Një ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është arrestuar, të martën e kaluar, në banesën e tij, në Zurich të Zvicrës, me kërkesë për ekstradim nga drejtësia serbe nën akuzën se ka kryer krime lufte ndaj civilëve serbë në dy fshatra të Kosovës, raportoi të dielën gazeta zvicerane, “SonntagsZeitung”.
I identifikuar si Albert S., ish-pjesëtari i UÇK-së ka hedhur poshtë akuzat dhe ka kundërshtuar ekstradimin, shton gazeta, duke theksuar se rasti ka shkaktuar dhe një aferë ndërshtetërore mes Kosovës dhe Zvicrës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas gazetës, ambasada e Kosovës në Bernë ka kërkuar shpjegime për arrestimin, ndërsa të premten ka intervenuar edhe ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili i ka shkruar homologes së tij zvicerane, Simonetta Sommaruga.
Në letrën e dërguar, ministri Kuçi ka sqaruar se përse nuk është i lejueshëm ekstradimi në Serbi i të arrestuarit Albert S. Kuçi ka insistuar se për veprat e supozuara të shtetasit kosovar është kompetente drejtësia në Kosovë, dhe jo shteti fqinj, Serbia.