Mali – Përhapja e fesë islame në Mali

Të dhëna statistikore1:

• Emri ndërkombëtar në anglisht: Mali.
• Emri zyrtar: Republika e Malit.
• Sistemi i qeverisjes: Republikan.
• Sipërfaqja: 1,240,278 km².
• Numri i banorëve: 14.1 milion (2011).
• Dendësia: 11,7 (banorë në 1 km²).
• Feja: myslimanë 90%, besime fetare afrikane 6% dhe të krishterë 4%.
• Kryeqyteti: Bamako (konsiderohet qyteti më i madh në vend).
• Qytete të tjera: Banani, Fana, Gossi, Kita, Markala, Nara, Sanga, Taghaza, Yorosso, etj..
• Grupet etnike: Mande 50% (Bambara, Malinke, Soninke), Peul 17%, Voltaic 12%, Songhai 6%, Tavarik dhe Arabë 10% dhe grupe të tjera vendëse 5%.
• Gjuhët kryesore: Frënge (gjuhë zyrtare), Bambara (gjuha më e përdorur në vend, rreth 80% e popullatës e përdor këtë gjuhë) dhe disa gjuhë të tjera afrikane.
• Njësia monetare: Frang Mali (i Afrikës së Mesme) (1.00 XOF = 0.015 EUR).
• Data e pavarësisë: 22 shtator 1960 (nga Britania).
• Festë kombëtare: 22 shtator 1960 (shpallja e Pavarësisë).

Pozita gjeografike

Republika e Malit ndodhet në veriperëndim të kontinentit të Afrikës dhe është njëri nga shtetet që përbëjnë pjesën e Shkretëtirës Afrikane. Vendi nuk ka dalje në det, ngase është i mbyllur nga të katër anët me shtete të tjera. Republika e Malit është e kufizuar me shtatë shtete, dhe Mali, sikur të gjitha shtetet e tjera të Afrikës nuk i ka përcaktuar kufijtë e saj me duart e bijve të vet, por kufijtë i ka përcaktuar pushtuesi, madje sipas dëshirës dhe interesave të veta. Kjo është arsyeja pse kufijtë e Republikës së Malit nuk përputhen me asnjë të vërtetë gjeografike, qoftë ajo natyrore apo njerëzore. Pra, duke pasur parasysh pozitën e mbyllur, Mali mbështetet në portin Dakar të Senegalit dhe në portin e Abixhanit në Bregun e Fildishtë. Emërtimi i kësaj Republike me emrin Mali vjen nga një mbretëri e vjetër, e cila në të kaluarën shtrihej në pjesën e sipërme të lumit Niger dhe në Senegal. Në fillim, para se të marrë emrin që ka tani, ka qenë i njohur me emrin Senegali Niger, pastaj Sudani Fancez, dhe pas Pavarësisë së vendit në vitin 1960 m / 1380 h, vendi u quajt Republika e Malit.(2)
Republika e Malit është e kufizuar me shtatë shtete fqinje: nga verilindja kufizohet me Algjerinë me një gjatësi 1376 km; nga lindja me Nigerin me gjatësi 821 km, nga jugu me Burkina Faso-n në një gjatësi deri në 1000 km, me Bregun e Fildishtë në gjatësi deri në 532 km dhe me Guinea-n me një gjatësi 858 km; nga perëndimi me Senegalin në një gjatësi deri në 419 km2 dhe me Mauritaninë me një gjatësi 2237 km. Pika më e ulët në Republikën e Malit i takon territorit pranë lumit Senegal, që arrin deri në 23 metra nën nivelin e detit, kurse ajo më e larta ndodhet në majat e malit Hombori Tondo që arrin lartësinë deri në 1155 metra mbi nivelin e detit.(3)
Bazuar në të dhënat e vitit 2008, Republika e Malit ka gjithsej 7-të aeroporte, prej tyre 3 të asfaltuara dhe 4 të paasfaltuara.(4)

Republika e Malit ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore. Prej universiteteve më të njohura në vend, janë: Universiteti i Malit, Universiteti i Bamako-s, Universiteti i Sankore-s, Universiteti i Timbuktu-s, etj.(5)

Bamako: Kryeqyteti i Republikës së Malit dhe qyteti më i madh i vendit, shtrihet në pjesën jugperëndimore të vendit, rreth 50 km në veri të kufirit me Republikën e Guinesë dhe në bregun perëndimor të lumit Niger. Numri i banorëve të këtij qyteti arrin deri në 1.700.000, mbi 90% e të cilëve janë myslimanë. Ky qytet konsiderohet prej qyteteve të rëndësishme tregtare, industriale dhe bujqësore në Republikën e Malit, sidomos për prodhimet e orizit, kikirikut, pambukut, etj.. Fjala Bamako në gjuhën e fiseve Bambara ka kuptimin “Shpina e krokodilit”. Historia e Bamako-s fillon nga mesi i shekullit XIX. Shkrimet e para për Bamako-n, si një vendbanim datojnë që nga periudha në mes viteve 1795 e 1805. Bamako, ashtu si rajonet e tjera të Malit, i është nënshtruar kolonializmit francez. Që nga viti 1908 Bamako ka qenë qendër administrative e pronave franceze në pjesën e epërme të dy pellgjeve, Niger dhe Senegal. Republika e Malit që ishte nën varësinë e drejtpërdrejtë të qendrës së kolonive franceze të Afrikës Perëndimore në Dakar, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946 filloi të çlirohej gradualisht për të fituar pavarësinë e plotë pas lëvizjes çlirimtare, në vitin 1960. Që nga ajo datë Bamako u bë kryeqyteti i Republikës së Malit.(6)

Historia e Malit

Në shekullin XIII miladi, përmes popullit Malinki, që vinte nga jugperëndimi i kontinentit afrikan, u themelua Perandoria Islame e Malit. Emërtimi i kësaj perandorie u bë nga emri i popullit të sipërpërmendur Malinki. Zonat në fjalë, në shekullin XIV kishin arritur kulmin e lavdisë së kësaj perandorie, e cila përfshinte pjesë të Malit të sotëm, Senegalin, Gambian dhe Jugun e Mauritanisë. Pastaj, në shekullin XV u themelua Perandoria Islame Sungaj, e cila kishte mposhtur Perandorinë e Malit dhe e kishte sunduar që nga viti 1464 deri në 1492. Perandoria Islame Sungaj mbulonte rajone të Malit të sotëm, Senegalin, Gambian dhe pjesë të Mauritanisë e të Nigerisë. Mandej, në fund të shekullit XIX francezët i nënshtruan zonat e Malit të sotëm, të cilat në vitin 1904 u bënë koloni franceze dhe në vitin 1920 u quajtën Sudani francez, kurse në vitin 1946 zonat në fjalë u bënë pjesë e Unionit francez. Ndërkaq, më 20 qershor 1960 vendi u pavarësua me emrin Republika Sudaneze dhe u bashkua me Republikën e Senegalit dhe u njoh me emrin Unioni i Malit. Mirëpo, Senegali më 20 gusht 1960 u tërhoq nga Unioni lartpërmendur dhe kështu Republika Sudaneze ndërroi emrin dhe po atë vit, më 22 shtator, u quajt Republika e Malit. Pastaj, në vitin 1992, populli, përmes një referendumi të përgjithshëm, miratoi kushtetutën demokratike të re dhe u mbajtën zgjedhjet shumëpartiake, ku fitoi partia opozitare Aleanca për Demokraci në Mali. Pas kësaj fitoreje, kryetar i Republikës së Malit u zgjodh Umer Kunari. Qeveria e kryetarit Kunari pati sukses në ringjalljen e ekonomisë së vendit, duke zotëruar me një kapacitet të lartë në Afrikë prodhimin e pambukut dhe të arit. Në zgjedhjet e muajit maj 2002kryetari Kunari respektoi dispozitat e kushtetutës së vendit, të cilat ndalojnë kandidimin e kryetarit për herën e tretë, prandaj populli, me 65% të votave, qeverisjen ia besoi kandidatit Emadu Tavri. Republika e Malit është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe anëtare e Unionit Afrikan.(7)

Historia e përhapjes së Islamit në Mali

Feja Islame në Republikën e Malit filloi të përhapej përmes Shkretëtirës, që nga shekulli IV hixhri / X miladi. Islami, përveçqë depërtoi në këto zona, përmes udhëzimit të besimit islam dhe të dispozitave të Sheriatit, organizoi edhe jetën fisnore në vend. Kështu këto fise, falë Islamit, ishin në gjendje të themelonin shtete me arkitekturë të fortë dhe mbi baza të shëndosha, ndikimi i të cilave shtrihej nga lumi Senegal – në perëndim, e gjer në luginën e Nilit – në lindje. Mandej, gjatë shekujve XII-XIII hixhri / XVIII-XIX miladi, shumë nga predikuesit myslimanë prej familjes së murabitëve ngritën mbretëri të vogla në disa pjesë të ish mbretërive të Malit dhe Sungajit, gjegjësisht pas shkatërrimit të këtyre të fundit. Njëri prej atyre predikuesve myslimanë ishte Shejh Ahmed Shiku Efadu, i cili themeloi shtetin Massena në pellgun e Nigerit, të cilin e përkrahu Shejh Bani në jug të qytetit Xheni. Gjithashtu, Shejh El Haxh Umer formoi një shtet, i cili shtrihej nga Fouta Xhalun e deri në Timbuktu. Shteti i El Haxh Umer-it ka qenë shteti i fundit prej shteteve të mëdha në Sudanin Perëndimor, të cilat i themeluan murabitët. Këto shtete, nga viti 1891 e deri në vitin 1898 u bënë ballë sulmeve pushtuese franceze, që synonin kolonializmin e tyre, në kohën kur francezët arritën të shtrinin pushtetin e tyre në këto rajone. Në këto kushte, Feja Islame së bashku me gjuhën arabe depërtuan në Republikën e Malit, dhe në qytetet e tij filloi menjëherë ngritja dhe funksionimi i xhamive dhe medreseve. Prej këtu predikuesit myslimanë u nisën për të kaluar nëpër pyjet tropikale dhe për të depërtuar në zemër të Afrikës. Kështu Mali do të bëhej udhëkryq i popujve arabë, berberë, sudanezë dhe afrikanë. Vlen të përmendet se njëri ndër mbretërit e Mbretërisë Sungaj, i cili quhej Eskija Muhamedi I, kishte ngritur vlerën e qytetit Timbuktu duke e bërë një prej qendrave kulturore islame. Ky mbret, andej nga viti 900 h / 1490 m kishte kryer Haxhin dhe, pas kthimit, kishte marrë përsipër zgjerimin e Mbretërisë së tij. Përmes kësaj iniciative, mbreti në fjalë kishte arritur të përhapte Fenë Islame edhe në mese të idhujtarëve fqinjë, si Mandenxhu dhe Fulani – në perëndim, Tavarik dhe Berber – në veri, Musi – në jug dhe Husa – në lindje. Udhëpërshkruesi i mirënjohur Ibn Betuta (703 – 779 h / 1304 – 1377 m) kishte vizituar rajonet e Republikës së Malit të sotëm, nga mesi i shekullit VIII hixhri / XIV miladi, kishte përshkruar këto rajone dhe kishte vënë në dukje të veçantë sigurinë, rendin dhe drejtësinë nëpër këto zona. Ai kishte bërë me dije se vendësit ishin të përpiktë në kryerjen e obligimeve fetare, si: namazi me xhemat, përkujdesja për nxitjen e fëmijëve për namaz. Ai vinte në dukje po ashtu që njerëzit vishnin rrobat e tyre të bardha ditën e xhuma, si dhe kujdeseshin për nxënien e Kur’anit përmendsh.(8)

Klima

Klima në vend karakterizohet për tri sezone vjetore. Moti është i nxehtë dhe i thatë – nga marsi e deri në maj, kurse nga qershori e deri në tetor – moti është i ngrohtë dhe me shi, e motin e gjejmë aty të ftohtë e të thatë prej nëntorit e deri në shkurt. Temperaturat vjetore në pjesën më të madhe të vendit sillen 27 dhe 29 gradë celsius. Mirëpo, gjatë marsit dhe qershorit, temperaturat mund të rriten deri në 38 gradë, kurse në zonat e shkretëtirës temperaturat gjatë ditës arrijnë deri në 43 gradë. Toka me barishta në vend shtrihet gjerësisht në pjesën më të madhe të Jugut të Republikës së Malit. Kjo zonë ka reshje të dendura shiu dhe, për shkak të klimës së përshtatshme, aty gjendet një numër i konsiderueshëm i shtazëve të egra, si elefantë, gjirafa, drerë, lopë, hiena, tigra dhe luanë, po dhe krokodilë në zona të lumenjve. Bota bimore në vend është e larmishme, ka pemë të shumta me emra të ndryshëm drunjsh afrikanë; në disa fusha ka edhe palma. Ndërkaq, në veri të vendit, për shkak të klimës së shkretëtirës, bimët janë të pakta.(9)

Gjendja ekonomike

Republika e Malit është një vend i varfër ekonomikisht. Më shumë se ¾ e popullsisë merren me bujqësi dhe blegtori. Në vend prodhohen dhe kultivohen disa bimë ushqimore, si: orizi, misri dhe kultura të tjera të lashtash. Të lashtat më të rëndësishme të vendit janë pambuku dhe kallami i sheqerit. Shtegtarët endacakë në Mali kultivojnë një numër të madh bagëtish, si lopë, dele dhe dhi. Krahas peshkimit që konsiderohet prej aktiviteteve të rëndësishme ekonomike në vend, industria e tekstilit, e gjërave ushqimore dhe prodhimet e lëkurës – llogariten prej aktiviteteve më të rëndësishme industriale në vend. Qeveria zotëron të gjitha fabrikat e mëdha, por ato funksionojnë për të inkurajuar investime më të mëdha individuale. Ndërtimi i shumicës së fabrikave të mëdha në vend, si fabrika e çimentos, sheqerit, e paketimit dhe e tekstilit, është arritur falë ndihmave të huaja. Në Mali gjenden edhe pasuri tokësore, si bakri, ari, hekuri, mangani, fosfati, uraniumi dhe kripa. Nxjerrja e kripës konsiderohet prej prodhimeve më të mëdha në vend, krahas nxjerrjes së një sasie të vogël të arit. Pambuku është kultura kryesore për eksport, dhe përbën afërsisht gjysmën e eksportit të Republikës së Malit. Gjithashtu Mali është duke punuar edhe për eksportin e peshkut, lëkurëve, bagëtive, mishit dhe kikirikut. Ndërkaq, Mali importon lëndë kimike, lëndë ushqimore, makineri, naftë dhe tekstil. Tregtia reciproke e Republikës së Malit kryesisht bëhet me vendet e Afrikës Perëndimore, me Francën dhe me disa vende të tjera të Evropës Perëndimore.(10)

______________________
1. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 551, 552. MektebetulAdab, 2007, Kajro. Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame f. 64, 65. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir ZOTO; Enciklopedi gjeografike e botës, f.147, 148. Dasara, 2007, Tiranë.
2. Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; El Vexhiz fi Gjugrafia El Alem El Islami, f. 223. Dar Alem El Kutub, 1997 , Rijad.
3. www.moqatel.com
4. www. moqatel.com.
5. en.wikipedia.org
6. ar.wikipedia.org
7. Muhammed Atris, f. 552, 553.
8. Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; f. 225, 226, 227.
9. www.marefa.org
10. ar.wikipedia.org

(Islamgjakova)

Artikulli paraprakAid El-Karni: Ajo që na dallon neve prej Perëndimit është pika
Artikulli vijuesSllovakia – shteti i vetëm pa xhami në BE