Dy shtetas sirianë janë dënuar me katër vite burg për vdekjen e tre vjeçarit Aylan shtatorin e kaluar, por edhe personave të tjerë që gjeten vdekjen në të njëjtën barkë me të. Por avokati i njërit prej tyre ka akuzuar sërish babanë e tre vjeçarit si bashkëpunëtor me kontrabandistët që çuan në mbytjen e barkës dhe vdekjen e 5 personave.
Një gjykatë turke ka dënuar me katër vite burg dy shtetas sirianë si përgjegjës për vdekjen e 5 personave, mes tyre edhe tre vjeçarin Aylan, imazhet e trupit pa jetë në breg të detit tronditën të gjithë botën shtatorin e kaluar, transmeton kp.
3 vjeçari u mbyt bashkë me nënën dhe vëllanë e tij në jugperëndim të Turqisë, teksa po përpiqeshin të mbërrinin në brigjet greke.
Avokati i njërit prej tyre, Qemal Ertugrul, tha se M.Alabash dhe A.Alfred u dënuan me katër vjet e dy muaj burg për kontrabandë të qenieve njerëzore dhe vrasje nga neglizhenca.
Ertugrul përsëriti akuzat se babai i Aylanit punonte me trafikantët që drejtonin barkën e cila u përmbyt së bashku me familjen e tij.
Ai tha se kjo u konfirmua kur babai i tre vjeçarit u pa të mblidhte paratë e emigrantëve që donin të arrinin në Greqi dhe se ai ishte kapiteni i barkës që përfundoi tragjikisht.
Që prej vdekjes së Ailanit, Bashkimi Evropian, po përballet me një krizë të madhe të klandestinëve dhe një përçarje të thellë brenda unionit.
Nga ana tjetër Turqia ndodhet në presion, pasi Evropa pret që ajo të frenojë fluksin, duke i mbajtur të gjithë sirianët brenda territorit të saj./Koha/