim.
“Shkova menjëherë të pyes nënën time, në mungesë të babait, i cili la familjen dhe shkoi në Gjermani dhe më kurrë nuk u kthye. Neve na rriti nana me mundime, por faqebardhë. Kur iku ai, unë i kisha vetëm tre muaj. Nëna si nënë, nuk i erdhi mirë që e pyeta për të shkuar në perëndim, por kur ma dha lejen më tha ‘bir shko por kthehu’“, kujton atë kohë ai.
Pas dy javësh, ai kishte marrë rrugën e cila e qoi drejt shkatërrimit, së bashku me shokët, të cilët kur i flisnin për luksin e jetën që bënin në perëndim atë kohë, ish narkomani thotë se zemra “i rrihte si tupan”, nga gëzimi. Ai kishte filluar punën e tij të parë, por nuk e kishte pritur një punë të tillë.
“Më thanë të vidhja një çantë me para që ishte në duart e një gruaje, në një kabinë treni që shkonte në Skandinavi. Kur ata ranë të flejnë, pra gruaja me disa të tjerë të cilët ishin shtrirë në dy anët, duke vendosur këmbët në karrige, mua mu desh të shkoja përfundi këmbëve të tyre dhe ta marr çantën. Shpirti jem e din sa shumë kam vuajtur. Bile ajo rrugë më është dukur shumë, shumë e gjatë”, vazhdon rrëfimin per Kolona.al, ish narkomani. Nuk i pengon sot emërimi ish narkoman. E kjo pasi që ka më shumë se katër vjet që i ka thënë lamtumirë drogës.
Siç thotë, Zoti edhe përkundër vuajtjeve, sfidave, krizave, të qarave, atë e la gjallë, shëndosh e mirë. E krejt kjo sipas tij, ka qenë një mesazh nga Zoti, që ai të drejtojë shumë njerëz në rrugën e duhur, dhe t’i largohen drogës.
“Pas shumë vjedhjeve siç ishin çanta, para e vetura, pasuria jonë rritej e rritej. Unë tashmë kisha hyrë në këtë valle dhe nuk mund të dilja. Nuk guxoja. Në fakt nuk e dija as si të veproja sepse kam qenë në grushtin e tyre, të cilët më morën kinse për të më ndihmuar. Ata më përdornin si “grep për të zënë peshq”. Pra për të ju dhënë ide, për të vjedhur, e gjëra të tjera të shëmtuara”, tregon ai.
Gjatë rrugëtimit në jetën e shthurur, ai bashkëjetonte me një vajzë çeke, që e quante Dash, e me të cilën thotë se kalonin për mrekulli. Por edhe atë ju desh ta largonte nga vetja, sepse nuk donte ta merrte ne qafë. Madje me të ka një djalë që tashmë është 19 vjeqar, por që nuk e ka takuar që 16 vjet. Sikur mos të mjafonin tërë këto vese të këqija, ish narkomani parat e fituara haram, i harxhonte po në këtë mënyrë, në kumorë. Një ditë ai pasi kishte harxhuar shumë para në kumorë, ju kishte bashkuar shokëve të cilët i ofruan cigare me heroinë. Në fillim nuk e kishte pranuar. Pas shumë tentimeve nga shokët e tij, ai kishte thithur tetë cigare me heroinë. E pas insistimeve të vazhdueshme të “shokëve” kishte marr edhe dy vija drogë heroinë. Për fillim thotë se ju morën mendtë dhe ishte ndjerë shumë keq. “Pas disa minutash, u ndjeva aq mirë sa nuk di ta përshkruaj”.
Atë natë ai kishte shkuar në shtëpi ndërkohë të nesërmen diku ka mesi i ditës, atë e kishte lëshuar droga dhe kishte shkuar t’i takoj shokët.
“E gënjeva të dashurën se kam një takim dhe shkova te shokët, që përsëri e kishin bërë tym me një kafe të boshnjakëve në Çeki. Ne lëviznim nëpër perëndim, mirëpo këtu e kishim qendrën. Shkova dhe veç endesha, herë te banaku, herë ulesha afër tyre, por nuk e dija pse. Ai shoku, që më mori në qafë, më thirri prapë dhe më tha se këtë stres e kam ngase më ka lëshuar droga. Unë nuk doja, por përsëri pas insistimit mora përsëri, e përsëri, e përsëri. Deri gati para pesë viteve kur e lash përgjithmonë”.
“U ktheva në Kosova në vitin 2004, pas tre vjet e gjysmë që isha në burg, për diçka që në fakt nuk e kisha bërë. Në fillim familja sillej mirë me mua. Por unë insistoja të kthehesha përsëri në Çeki ku ish të dashurën e kisha lënë dhe tashmë kisha një të dashur tjetër po nga Çekia, e cila ka ardhur të më vizitojë sa kam qenë në burg. Nuk arrita të shkoja përsëri atje ku isha, dhe mbeta në Kosovë. Ndërkohë një ditë dëgjova një fjalë nga motra që tha për pasurinë tonë se i përket vëllait të madh dhe nuk arrita ta duroja këtë dhe dola nga shtëpia, për të mos u kthyer kurrë më as sot e kësaj dite”, rrëfen A.B.
Ai thotë se jetoi si një kafshë në një shtëpi që ia kishte lëshuar një fqinje, në Pejë. Ai për sa kohë qëndroi në familjen e tij, por edhe pas asaj kohe, kurrë nuk e kishte lënë drogën. Megjithatë nuk e din nëse familja e tij e ka kuptuar këtë fakt atëherë. Pas Pejës ai kishte ardhur në Prishtinë, aty ku për të filloi një jetë ferri edhe më keq se që e kishte pas.
“Si erdha këtu menjëherë gjeta narkomanë, që më furnizonin me drogë. Ata e blinin lirë ndërkohë mua ma shisnin më shtrenjtë. Drogë të pa pastër, të përzier me gjithçka e cila më shkatërroi. E një ditë së bashku me ish të dashurën time po ashtu narkomane dhe disa shokë po ashtu narkomanë, morra drogën me shiringë e cila më shkatërroi”, kujton ai.
Paratë që ia dërgonte e dashura çeke, i kishte harxhuar, ndërkohë ai kishte filluar sërish me vjedhje, thyerje e të merrte çka do që i dilte përpara që të siguronte para për drogën në Prishtinë. Ai një ditë shiringën që deshi ta merrte e gjuajti dhe iu kishte betuar Zotit se nuk do të merrte më.
“Bëra be se nuk do ta marr. Jetoja si një mi në errësirë, vetëm kur dilja për të blerë pak bukë dhe drogë, shihja dritë. Përndryshe vetëm në bodrume rrija, shumë herë pa ngrënë e pa pirë. Një shok që i tregova se du me lanë drogën më ofroi metadon për ta larguar dhimbjen. E mora një edhe pse nuk më dha “fllesha”, si droga më herët. Atë e mora disa herë derisa u shkëputa krejtësisht, falë trajnimeve, bisedave me psikolog. Dhe tash jam i pastër. Tash po punoj këtu në “Labyrinth”, ku po mbaj ligjërata studentëve, atyre që duan të shkëputen nga droga. Shpërndaj shiringa të pastër nëpër Prishtina, në shumë vende ku shpërndahet droga. Zakonisht nëpër shhtëpi të braktisura, pastaj tek Pallati i Rinisë e vende tjera”, tha ai.
Vetëm për dy gjëra thotë se e ka ndërgjegjen e pastër. “Të vetmet gjëra që nuk i kam bërë është vrasja dhe prostitucioni. Pra falë Zotit skam vra kurr dhe nuk kam quar në prostitucion femra.”
Ai sot jeton në një banesë në Prishtinë, ku me pagën e fituar mezi arrin ta kalojë muajin. Por, edhe sikur t’ia falin tërë paratë e mëhershme, nuk i ndërron me lumturinë që e ka sot.
“Tash po kënaqem me pak gjëra që po i kam. Jam në një bisedë me një filipinase mirëpo nuk e di si të ja bëjë, sepse si të shkojë atje? Me marrë këtu si të jetojmë me vetëm 200 euro”, ka vazhduar rrëfimin e tij ai.
Mirëpo e tërë vuajtja, baticat, zbaticat, ai i ka përmbledhur me një libër, të cilën i kanë premtuar “American School of Kosova”, se së shpejti do t’ia botojnë. Ky libër me titullin “I arratisur nga vetja”, pritet të botohet së shpejti, përderisa shpreson se do t’i shërbej si këshillë dhe ndalesë të tjerëve që mos t’i hyjnë rrugës së vdekjes, drogës.
“I lus gjithë ata që kanë filluar, janë në fillim në mes apo në fund të rrugës së drogës, të largohen nga ajo. Më mirë mbyteni veten sesa të merrni drogë. Ajo ju shkatërron si nga ana psiqike , ashtu edhe nga ajo fizike. Mos e merrni”, ka porositur ai për fund.