Ekipet e shpëtimit edhe më tutje kërkojnë nën rrënoja të mbijetuarit pas tërmetit shkatërrues i cili goditi veriun e bregdetit të Ekuadorit në mbrëmjen mes të shtunës dhe të dielës, ndërsa deri më tani nga ndërtesat e shembura janë nxjerrë më shumë se 400 trupa të pajetë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Koordinimit dhe Sigurisë në Ekuador mbrëmë njoftoi se deri në mesnatë numri i viktimave nga tërmeti është rritur në 413 të vdekur dhe në 2.068 i të plagosurve, duke paralajmëruar se druhet që bilanci i vdekjeve edhe më tej mund të rritet pasi ende ka rrënoja në të cilat nuk është kontrolluar.
“Prioriteti ynë është kërkimi dhe shpëtimi, vendosja e komunikimit, ofrimi i ushqimit dhe ujit për viktimat dhe përkujdesja e njerëzve që kanë mbetur pa kulm mbi kokë”, deklaroi zyrtari i Drejtorisë për situate të jashtëzakonshme Ricardo Pena Herrera.