Legjitimiteti i replikës

Është bërë tashmë normale që opinioni publik të manipulohet me antiislamizëm nga islamofob të thekur, por edhe nga mosnjohës të kësaj feje që padashur çojnë ujë në mulli të të parëve. E ndërsa muslimanët më së shumti heshtin! Heshtin për sulmet ndaj Islamit qofshin këto nga anonimë që fshihen pas pseudonimeve (ndonëse besoj se ata janë të pakët), qofshin këto nga peshq të mëdhenj që kanë vënë emër në politikë, art dhe kulturë. Heshtja e karakterizon më së shumti këtë pjesë të umetit me të cilët ne jetojmë! Pse? Duhet të reagojnë hoxhallarët, thonë disa! Jo, duhet të reagojnë intelektualët, sepse hoxhallarët që kemi nuk kanë nivel të lartë kulturor, thonë disa të tjerë! Dhe kështu stafeta kalon sa te njëri dhe sa te tjetri. Dhe kur dikush reagon, mirë apo keq, fillojnë i bëjnë analizën. Këtu ia qëlloi e këtu gaboi! S’paska gjë më komode sesa kritika, kur vetë nuk bën asgjë!

A duhej reaguar ndaj librit të Blushit, një pyetje që për mua është fare pa vend! Atëherë ta ndreqim pakëz këtë pyetje dhe të themi: çfarë dobie dhe dëmi kemi nga reagimi? I bëjmë reklamë librit, është dëmi thonë disa! I tregojmë se nuk jemi të vdekur, është dobia thonë disa të tjerë!

Por, a nuk të detyrueshme që para se të merremi me dëmin dhe dobinë e reagimit t’i kthehemi fesë?! Ç’thonë tekstet fetare, ajetet dhe hadithet, në fund të fundit, për këtë gjë? Nëse çdo gjë do të shihej vetëm me syrin e dëmit dhe dobisë atëherë ç’vlerë kanë argumentet fetare?! Apo vetëm për t’i këndur në namaz dhe për tua mbajtur mësim njerëzve! A nuk ka vallë kjo feja jonë argumente që na flasin për të gjë? A nuk është vënë vallë i Dërguari Zotit në situata të ngjashme?! Po shokët dhe pasardhësit e tyre, çfarë kanë bërë në situata të ngjashme? Para se të vëmë në punë mendjeshkurtësinë tonë për dëmet dhe dobinë e kësaj apo asaj le t’i kthehemi njëherë fjalës së Zotit, se çfarë na thotë.

Ish kryetari i Akademisë së Fik’hut islam me qendër në Xhideh, Shejh Bekr Ebu Zejdi (rahmet pastë) në librin e tij “Replika ndaj kundërshtarit është prej bazave të Islamit dhe prej shkallëve të xhihadit” thotë: “Ai që i ka studiuar dy shpalljet fisnike (Kuranin dhe Sunnetin) do të shohë sesi kanë qëndruar Profetët me kombet e tyre, reformatorët me popujt e tyre, qëndrime polemizuese dhe debatuese, duke iu kundërpërgjigjur çdo lajthitjeje dhe devijimi dhe po kështu edhe ata që erdhën pas tyre, kështu kanë vepruar për shekuj me radhë.” (Fq.21)

“kryerja e këtij funksioni mbrojtës për fenë, nëpërmjet replikës dhe debatit vjen në forma të ndryshme (në Kuran):

Me fjalën “el-xhidal” (debat) dhe derivatet e saj 29 herë.

Me fjalën “el-huxhetu” (argumentim) dhe derivatet e saj 27 herë.

Me fjalën “el-sultan” (fakt, argument shtypës) 33 herë.

Me fjalën “el-burhan” (argument i qartë) në 8 ajete.” (Fq.25)

Po ta lexosh Kuranin nga fillimi deri në fund me qëllimin për të gjetur replika do të shohësh se ai është i mbushur me tekste të tilla, sesi Allahu u kundrapërgjigjet idhujtarëve, çifutëve dhe të krishterëve si për besimet e tyre të gabuara, por edhe për shpifjet në adresë të Allahut dhe Profetëve të Tij. A nuk polemizoi Nuhu me popullin e tij dhe kurrë nuk heshti saqë ata i thanë: “O Nuh, ti na kundërshtove ne, madje e zgjate kundërshtimin.” (Hud:32) e a nuk i thanë elita politike:“Paria e popullit të tij tha: “Ne të shohim ty në humbje të qartë”. Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam në kurrfarë humbjeje, por jam i dërguar nga ana e Zotit të gjithësisë!” (El-araf:60-61) dhe nuk heshti, por mbrojti vetveten sepse në të vërtetë po mbronte të vërtetën dhe të drejtën e Zotit.

A nuk polemizoi Ibrahimi po kështu me popullin e tij, Salihu, Hudi, Shuajbi, Musai me faraonin, Isai dhe së fundit Muhamedi (salallahu alejhim ue selem). Kurani është i mbushur me të tilla replika nga fillimi deri në fund. Po a nuk është Kurani që na i tregon shpifjet që kurejshët bënin për Profetin, si i çmendur, mashtrues, magjistar dhe poet?! A është Allahu që i përgjigjet po nëpërmjet këtij libri këtyre shpifjeve?! Po a nuk qe i Dërguari i Allahut ai që thoshte: “Luftojini idhujtarët me pasurinë, veten dhe gjuhët tuaja.”?! (trs. Ebu Daudi, En-nesai, Ahmed dhe është sahih)

Allahu madje na e ka lejuar të reagojmë ashpër kur edhe vetë njeriut i bëhet padrejtësi duke thënë: “Allahu nuk do që të thuhen hapur fjalë të këqija, përveçse nga të dëmtuarit. Allahu dëgjon dhe di gjithçka. “ (En-nisa: 148) Kur ky i dëmtuar është një njeri i thjesht. Subhan Allah! Por kur ky i dëmtuar është Profeti i Tij dhe mbarë muslimanët, nuk u dashka ta hapim gojën?! Ndërkohë që as nuk shamë dhe as nuk fyem kë, përkundrazi ishte Profeti ynë dhe Islami ata që u fyen nga Blushi me trillimet nga më banalet dhe skenat nga më perverset. A e keni lexuar o njerëz skenat seksuale të dhunshme të Sali Benishit me Aishen trembëdhjetë vjeçare? Dhe po ta lexoni librin do të gjeni se ky Sali Benish para se të simbolizoj Sali Berishën apo Sali Butkën simbolizon Profetin, sepse edhe ky personazh martohet po si Profeti juaj me Hatixhen që ishte 15 vjet më e madhe se ai, dhe po ky njeri kishte për shok Bari Bekrin, dhe po ky njeri besonte se ishte profet dhe kishte në shpinë të tij vulën e profetësisë…etj …etj situata të ngjashme mes Profetit tonë dhe personazhit pervers të Blushit!

E ku vajti parimi i madh islam i urdhërimit për të mira dhe ndalimit nga e keqja?! Që kur kundërvënia dhe denoncimi i së keqes qenka gjë e keqe?! Që kur heshtja ndaj së keqes qenka bërë gjëja më e mençur?!

Mos se përhapet e keqja thonë disa! I bëjmë reklamë! Subhan Allah! Çfarë reklame i bëmë ne, kur reaguam vetëm për shkak të kësaj reklame që iu bë dhe vetëm pas dy javësh nga promovimi i librit shto këtu edhe disa ditë më tepër nga botimi dhe reklamimi i tij?!

Po a mos vallë Blushi dhe libri i tij qenë një ndonjë milingonë që bezdinë e saj mund ta duronim për të mos e zmadhuar më shumë seç e ka rëndësinë?! I qenkan shtuar shitjet Blushit? Po pse këto shitje ne ja shtuam me reagimin tonë?! Po e
dhe nëse e zëmë se qe kështu, po helmi që ai mbolli në ata së paku qindra njerëz që e blenë librin para se të dilnin shoqatat, nuk paska rëndësi?! Përkundrazi sa më shumë shtohen shpifjet dhe sulmet ndaj Islamit aq më shumë neve na jepet rasti tu tregojmë njerëzve se Islami nuk është i tillë. E kush e mendonte se ata që do të reagonin më fuqishëm qenë njerëz që s’kanë të bëjnë me Islamin aspak?! Pse në ballë të këtij reagimi duhet të ishin njerëz të tillë dhe jo “institucioni” që pretendon se përfaqëson Islamin?!

Shoqatat nuk bën vetëm se detyrën, bën një farz që gjithsesi është farz kifaje dhe më së shumti i takonte asaj që sot do ta quaja një karakatinë institucionale që punon për t’i bërë temena politikës. Që ka frikë të hap gojën të flasë se mos e quajnë fundamentaliste, ekstremiste, terroriste, …iste e …iste pa fund… njerëz që i tremben opinionit politik dhe mediatik sesi do ta etiketojnë dhe nuk i tremben Allahut që është mbi politikanët dhe mediat e kësaj bote! Kjo në fakt nuk tregon mençuri, por e parë pak më thellë tregon gjendje inferioriteti, sepse stepen sesi do të reagojnë të tjerët e këta të tjerë që përgjithësisht u tremben nuk janë veçse një pakicë politikanësh dhe gazetarësh që fatkeqësisht dominojnë opinionin publik shqiptar. Po këta njerëz që mendojnë kështu a nuk e çuan nëpër mend ndonjëherë sesi mendon populli i thjeshtë musliman në jug e në veri kur ky “institucion” nuk reagon?! Nëse nuk reagojnë vetë le të vënë në lëvizje mekanizmat e tyre që të reagojnë intelektualët, siç bëjnë në Turqi, siç u përmend kjo nga një vëlla këtu. Por nëse këtë nuk e bëjnë atëherë me ç’të drejtë nuk i mbështetën shoqatat apo se iu morën stafetën?! Shoqatat u dolën borxhit dhe kmsh (me të vogla) si “institucion” shumë pak e vunë ujin në zjarr, përjashto këtu ndonjë reagim që sido qe personal. Mesa duket titullarit të kmsh dhe atyre që i bëjnë fresk atij u ka ardhur mirë kur te “Opinioni” i Fevziut të gjashtë debatuesit i bashkoi një frymë, ajo se kmsh paska bërë mirë që nuk paska reaguar! Kushedi sesa do të i jetë bërë qejfi këtyre njerëzve kur panë se këtë qëndrim prej frikacakësh dhe inferiorësh oh, më falni prej “tolerantësh”, “të mençurish” ua lavdëroi edhe P.Misha e N. Lesi…etj.

Kemi gjynahe, gabime, përçarje e njëmijë të zeza të tjera…. por kjo nuk do të thotë se kur vihet në tabelë qitjeje feja jonë t’i kthejmë shpinën, kur forcërisht vihemi në një arenë t’i tregojmë thembrat kundërshtarit që gjithsesi heshtën ta ka ngulur.

Më duhet të rikujtoj këtu vargjet Abdullah ibn Mubarekut që përmbledhtasi e përshkruan të gjithë këtë duke thënë:

I pashë gjynahet sesi i vdisnin zemrat

Dhe sesi dhënia pas tyre të shpinte në poshtërim

Lënia e gjynaheve është jetë për zemrat

Ndaj më mirë për ty është të mos iu bindesh atyre

Po a nuk e prishën fenë veçse mbretërit, dijetarët e këqij dhe murgjit e saj.

Atë që unë u mundova ta shkruaj në shumë rreshta dhe ndoshta edhe lash mangut plotë gjëra pa thënë Ibn Mubarak na e tha me pesë strofa…


Justinian Topulli

DHJETOR 31, 2008

jtopulli.wordpress.com

Artikulli paraprakBibliotekat e Kosovës angazhohen në përpunimin elektronik të librit
Artikulli vijuesMe urdhër të Azem Sylës, Selmani e Muja uzurpojnë pronën e "Auto Prishtinës"